Për herë të parë në historinë e Kampionateve Botërore të Futbollit, Kupa e Botës 2026 do të hapet me tri ceremoni të ndryshme, të organizuara në secilin prej vendeve pritëse.
FIFA ka bërë të ditur se Meksiko Siti, Toronto dhe Los Anxhelos do të mbajnë ceremonitë e tyre hapëse përpara ndeshjeve të para të kombëtareve të vendeve organizatore. Ndeshja inaugurale e turneut do të zhvillohet më 11 qershor në Meksiko Siti.
Stadiumi legjendar “Estadio Azteca” do të jetë skena e sfidës mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Me këtë rast, ai do të hyjë në histori si stadiumi i parë që pret ndeshje në tri edicione të ndryshme të Kupës së Botës, pas organizimit të ndeshjeve edhe në turnet e viteve 1970 dhe 1986.
Një ditë më vonë, më 12 qershor, vëmendja do të zhvendoset në Toronto, ku Kanadaja do të zhvillojë për herë të parë një ndeshje të Kupës së Botës për meshkuj në territorin e saj, përballë Bosnje dhe Hercegovinës. Para takimit është planifikuar një ceremoni e veçantë që do të pasqyrojë kulturën dhe identitetin kanadez.
Ndërkohë, Los Anxhelosi do të presë ceremoninë e tretë hapëse, përpara ndeshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Paraguait. Organizatorët kanë paralajmëruar një spektakël që do të prezantojë traditat dhe kulturën amerikane.
Me këtë format të ri, tre vendet organizatore synojnë të vënë në pah identitetin e tyre kulturor në nisje të një Botërori historik, i cili për herë të parë do të zhvillohet me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.
Lini një Përgjigje