
Arrestimet e SPAK nuk kanë bindur aspak BE. Kërkohet luftë më e ashpër ndaj korrupsionit dhe ndryshim i metodikave të hetimit....
Bashkimi Europian nuk ka mbetur aspak i kënaqur me mënyrën se si po ecën Prokuroria e Posaçme. Ndonëse ka pasur disa arrestime, për Brukselin ato nuk janë asgjë me bosët e korrupsionit në krye të shtetit.
Pak ditë më parë u mbyllën takimet e procesit sreeaning mes Shqipërisë dhe BE, proces që shqyrtoi nëse ligjet tona janë apo jo në përputhje me BE. “Pamfleti” ka siguruar raportin dhe BE kërkon të tjera ndërhyrje. Ligjet tona janë pjesërisht në përputhje me Brukselin dhe po ashtu kërkohen rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit.
“Shqipëria duhet të rrisë koherencën e kuadrit ligjor dhe institucional për parandalimin e korrupsionit dhe integritetin e zyrtarëve publikë, i cili është gjithëpërfshirës, por tepër kompleks, veçanërisht për sa i përket zyrtarëve të nivelit të lartë”, thekson raporti.
Aty i është kushtuar një kapitull i gjatë SPAK-ut, ku nuk kanë munguar kritikat. Së pari BE kërkon me urgjencë që të nisë përgjimi dhe monitorimi i prokurorëve. Kur nis reforma u tha se prokurorët duhet të jenë në monitorim, por si duket kjo nuk po ndodh.
“Historiku i hetimeve të suksesshme, aktakuzave dhe dënimeve përfundimtare për korrupsion vazhdon të jetë mjaft i kufizuar, veçanërisht në drejtim të trajtimit të korrupsionit të nivelit të lartë. Disa dënime përfundimtare për akuzat për korrupsion kundër zyrtarëve të lartë janë shqiptar, por deri më tani asnjë dënim nuk u referohet akteve të korrupsionit të klasifikuara si krime të rënda. Ekziston një mospërputhje midis numrit të hetimeve dhe numrit të dënimeve përfundimtare. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë duhet të mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit”, thuhet në raport.
BE ka kërkuar një riorganizimi total të SPAK. Ka kërkuar forcime kapacitetesh, ndryshim në metodikën e hetimeve dhe po ashtu një sjellje më të qartë me median.
“Organizimi i SPAK-ut ka nevojë për konsolidim të mëtejshëm. Duhet të merret në konsideratë ngritja e njësive më të specializuara brenda SPAK-ut, përfshirë BKH-në. Kërkohet bashkëpunim i mëtejshëm midis prokurorëve, hetuesve dhe autoriteteve shtetërore për të trajtuar në mënyrë efektive korrupsionin. SPAK ka nevojë për një sistem modern të menaxhimit të çështjeve dhe mbledhjen elektronike të të dhënave në SPAK, proces i cili aktualisht bëhet manualisht. SPAK duhet të zbatojë një politikë të qartë komunikimi, duke përfshirë ndërveprimet me shtypin. Nevojitet gjithashtu një qasje më proaktive për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë. Ka hapësirë për të rritur cilësinë e hetimeve, duke zgjeruar fushën e hetimeve komplekse, duke siguruar përdorimin e plotë të masave të veçanta hetimore dhe përgatitjen adekuate për gjykime. Përdorimi sistematik i hetimeve financiare dhe konfiskimeve të aseteve janë përmirësuar, megjithatë ato mbeten shumë të kufizuara në fushëveprim. Numri i çështjeve të sjella në gjykatë duhet të rritet më tej”, thekson raporti.
Më tej bëhet e qartë se fokusi kryesor i SPAK duhet të jetë te “mamuthët e korrupsionit” dhe theksohet se do jetë test arrestimi i zyrtarëve të nivelit të lartë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje