
Prapaskenat e Kupës së Botës së këtij viti, nxorën në pah ndikimin e jashtëzakonshëm politik dhe mungesën e llogaridhënies brenda institucionit më të lartë të futbollit. Ish-zyrtarë dhe kritikë denoncojnë mënyrën se si Gianni Infantino ka konsoliduar një sistem autokratik, ku rregullat manipulohen dhe zërat kundërshtarë eliminohen pa mëshirë...
Cila do të jetë trashëgimia më e madhe e këtij Botërori? Përtej golave të Lionel Messit dhe kontrollit absolut të lojës nga Spanja, ky turne do të mbahet mend sigurisht për momentin kur një president amerikan u mburr hapur se kishte ushtruar presion politik mbi FIFA-n.
Kur Donald Trump zbuloi se kishte lobuar personalisht te presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, për të pezulluar skualifikimin automatik prej një ndeshjeje të Folarin Balogun, duke thyer çdo precedent për të lejuar sulmuesin kryesor të kombëtares amerikane të luante në një ndeshje jetike - tifozët anembanë botës mbetën të fyer dhe të skandalizuar.
Mes tyre ishte edhe Miguel Maduro, ish-kryetar i komitetit të qeverisjes së vetë FIFA-s. Ai u ndje i indinjuar nga ky vendim skandaloz, i cili me sa duket u mor vetëm për t’i bërë qejfin Trump-it, të cilit Infantino i kishte dorëzuar në mënyrë servile një çmim paqeje nga FIFA vitin e kaluar.
Por Maduro nuk u çudit nga ky zhvillim. Ish-ministri i qeverisë portugeze e di mirë nga përvoja e tij e hidhur personale se sa larg mund të shkojë Infantino për të siguruar favore politike. Profesori i drejtësisë iu bashkua FIFA-s në vitin 2016, me synimin e qartë për të pastruar organizatën pas skandaleve të njëpasnjëshme të korrupsionit.
Megjithatë, ai u shkarkua vetëm 8 muaj më vonë për shkak të disa vendimeve që preknin drejtpërdrejt interesat e Infantinos dhe të mbështetësve të tij. Sot, Maduro shprehet i kënaqur që debati mbi rastin ”Balogun ndodhi” në dritë të diellit dhe para syve të mbarë botës, duke demaskuar mekanizmat e vërtetë se si funksionon FIFA në prapaskenë.
Duke folur nga Lisbona për The i Paper, ai thekson se ky rast është thjesht një shembull i problemeve serioze dhe sistematike që kanë paralizuar qeverisjen e FIFA-s. Pas reagimeve të forta kundër kësaj praktike, Trump pretendoi se nuk i kishte diktuar Infantinos asgjë për pezullimin e Balogun.
Ai këmbënguli se thjesht kishte kërkuar një rishikim të rastit pasi nuk e konsideronte faull. Edhe pse e pranoi se nuk e dinte mirë se çfarë nënkuptonte një karton i kuq në lojën e futbollit. Nga ana tjetër, Infantino u mbrojt duke thënë se ia kishte bërë të qartë Trump-it se vetëm organet gjyqësore të pavarura të FIFA-s kishin kompetencë që ta anulonin atë pezullim.
Megjithatë, më vonë u zbulua se vendimi ishte marrë në mënyrë arbitrare nga një person i vetëm: kryetari i komisionit të disiplinës në FIFA, Mohammad Al-Kamali. Ai nuk u konsultua me asnjë nga 17 anëtarët e tjerë të komitetit, duke thyer praktikën e ndjekur në mbi 100 raste të mëparshme.
Pasi UEFA, organi qeverisës i futbollit europian, e quajti procedurën dhe vendimin për Balogun “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, kritikët e Infantinos shpresojnë se ky skandal do të sillte rrëzimin e tij në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Por nisur nga përvoja e tij brenda institucionit, Maduro mendon se kjo ka pak gjasa të ndodhë. Ai ka qenë gjithmonë i apasionuar pas futbollit, duke e luajtur atë në nivel amator dhe duke qenë një tifoz i rregullt me abonim vjetor i klubit të njohur portugez, Sporting.
