Këtu i vetmi që nuk e do kullën është Arlind Qori, kurse të gjithë të tjerët duan të fitojnë nga ajo...
Ka që në fillim të javës që po diskutohet krejt çuditshëm për kullën multifunksionale që ka nisur të ndërtohet në qendër të Tiranës.
Bëhet fjalë për kullën 64 katëshe “Tirana Multifunctional Center” prapa Pallatit të Kulturës, themelet e së cilës kanë nisur.
Pas një proteste të partisë së Arlind Qorrit, nga media pranë Edi Ramës, nisi një sulm kundër Sali Berishës, duke e akuzuar se djali i tij Shkëlzeni qëndron prapa investitorëve të Kullës. Çdo shpiket nga një histori, aq sa e kanë kthyer në një çështje që sulmojnë Berishën, për të dëgjuar Rama. Pala e Berishës e ka përgënjështruar pronësinë, por nuk ka guxuar ta kundërshtojë projektin.
Rama e Veliaj e kanë marrë vendimin. Sali Berisha e Ilir Meta, duket se janë sponsorizuar për këtë ditë që të heshtin. Ata që bërtasin më shumë: Mero Baze, Carlo Bollino, apo të tjerë mbështetës të Edi Ramës, duket se kanë një qëllim të përcaktuar.
Duke nxjerrë gogolin Berisha, ata po synojnë që të përfshijnë në ndërtimin e kullës grupin e investitorëve të tipit Lad Kosta i Kullës së Vodafonit, ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili ka humbur të gjitha kontaktet me Edi Ramën prej kohësh.
Që ka një të vërtetë këtu, kjo duket sheshit. E kjo e vërtetë është se Sali Berisha, por edhe Ilir Meta, nuk kanë folur as në mars kur u miratua projekti e as tani kundër ndërtimit të kësaj kulle.
E kjo ndodh, sepse grupi që po e ndërton atë ka qenë një nga financuesit e Foltores që prej fillimit të saj në dhjetorin e vitit 2021. Por Shkëlzen Berisha po përdoret thjesht si një ‘tymuese’ për të tërhequr vëmendjen e vërtetë të skandalit dhe problemeve që ka ngërthyer këtë çështje.
Grupi financiar investues i kësaj kulle nuk ka vetëm këtë projekt të madh në qendër të Tiranës, por edhe të paktën tre të tjera të mëdha. Bëhet fjalë për White Tower te Komuna e Parisit, Tirana Entry 1 dhe dy te kryqëzimi i Casa Italia, si dhe Garden Building në Rrugën e Kavajës, pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit.
Kompania që ka marrë përsipër gjithë këto gjëra, ndërkaq po ndërton edhe parqe voltaike në disa vende të Shqipërisë, duke marrë kontrata të majme nga qeveria për një periudhë të përjetshme. Bën çudi se kjo kompani nuk është ndonjë sipërmarrje që ka një xhiro të madhe financiare apo numër të lartë punonjësish e park mjetesh. Të gjithë këto projekte gjigande nuk i kalojnë shumën e 200 milionë eurove.
Atëherë kush i ka paratë për të ndërtuar kullën?
Njeriu që ka bërë të gjitha negociatat, si me pronarët e truallit, jo vetëm në kullën e Pallatit të Kulturës, por edhe në atë te 21, që e ka projektuar Casamonti, është Gimja i famshëm i redbullit, apo Agim Zeqo.
Në aparencë, pranë Zeqos janë përmendur emrat e Ilir Shtufit dhe Gerian Kukës, ku njëri është edhe aksioneri në mazhorancë të Nova Constructions. E cila sipas të gjitha gjasave ka funksionin e një studio që përdoret nga investitorët e mëdhenj, që zakonisht nuk hyjnë me financat dhe letrat e kompanive të tyre në veprat e mëdha shumëmilionëshe. Arsyeja për këtë është e qartë, si për tërheqjen e kredive të mëdha bankare, ashtu edhe për t’iu shmangur sekuestrimeve të mundshme nga bankat apo organet gjyqësore, por edhe për lehtësira fiskale.
Në Shqipëri ka shumë studio ndërtimore që veprojnë si hinka të investitorëve të mëdhenj në konkurse të mëdha. Administratorët në këtë rast, janë përfaqësues të oligarkëve në kuptimin e plotë të kësaj fjale, të cilët kryejnë si negociatat me pronarët, por edhe me Bablokun.
Në rastin aktual, si për rastin e Kullës te 21 dhe për atë të qendrës së Tiranës, mësohet se pjesa më e madhe e misterit qëndron te shuma e mëdha e parave që qarkullojnë, e ku sipas gjasave bëhet fjalë për grupe të interesuara për pastrimin e parave që vijnë nga trafiqet.
Vetëm taksa për bashkinë e Tiranës për kullën e qendrës shkon 4 milionë euro. Pagesë që do të duhet të kalojë me bankë një më një. E që përbën një kapital të cilin shumë pak subjekte biznesi në Shqipëri e kanë në nivel likuiditeti bankar. Ose kur e kanë, e kanë të ngrirë për efekt të kapitalit në një investim të caktuar. Edhe kompanitë që kanë xhiro marramendëse, përgjithësisht nuk mbajnë në bankë sasi parash që shkojnë në shuma të tilla, pasi qarkullojnë çdo ditë transaksionet për të investuar, sepse kështu fitojnë.
Edi Rama foli sot për herë të parë për këtë çështje, thjesht e vetëm për një gjë; të mbrojë investitorët, duke thënë hapur se jam unë në këtë investim.
Për herë të parë ai thotë për një vepër se “jam i përfshirë totalisht”. Sepse në fakt jo vetëm që është i përfshirë, por edhe ata që janë realisht pronarët e kullës i kanë kërkuar që të dalë e ta mbrojë hapur në rast të një sekuestrimi apo ngrirje asetesh nga SPAK. Kjo është realisht e vërteta, ndërkohë fabula e përfshirjes së Shkëlzen Berishës e babait të tij Saliut është bërë për të hedhur tym, ngaqë është edhe pre e lehtë. Por fakt është se ky grup investitorësh mban afër e paguan për të gjithë në politikë, në mënyrë që ata të mos flasin. E realisht ky është çmimi që po paguan Berisha për mbështetjen që ka marrë nga grupe financiare e mediatike gjatë fushatës së tij të Foltores. Ndaj edhe belbëzon. / Pamfleti
Lini një Përgjigje