Goli i barazimit të iranianit u pasua nga një gjest që ka ndarë opinionin në rrjetet sociale, ndërsa vazhdon debati për sigurinë e kombëtares së Iranit në Kupën e Botës...
Sulmuesi iranian Mohammad Mohebi shënoi me kokë golin e barazimit 2-2 në ndeshjen mes Iranit dhe Zelandës së Re, por vëmendjen më të madhe e tërhoqi mënyra se si e festoi golin, duke shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Ngjarja vjen në një moment kur vazhdon debati për sigurinë e futbollistëve të kombëtares iraniane, të cilët po marrin pjesë normalisht në Kupën e Botës që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.
Sipas raportimeve, lojtarët e Iranit qëndrojnë në Meksikë dhe udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara vetëm për zhvillimin e ndeshjeve të Grupit 7, duke u kthyer menjëherë pas për arsye sigurie.
Në këtë kontekst, Mohebi festoi golin e realizuar në minutën e 64-të me një gjest që, sipas disa komentuesve, i ngjante imitimit të një të shtëne me armë. Veprimi i tij nxiti debat të fortë në platformat sociale, ku një pjesë e tifozëve e cilësuan provokues dhe kërkuan nga FIFA të shqyrtojë rastin dhe të marrë masa disiplinore.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse gjesti kishte për qëllim të simbolizonte një armë. FIFA dhe Federata e Futbollit e Republikës Islamike të Iranit janë pyetur për incidentin, ndërsa vetë futbollisti ka mohuar çdo interpretim të tillë.
“Doja të falënderoja të gjithë iranianët që jetojnë në Los Anxhelos dhe krijojnë një atmosferë të mrekullueshme”, deklaroi Mohebi. “Më erdhi në mendje ky festim dhe e bëra këtë gjest për të gjithë tifozët. Është thjesht një festim.”
Lini një Përgjigje