Finalja e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Spanjës nuk është vetëm një betejë për trofeun më prestigjioz të futbollit botëror. Ajo sjell edhe një histori të rrallë njerëzore, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë ish-mësuesi dhe ish-nxënësi.
Në stadiumin “MetLife”, Lionel Skaloni dhe Luis de la Fuente do të kërkojnë të shkruajnë historinë, por pak e dinë se rrugët e tyre janë kryqëzuar shumë vite më parë.
Në vitin 2017, menjëherë pasi i dha fund karrierës si futbollist, Skaloni ndoqi kursin për licencën UEFA Pro në qendrën e Federatës Spanjolle të Futbollit në Las Rozas. Njëri prej pedagogëve që ligjëronte taktikat dhe sistemet e lojës ishte pikërisht Luis de la Fuente, atëherë trajner i ekipeve të moshave të Spanjës.
Shtatë vite më vonë, fati i ka vendosur përballë në skenën më të madhe të futbollit.
Skaloni: “Kam mësuar shumë prej tij”
Trajneri i Argjentinës nuk e ka fshehur asnjëherë respektin për ish-profesorin e tij.
“Jo vetëm që e pata mësues gjatë kursit të trajnerit, por krijuam edhe një marrëdhënie të veçantë. E vlerësoj shumë Luisin për mënyrën si është si njeri dhe për afrimitetin që ka me të gjithë. Fati deshi që sot të përballemi në finalen e Botërorit.”
Skaloni ka treguar se marrëdhënia mes tyre ka vazhduar edhe pas përfundimit të kursit, ndërsa shpesh kanë komunikuar me mesazhe, jo vetëm për futbollin.
De la Fuente: “Jam krenar për të”
Edhe trajneri i Spanjës ka folur me fjalë vlerësimi për ish-nxënësin e tij.
“Jam shumë i lumtur që përballemi me Argjentinën. Përveç lidhjes që kam me Skalonin, mes nesh ekziston respekt dhe miqësi e madhe. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Argjentinën.”
Madje, De la Fuente ka pranuar se në disa aspekte është frymëzuar edhe nga idetë e Skcalonit gjatë zhvillimit të tij si trajner.
Nga dyshimet te suksesi
Të dy teknikët kanë kaluar një rrugëtim të ngjashëm drejt majës.
Kur Skaloni mori drejtimin e Argjentinës në vitin 2018, shumë e kritikuan për mungesën e eksperiencës. Edhe legjenda Diego Maradona ishte mes skeptikëve për emërimin e tij.
Edhe De la Fuente u vu në pikëpyetje kur mori drejtimin e kombëtares spanjolle, pasi vinte nga ekipet e moshave dhe nuk konsiderohej një emër i madh.
Megjithatë, të dy iu përgjigjën kritikëve në mënyrën më të mirë: me trofe.
Skaloni udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës 2022 dhe fitoi dy herë Kupën e Amerikës, ndërsa De la Fuente i dhuroi Spanjës Ligën e Kombeve 2023 dhe titullin kampion të Evropës në “EURO 2024”.
Një finale që shkruan histori
Ish-trajnerja e kombëtares së femrave të Spanjës, Montse Tome, e cila ishte pjesë e të njëjtit kurs në vitin 2017, pranon se askush nuk do ta kishte imagjinuar një skenar të tillë.
“Atëherë nuk e mendoja kurrë një skenar të tillë. Por e dija që Luis kishte potencial për të arritur në majë. Ai jetonte për futbollin dhe punonte pa u lodhur.”
Sonte, vetëm njëri prej tyre do të ngrejë lart trofeun e Kupës së Botës. Megjithatë, pavarësisht rezultatit, finalja Argjentinë–Spanjë do të mbetet e veçantë për historinë që mbart: mësuesi dhe ish-nxënësi do të duelojnë për çmimin më të madh në futbollin botëror.
Lini një Përgjigje