TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 4 Qershor 2025, 15:25

Goditja e katërt, që Sali Berisha i dha Ilir Alimehmetit

Shkruar nga Pamfleti

 

Goditja e katërt, që Sali Berisha i dha Ilir Alimehmetit
Sali Berisha dhe Ilir Alimehmeti /

Ilir Alimehmeti, një tjetër viktimë e skenarëve të Sali Berishës për mbijetesë…

Edhe pse me superlativa publike, Sali Berisha ka ndjekur një skenar të vjetër e të stërprovuar: të lavdërojë për t’i goditur më fort figurat që rrezikojnë fronin e tij. Këtë herë, viktima është Ilir Alimehmeti, një nga personazhet më të pëlqyer nga anëtarësia demokrate dhe një nga të paktët me integritet dhe profil të pavarur.

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Berisha jo vetëm që nuk e afroi Alimehmetin, por e goditi katër herë me metoda që vetëm një autokrat i regjur mund t’i shpikë në mënyrë kaq të qetë dhe të heshtur.

Goditja e parë: Tërheqja nga Tirana me premtim bosh

Në zgjedhjet lokale të vitit 2023, Berisha i kërkoi Alimehmetit të tërhiqej nga gara për Bashkinë e Tiranës, në emër të “unitetit të PD-së”, me premtimin se do të përfshihej në kupolën drejtuese dhe do të bëhej deputet. Sot, të gjitha premtimet rezultuan një mashtrim elektoral.

Goditja e dytë: Jashtë Kryesisë, me vota të kontrolluara

Kur u formua Kryesia e re e PD-së, Berisha futi aty anëtarë të komanduar “ex officio” dhe pjesën tjetër e përzgjodhi përmes një procesi që Edi Paloka e quajti “me vjedhje votash dhe spostime të njëri-tjetrit”. Alimehmeti nuk u përfshi. Jo nga mungesa e mbështetjes, por nga frika që Berisha ka ndaj çdo personaliteti që mund ta rivalizojë.

Goditja e tretë: Jashtë listës së mbyllur

Në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti, ndonëse më i votuari në primaret e Tiranës, u la jashtë listës së mbyllur për deputetë. Në vend të tij, Berisha futi figura të djegura politike dhe transferoi mandate tek aleatë të dobët që s’kishin votuar kurrë për PD-në.

Goditja e katërt: Refuzimi i rinumërimit në Tiranë

Pas rezultatit të zgjedhjeve, Alimehmeti kërkoi rinumërim të votave. Përfaqësuesit e PD-së në KQZ, nën diktatin e Berishës, e refuzuan kërkesën. Arsyeja? Sepse “duhet ta bëjë partia, jo kandidati”. Kur Alimehmeti kërkoi sqarim, Berisha tha publikisht se “partia do e bëjë”, por nuk e bëri kurrë.

Në këtë skemë politike të ripërsëritur, Sali Berisha shfaqet njësoj si në 34 vitet e kaluara: një politikan që për të mbijetuar, sakrifikon çdo figurë me potencial që nuk i përkulet personalisht.

Siç e ka bërë me dhjetëra emra të tjerë në të shkuarën, që nga Eduard Selami te Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Genc Ruli e dhjetëra të tjerë, tani ka ardhur radha e Ilir Alimehmetit.

Ndërkohë që PD po fundoset në një krizë të thellë përfaqësimi, Berisha vazhdon të sundojë jo për të ndërtuar opozitë reale, por për të mos u larguar nga karrigia që vetë e ka mbërthyer me zinxhir./Pamfleti

sali berisha ilir alimehmeti goditja e katërt

Lini një Përgjigje