TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 6 Qershor 2026, 15:11

A është Mirela Kumbaro, edhe pas 15 kullave që do ndërtojë miku i saj Arben Muçobega në Liqenin e Thatë?

Shkruar nga Pamfleti
A është Mirela Kumbaro, edhe pas 15 kullave që do
Arben Muçobega dhe Mirela Kumbaro /

Ky ndërtues është një nga klientët e preferuar, që deri në vitin 2015, firma e tij “Bega 07” sh.p.k, kishte aktivitet minimal meremetimesh në fshatin “Çlirim” të Fierit, ndërsa pas lidhjes me ministren e “pikave të voçkla”, filloi të merrte shumë leje ndërtimi nga Ksamili në Tiranë...

Edhe 3.1 hektarë kodra të gjelbëruara në Farkë, sipër Liqenit të Thatë të Tiranës, do të betonizohen përmes një kompleksi me 15 kulla, secila me 9 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë, duke zhdukur një nga hapësirat e fundit të gjelbra që kishte mbetur në atë zonë.

Sipas vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, këto kulla do të ndërtohen nga kompania “Bega 07” sh.p.k., në pronësi të tepelenasit Arben Muçobega, i njohur si një ndërtues me lidhje të ngushta interesi me ministren Mirela Kumbaro.

Lidhjet mes Kumbaros dhe Arben Muçobegës, sipas burimeve të ndryshme, janë vendosur në fillim të vitit 2015, përmes prezantimit që i bëri ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Gjirokastër, Sulo Muçobega, familjar i ndërtuesit dhe prej 11 vitesh drejtor rajonal i Formimit Profesional në Gjirokastër.

Deri në vitin 2015, kompania “Bega 07” kishte një aktivitet modest në fushën e meremetimeve dhe fitime minimale në fshatin Çlirim të Fierit, ku ishte krijuar në shtator të vitit 2007.

Por pas lidhjes me ministren e njohur për menaxhimin e çështjeve të tokave dhe zhvillimit turistik, kompania filloi të marrë me shpejtësi leje ndërtimi për hotele, pallate, kulla dhe resorte në Tiranë, Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Ksamil, si dhe të përfitojë troje e prona shtetërore për zhvillime ndërtimore.

Në të gjitha lejet e ndërtimit që Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit i kanë dhënë kompanisë “Bega 07” gjatë viteve 2015-2025, madje shpesh edhe me procedura të përshpejtuara, figurojnë firmat dhe miratimet e Mirela Kumbaros, të shoqëruara me relacionet përkatëse si ministre e Kulturës, Mjedisit dhe Turizmit.

Aq shumë projekte iu miratuan kompanisë së Arben Muçobegës gjatë këtyre viteve, sa që lind një pyetje logjike.

Si mundet që një kompani me qarkullim vjetor të deklaruar nga 1.6 deri në 5 milionë euro dhe me fitime të deklaruara nga 100 mijë deri në 440 mijë euro në vit, të realizojë investime në ndërtime banimi, hotelerie, qendra tregtare dhe resorte me vlerë totale të pretenduar prej qindra milionë eurosh?

Kjo është një çështje që meriton hetim dhe verifikim institucional.

Pyetja që shtrohet natyrshëm është: a qëndron edhe pas projektit të 15 kullave në Farkë ndikimi i ministres Mirela Kumbaro në favor të ndërtuesit Arben Muçobega?

Këtë dyshim e shton edhe fakti që kompania reklamonte fillimin e punimeve për kompleksin “Centaurea” që në maj të vitit 2025, ndërsa lejen zyrtare të ndërtimit e ka marrë në prill të vitit 2026.

Po ashtu, nuk konsiderohet rastësi fakti që kompania “Bega 07” është promovuar vazhdimisht në panairet turistike të organizuara nga Ministria e Turizmit në Shqipëri, Greqi, Gjermani dhe Itali, duke u paraqitur si një nga kompanitë lider në zhvillimet turistike.

Ndërkohë, me leje mjedisore, arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore që janë kundërshtuar nga aktivistë dhe ekspertë të ndryshëm, kompania “Bega 07” mori miratime për zhvillime të mëdha edhe në zona të ndjeshme bregdetare.

Një prej tyre është resorti “The Concave”, i planifikuar në rreth 11 hektarë pranë Gjirit të Porto Palermos, në afërsi të Plazhit të Llamanit, zonë e njohur për vlerat e saj natyrore dhe turistike.

Kjo është arsyeja pse projekti i ri me 15 kulla në Farkë po ngjall interes dhe pikëpyetje të mëdha, jo vetëm për ndikimin urbanistik dhe mjedisor, por edhe për mënyrën se si janë dhënë lejet dhe për lidhjet që qëndrojnë pas tyre./Pamfleti

 

arben muçobega mirela kumbaro liqeni i thatë

Lini një Përgjigje