
Edhe fantazmat e Sali Berishës, Lulzim Bashës e Ilir Metës, që sillen rreth varfërisë, korrupsionit, kilometrave të paligjshëm të ndërtimit, nuk kanë merakun pse vjedhin shumë këta, por pse kanë vjedhur më pak ata...
SPAK, dikujt i ngjan si investim strategjik biznesi, dikujt si Parajsë Fiskale, por asnjë fshatari të anëve tona, si instrument drejtësie.
Që të mos i biem anash e dredha- dredha, asnjëherë drejtësia nuk ka prodhuar drejtësi, por veç pasuri.
Pasuria më e madhe këtej është shpresa. Nëpër degët e saj kacavirren të gjithë. Mjafton t’i presësh degën e pushtetit cilitdo zyrtar shteti dhe ai bie poshtë si majmun.
Degët e korrupsionit nuk i dallon dot nga ngjyra politike. Kjo politikë shtrigë, nuk mund të ndodhte që të mos hajë bijtë e vet. Vangjush Dako, i njohur si Sheiku i Durrësit, aksidentalisht ra nga kati i njëmbëdhjetë i një pallati.
Po si ra Vangjushi, është lajmi?!
Ra dhe nuk u vra! Që nuk e merr Dreqi mallin e vet, kjo dihet, por edhe gjatë rënies Spider Man i Bablokut, e kapi një grusht dollarë. Kot nuk flitet gjithandej, se milionat janë mbledhur në çdo lopatë betoni, në çdo tullë, kudo ku investimet publike nuk u janë trembur as fatkeqësive.
Që nuk përbën ngjarje as SPAK-u që nuk guxon t’i hapë portofolin Vangjushit, por thjeshtë e akuzon për pakujdesi, pra shpërdorim detyre, as heshtja e opozitës që nuk pyet, ku e ka pusin e naftës se gjithë fshati e njeh për sheik, është gjysma e të keqes.
Gjysma tjetër struket tek rituali, sa më hajdut të jesh, më me kujdes të shpërlan mortja. Edhe fantazmat e Sali Berishës, Lulzim Bashës e Ilir Metës, që sillen rreth varfërisë, korrupsionit, kilometrave të paligjshëm të ndërtimit, nuk kanë merakun pse vjedhin shumë këta, por pse kanë vjedhur më pak ata.
Edhe pak hipnozë, fshatarët i zë.
Mozaiku i të shfaqurit perëndimor, përmbushës, përballë përgjegjësive dhe ndëshkimeve edhe si qënie njerëzore, deri sot kanë ngjitur mirë si format në optikën e zhvillimeve për së prapthi.
Mbrapsht nisi edhe hetimi i inceneratorëve.
Altin Dumani paska pasur të drejtë që nisi me Elbasanin e Fierin para Tiranës. Kot nuk ankohen shoferët se pas shkurreve të vogla fshihet polici i madh. Edhe Lali Eri paska qenë maskuar në koshat e mbeturinave në Fier.
Po Vangjushi ku e ka fshehur pasurinë?!
Fshatarët e dinë ku i kanë milionat zyrtarët, por drejtësisë i mungojnë mjetet për të rikthyer vlerën e vjedhur.
Më kuptueshëm, jo vetëm Sheikut të Durrësit që i mungon një leje për tre kate pallati, por çdonjërit krye bashkiak, madje edhe vetë Altin Dumanit i duhet një leje të hapë portofolin e Vangjush Dakos./Pamfleti