TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 3 Qershor 2023, 11:58

Tërbimi i Saliut, qetëson Edi Ramën

Shkruar nga Sokol Pepushaj
Tërbimi i Saliut, qetëson Edi Ramën
Edi Rama dhe Sali berisha

Besnikët e Saliut, kanë shkuar tek Babloku, pasi duart për të mbrojtur kokën janë, apo jo?!

Sali Berishës i është nxehur aq shumë “marmita”, sa lëshon tym të zi poshtë e lart dhe e ka zvogëluar rrezen e pamjes aq sa, askush të mos ja numërojë ato pak dele që i kanë ngelur në kope. Cilido që do fajësonte bagëtitë, prandaj edhe nuk jemi ne ata, do duhej të mos njihte qentë, vetitë dhe simptomat e një përkushtimi që edhe kushtëzohet.

Kështu, as “qentë”, nuk kemi arsye t’i fyejmë për mos besnikëri ndaj të zotit. Këta që ruajnë stanet e partive, sidomos nga amerikanët, “rojet” i zgjodhën trima deri në mizori, të zbutur nga raca e ujqërve, diktatorëve, prej kur u njoh termi i kimisë që vërteton ngjizjen, prejardhjen, ADN-në.

Ju zbutën bishat Saliut, ju çmenden, e tradhtuan, apo shkuan në habitatin e vet?

Ngjau e mundshmja, e pritshmja.

Nga Malësia e Madhe, Shkodra, Vau i Dejës, Lezha, Tropoja e deri në Jug, rojet e Stanit të bylmetit, i bënë sallatë ruse besueshmëritë. Me bisht ndër shalë ikën nga stanet e nxituan për në Saraje që Berisha nuk ka kërçik jo t’u afrohet, por as t’ua përmendë emrin.

Kështu doktorit, delet ju shpërndanë maleve e lëndinave, e fshati endi thashethemet. Njëri i qan hallin se ja helmuan “qentë”, tjetri qeshet e bën be se ja joshën, ndaj nga 61 bashki, mori vetëm 7. Edhe në këtë vlerësim, do ngulnim këmbë se nuk ka të drejtë aq njëri as tjetri. Besnikët e Saliut, kanë shkuar tek Babloku, pasi duart për të mbrojtur kokën janë, apo jo?!

Ky term, fill pas tradhtive, u përdor edhe nga Bibla, “dy duar për një kokë”...

Nëse për Salin është rrudhur aq shumë kuptueshmëria e së vërtetës, kjo nuk pengon askënd, as Bablokun, që të dashurojë diçka të përbuzshme.

Tërbimit apo kënaqësisë që shpërthen nga Ferri i epsheve të pushtetit, edhe pse vetë pranohen si të pa pranueshëm, njeriu i kësaj toke, ende nuk ua ka gjetur ilaçin. Prirjet devijuese do ekzistojnë, sa kohë gjithkush, “dy duar për një kokë” i ka.

Edhe SPAK-u, që e paguajmë për të ruajtur raportet e përbuzshmërive, edhe ambasadorja Yuri Kim që e duam sa herë zemërohet me qeveritarët që vetëm na vjedhin, sa tallet se hajdutët do kenë pasoja, e kanë kryer mirë punën e tyre, duke i lënë non- grata’t në lojën politike dhe duke marrosur edhe fshatarët me pyetjen idiote, more, dini gjë ç’ka Saliu që ka shkalluar?!

Pra, rrumpallë lart e tymnajë poshtë.

Bëjnë sikur, shtiren sikur e vjedhin e mashtrojnë prej vërteti.

Gjithsesi, nuk mund ta mbyllim këtu derën e gjykimit, pa hapur një deriçkë të vogël që na nxjerr në cakmbërritjen e markës sonë origjinale, tërbimi i Saliut, qetëson Edi Ramën./Pamfleti

Lini një Përgjigje