TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Korrik 2026, 17:31

Nga salla e VAR-it në histori, FIFA zgjedh “syshqiponjën” nga Nikaragua si asistente në finalen e Botërorit

Shkruar nga Pamfleti
Nga salla e VAR-it në histori, FIFA zgjedh “syshqiponjën”
Arbitrja nga Nikaragua, Tatiana Guzman

FIFA i beson një rol kyç në finalen mes Spanjës dhe Argjentinës. Tatiana Guzman do të jetë asistente VAR në sfidën që do të kurorëzojë kampionen e botës më 19 korrik në "MetLife Stadium", duke hyrë në historinë e futbollit nikaraguaian.

“Syshqiponja” nga Nikaragua do të shkruajë historinë në finalen e Kupës së Botës 2026. Arbitrja 38-vjeçare është caktuar nga FIFA si asistente VAR për ndeshjen mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të zhvillohet më 19 korrik në "MetLife Stadium" në New York.

Emërimi, i konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit të Nikaraguas, përbën një moment historik për vendin e Amerikës Qendrore, pasi Guzman bëhet arbitrja e parë nikaraguaiane që përfshihet në ekipin arbitrues të një finaleje të Botërorit të meshkujve.

Arbitre e FIFA-s që prej vitit 2014, Guzman ka tërhequr vëmendjen gjatë këtij Botërori me disa vendime të rëndësishme nga salla VAR. Në ndeshjen e fazës së 1/16-ave mes Gjermanisë dhe Paraguajit, ajo sinjalizoi një faull ndaj portierit Orlando Xhill në aksionin që solli golin e Xhonatan Tah. Pas rishikimit të pamjeve, goli u anulua, ndërsa vendimi i saj u vlerësua si shembull i reagimit të shpejtë dhe interpretimit të saktë të rregullores, duke i fituar edhe nofkën "Syshqiponja".

Guzman ishte protagoniste edhe në sfidën e 1/8-ave mes Brazilit dhe Norvegjisë. Ajo sinjalizoi arbitrin kryesor për një kontakt në zonë ndaj Mateus Kunja, ndërsa pas rishikimit me VAR u akordua penallti për Brazilin. Megjithatë, Bruno Guimaraesh nuk arriti ta shndërronte në gol.

Përveç Kupës së Botës 2026, Guzman ka qenë pjesë e stafit arbitrues edhe në Kupën e Botës për Klube 2025 dhe në disa turne të rëndësishëm të FIFA-s për moshat. Performancat e saj janë vlerësuar edhe nga shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluixhi Kolina, i cili e ka cilësuar si një nga talentet më premtuese në rolin e asistentes VAR.

tatiana guzman "syshqiponja" nga nikaragua asistentja e var në finalen e botërorit

Lini një Përgjigje