Ai pranoi me entuziazëm të ndihmonte në reformimin e FIFA-s pas dorëheqjes poshtëruese të Sepp Blatter në vitin 2016. Duke u zgjedhur në krye të komitetit të qeverisjes, besonte se do të gjente një aleat te pasardhësi i Blatter-it, pasi Infantino erdhi në pushtet me premtimin për të ndërtuar një epokë të re të bazuar te transparenca.
“Në fillim, Infantino shfaqej shumë i interesuar për t’u pëlqyer njerëzve dhe për t’i joshur ata. Por sapo morëm disa vendime që nuk i pëlqyen aspak, ai ndërpreu çdo komunikim me mua”- kujton Maduro. Ndonëse portugezi dhe komiteti i tij duhej të vepronin me pavarësi të plotë për të garantuar respektimin e kodeve dhe standardeve, ai tregon se presionet e shpeshta e shtynë disa herë të mendonte dorëheqjen.
Kupa u mbush një vit përpara Kupës së Botës 2018, e cila do të mbahej në Rusi. Zëvendëskryeministri i atëhershëm i Rusisë, Vitaly Mutko, synonte të rizgjidhej në këshillin kryesor vendimmarrës të FIFA-s.
Maduro dhe ekipi i tij e bllokuan këtë kandidaturë, pasi ajo shkelte hapur rregullat e neutralitetit politik dhe e ekspozonte organizatën ndaj ndikimit të drejtpërdrejtë të Kremlinit. Sipas Maduros, Infantino ishte i tmerruar se ky vendim do të zemëronte kartelin politik nga i cili varej dhe do të rrezikonte qëndrimin e tij në post nëse nuk do të arrinte ta përmbyste atë vendim.
“Një person që fliste në emër të presidentit u përpoq me çdo kusht të më bindte të ndryshoja qëndrim. Unë iu përgjigja: Ne nuk tërhiqemi. E kuptoj që kjo situatë është politikisht e ndërlikuar për presidentin dhe për FIFA-n, por ne jemi emëruar për të zbatuar rregullat njëlloj për të gjithë.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se pas disa javësh mund të na shkarkoni, por kjo do t'ju kushtojë shtrenjtë në imazh. Dhe ai person m’u përgjigj shkurt: Ke të drejtë, por është thjesht një javë me lajme të këqija në shtyp dhe pastaj gjithçka harrohet...”- tregon Maduro.
Dhe parashikimi i tij doli i saktë. Dy muaj më vonë, Maduros iu komunikua se mandati i tij nuk do të rinovohej - që në terma praktikë nënkuptonte shkarkimin - ndërsa u larguan edhe zyrtarë të tjerë të lartë të etikës.
Maduro thekson se mesazhi i Infantinos ishte i prerë: “Nëse këta njerëz nuk bëjnë siç dua unë, unë i zëvendësoj!”. Edhe pse presidenti nuk i kontrollon zyrtarisht emërimet, ai e bën shumë të qartë se kë dëshiron dhe kë nuk dëshiron në ato pozicione, shpjegon më tej profesori.
Shkarkimi i tij shkaktoi një reagim aq të ashpër, saqë Maduro u thirr për të dëshmuar përpara një komisioni parlamentar në Britaninë e Madhe. Ai u tha deputetëve se FIFA sillej si “një shtet mbi shtetin”, duke vepruar jashtë çdo kuadri ligjor.
Kultura e saj ishte jashtëzakonisht rezistente ndaj llogaridhënies, kontrollit të pavarur, transparencës dhe parandalimit të konfliktit të interesit. Në atë kohë, FIFA i hodhi poshtë këto akuza, duke deklaruar se kishte respektuar gjithmonë vendimet e komiteteve.
Për Maduron, ka qenë thellësisht zhgënjyese të shohë se si Infantino e ka konsoliduar pushtetin e tij gjatë dekadës së fundit. “Ai vendos se kush i merr fitimet dhe si shpërndahen ato mes shoqatave të futbollit dhe aktorëve të ndryshëm në këtë ekosistem, përfshirë këtu edhe presidentët e shoqatave që kanë në dorë votën për rizgjedhjen e tij”- thotë ai.
Rrjedhimisht, komitetet që supozohet të jenë të pavarura, shndërrohen në fund në instrumente që zbatojnë verbërisht vullnetin e presidentit. Ai vë në dukje se Infantino i shmanget me kujdes llogaridhënies përpara medias duke dhënë shumë rrallë intervista.
