Lëvizja elegante e Albinit, nuk gjeti qarkullim të lirë në botën e egër të diplomacisë, ku territorin do e kontrollojë Qeveria e Kosovës dhe popullsinë e çdo resurs tjetër, Serbia...
Albin Kurti as dorëzon veriun e Kosovës, as dorëzohet i gjallë, as bëhet Oso Kukë, as i fsheh gungat në kokë.
Për ta vrarë nuk e vrasin dot, se pastaj do të rrezikohej koka e gjësë, floriri i Trepçes, e përmasat e ngatërresës nuk do të ishin mbi një apo ca koka, por do bëhej nami i zi, gjysmës së Botës do i bëhej koka gunga-gunga e gropa-gropa. nga gjysma tjetër.
Këtë herë Albini nuk nxori ushtrinë për t’i mbrojtur kokën Kosovës, se trimat nuk erdhën me armë.
E thirrën në oborr, a pret miq Albin?
Albini nxori kokën në “frëngji” të kryeministrisë, i numëroi sa burra janë, se i kishin çuar fjalë se vijmë pesë, dhe sipas traditës, doli i priti.
U futën njëri pas tjetrit Mirosllav Lajçak, Gabriel Escobar, Emanuel Bonne, Jens Plotner dhe Franceso Talo.
-Albin, mos e mbyll derën, presim edhe ambasadorin Jeffrey Hovenier, - foli Escobari.
-Mirë se të vijë edhe ai, se edhe ne kemi rezervat tona për asociacionin, Veriun e Kosovës nuk ja falim Serbisë me asnjë çmim.
Aty u lidh gomari, në Veri.
Miqtë i lexuan Albinit amanetin që ka lënë një i vdekur finlandez, Martti Ahtisaari.
-Për Ahtisaarin, Edi Ramën, Aleksandër Vuçiç, apo draft-statusin franko-gjerman për asociacionin, nuk kemi asgjë për të folur, përveç zbatimit të Kushtetutës, sigurisë dhe të drejtave e lirive të komunitetit serb në Veriun e shtetit tonë.
Lëvizja elegante e Albinit, nuk gjeti qarkullim të lirë në botën e egër të diplomacisë, ku territorin do e kontrollojë Qeveria e Kosovës dhe popullsinë e çdo resurs tjetër, Serbia.
Reflekset e rreptësisë për një marrëveshje që të kënaqet edhe Serbia, nuk e mbushën dot hapësirën e qëllimit kosovar.
Shkëputja nga qëllimi bëhet ose me tradhti, ose me forcë.
Po kur të dyja i ka njëra palë e tjetra nuk merr dot as kthesat drejt pyllit, ku ka vënë kurth Aleksandër Vuçiç, ç’përfundim pritet?!
Priten bisedime.
Po a mund ta mposhtë mendja forcën?
Ende ka dyshime se jo.
Kuvendet për territore e pasuri, gjithmonë kanë ndeshur në ndjeshmëri që nuk ua ndjen fare për drejtësi, shkruhet në librat e historisë.
Nënshkrimi i një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, brenda dhjetorit të këtij viti, pa lexuar edhe rreshtat e skenarit serb, ngjan se nuk mund ta mbyllnin kapitullin e konfliktit, ndaj trimat shkuan edhe në Beograd.
Sfidat nuk janë aq të lehta, sidomos me Albinin që e ka kokën ende me gunga e as dorëzohet as bëhet Oso Kukë.
Kjo pra, është gjendja sot.
Për të larguar retë e ngarkuara me plumba në veri të Kosovës, duhet që Albin Kurti t’i hapë rrugë Aleksandër Vuçiçit.
Për këtë punë të madhe që duhet zgjidhur në zyra të vogla, 5 trima nga SHBA-BE, plus 1 rezervë, kanë rrethuar Albin Kurtin!/Pamfleti
Lini një Përgjigje