Të 48 ekipet kanë luajtur tashmë ndeshjen e parë në këtë Botëror dhe është koha për analizat e para.
Franca, Argjentina dhe Anglia konfirmuan statusin e favoritit. Kilian Mbape realizoi dy gola në fitoren 3-1 të Francës ndaj Senegalit. Lionel Mesi shënoi “hat trick” në suksesin 3-0 të Argjentinës kundër Algjerisë. Herri Kejn realizoi dy gola në fitoren 4-2 të Anglisë ndaj Kroacisë.
Ndryshe ndodhi me Brazilin, Spanjën dhe Portugalinë, të cilat humbën pikë në ndeshjet hapëse.
Me formatin aktual, ku tetë nga 12 skuadrat e vendit të tretë kalojnë më tej, rreziku i eliminimit në grupe mbetet i ulët. Megjithatë, performanca e parë jep sinjale të rëndësishme për fazat me eliminim direkt.
Brazili
Barazimi 1-1 me Marokun ishte rezultati më pak befasues nga tre zhgënjimet e favoritëve.
Maroku mbërriti në këtë Botëror pasi arriti në gjysmëfinalen e Kupës së Botës “Katar 2022”, kishte fituar Kupën e Afrikës dhe ishte ngjitur në vendin e shtatë të renditjes FIFA, vetëm një pozicion pas Brazilit.
Megjithatë, shqetësimi nuk lidhet me rezultatin, por me lojën.
Marokenët dominuan gjysmëorën e parë, goditën 12 herë drejt portës kundrejt vetëm tri tentativave braziliane dhe kaluan në avantazh në minutën e 21-të. Vetëm një aksion individual i Vinicius Zhunior riktheu ekuilibrin dhe ndryshoi rrjedhën e takimit.
Problemi kryesor mbetet mesfusha. Kasemiro dhe Fabinjo nuk po japin garancitë e nevojshme dhe Maroku krijoi vazhdimisht raste duke depërtuar në qendër të fushës.
Karlo Ançeloti ende kërkon zgjidhjen e këtij problemi. Nëse nuk e gjen, Brazili mund të vuajë edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë në fazën me eliminim direkt.
Niveli i shqetësimit: 5/10
Spanja
Barazimi pa gola me Kepin e Gjelbër ishte surpriza më e madhe e raundit të parë.
Nga njëra anë, Spanja dominoi totalisht. Mbajti 74 për qind të zotërimit të topit dhe goditi 27 herë drejt portës kundrejt vetëm gjashtë tentativave të kundërshtarit.
Nga ana tjetër, ndeshja riktheu kujtimet e eliminimeve të fundit në Kupat e Botës.
Në vitin 2018, Spanja dominoi Rusinë, por u eliminua me penallti. Në vitin 2022 kontrolloi lojën ndaj Marokut, por pësoi të njëjtin fat.
Sulmuesi Mikel Ojarzabal ishte ndër më të kritikuarit, por ai krijoi pesë raste personale dhe mund të kishte shënuar lehtësisht. Forma e tij në sezonin e fundit me Real Sociedad dhe paraqitjet me kombëtaren japin arsye për optimizëm.
Një tjetër faktor është mungesa e formës së plotë fizike te Lamin Jamal dhe Niko Uilliams. Dy lojtarët luajtën vetëm 22 minuta në total ndaj Kepit të Gjelbër.
Kur ata të rikthehen në maksimumin e tyre, sulmi spanjoll pritet të bëhet shumë më i rrezikshëm.
Spanja mbetet favorite për vendin e parë në grup dhe për një ecuri të gjatë në turne.
Niveli i shqetësimit: 2/10
Portugalia
Portugalia kaloi shpejt në avantazh ndaj Republikës Demokratike të Kongos me golin e Zhoao Neves në minutën e gjashtë dhe gjithçka dukej e thjeshtë.
Por pas atij momenti skuadra humbi ritmin. Portugalia realizoi vetëm një goditje tjetër në pjesën e parë dhe Joan Uisa barazoi në fund të saj.
Në pjesën e dytë portugezët kontrolluan topin me 68 për qind posedim, por krijuan shumë pak. Në të gjithë fraksionin e dytë regjistruan vetëm pesë tentativa ndaj dy të Kongos.
Debati kryesor lidhet me Kristiano Ronaldon.
41-vjeçari luajti të gjithë ndeshjen dhe mbetet i paprekshëm në formacionin titullar. Megjithatë, në disa momente ai duket më shumë si pengesë sesa si zgjidhje.
Mesfusha portugeze konsiderohet ndër më të talentuarat e këtij brezi, por skuadra vazhdon të ndërtojë aksionet kryesisht për t'i krijuar raste Ronaldos, në vend që të kërkojë alternativën më efikase.
Problemet nuk kufizohen vetëm te kapiteni. Pedro Neto, Bernardo Silva, Rafael Leao dhe Françisko Konseisao prodhuan vetëm një goditje dhe një rast të krijuar gjatë 180 minutave të fundit të kombëtares.
Nëse Portugalia mbyll grupin në vendin e dytë, mund të përballet me kundërshtarë shumë të fortë që në raundet e para me eliminim direkt.
Pa zgjidhur dilemat rreth rolit të Ronaldos dhe funksionimit të sulmit, potenciali i skuadrës mbetet i kufizuar./"Yahoo sports.com", përshtati në shqip, Pamfleti
Niveli i shqetësimit: 8/10
Lini një Përgjigje