Dalja e tij në një konferencë shtypi në qershor ishte e para pas tre vitesh heshtjeje. Maduro parashikon gjithashtu se FIFA do t’i anashkalojë rregullat e veta për t’i lejuar Infantinos një mandat të katërt në vitin 2031, me pretekstin se mandati i tij i parë, kur zëvendësoi Blatter-in, nuk ishte një mandat i plotë 4-vjeçar.
Infantino ka deklaruar shpesh se çdo qindarkë e fituar nga shitja e biletave të Kupës së Botës - proces ky i përfshirë nga akuzat për manipulim çmimesh që detyruan tifozët të paguanin shuma marramendëse - rikthehet për zhvillimin e futbollit dhe investohet te shpresat dhe ëndrrat e fëmijëve.
Lidhur me rastin “Balogun”, ai këmbënguli se komitetet e FIFA-s veprojnë me autonomi të plotë dhe se pavarësia e tyre është thelbësore për besueshmërinë dhe integritetin e futbollit.
Megjithatë, ky rast ka rikthyer në qendër të vëmendjes dyshimet e vjetra për korrupsion galopant.
72 anëtarë të Parlamentit Europian kanë mbështetur thirrjen që Infantino t'i nënshtrohet një hetimi etik, ndërsa eurodeputeti irlandez Barry Andreës e quajti FIFA-n një organizatë shumë të korruptuar. Në SHBA, gazetarët kanë nisur të analizojnë historinë e gjatë të abuzimeve në FIFA, duke ngritur pyetjen nëse ky Botëror ka qenë më i korruptuari në histori.
Maduro sjell në vëmendje edhe raste të tjera të ngjashme, siç ishte ndërhyrja e FIFA-s për të shmangur pezullimin e Cristiano Ronaldos në dy ndeshjet e para të Portugalisë në këtë Botëror, megjithëse ai ishte dënuar më parë për sjellje të dhunshme kundër Republikës së Irlandës.
Po ashtu, organizata ndryshoi kriteret e kualifikimit për Kupën e Botës për Klube, vetëm që superylli Lionel Messi të siguronte pjesëmarrjen me skuadrën e tij, Inter Miami. Por, ajo që e revolton më shumë Maduron është mënyra se si FIFA manipuloi rregullat për t'i dhuruar Arabisë Saudite të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2034.
Ai shpjegon se duke projektuar Spanjën dhe Portugalinë si bashkëorganizatore të Botërori 2030 (së bashku me Marokun, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain), FIFA skualifikoi automatikisht Evropën, Afrikën dhe Amerikën e Jugut për edicionin pasardhës, për shkak të rregullit të rrotacionit të kontinenteve.
Kjo manovër la pa asnjë rival konkurrues ofertën e Arabisë Saudite. Në këtë kontekst, Maduro mbështet fushatën Reboot Fifa, të udhëhequr nga grupi i etikës sportive FairSquare, i cili po përgatit një padi kolektive kundër Infantinos pas përfundimit të Kupës së Botës. Megjithatë, ai ka frikë se FIFA ka krijuar një imunitet të plotë ndaj reagimeve publike dhe presioneve politike. Sipas tij, ndryshimi mund të vijë vetëm nëse sponsorët e mëdhenj globalë vendosin të ndërpresin financimet.
“Unë jam tejet skeptik për çfarëdolloj reforme reale Në botën e futbollit ka shumë njerëz që e shohin se ky sistem është kalbur nga brenda, por askush nuk guxon të flasë hapur. Kushdo që flet, izolohet dhe eliminohet profesionalisht”- shprehet ai me keqardhje.
Ai vlerëson guximin e presidentes së Federatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klaveness, e cila ka kritikuar publikisht Infantinon, por shton se ajo mbetet një zë i vetmuar dhe duhet të tregohet shumë e kujdesshme.
Nëse këto skandale vazhdojnë të mbeten të pandëshkuara, Maduro paralajmëron se tifozët do të humbasin besimin dhe do të binden se ndeshjet manipulohen nga arbitra të njëanshëm. Tragjedia më e madhe e këtij sporti, përfundon ai, do të jetë momenti kur njerëzit të mos besojnë më as te vërtetësia e rezultateve në fushën e lojës./Pamfleti nga “The i Paper”
Lini një Përgjigje