Samiti i 16 majit në Tiranë nuk është as nderim për Shqipërinë, as pranimi i ndonjë roli strategjik në Europë. Ai është prova finale e një pazari paraprak: Shqipëria të shndërrohet në një bazë rajonale për deportimin dhe strehimin e refugjatëve të padëshiruar në BE. Dhe Edi Rama është ai që e ka dorëzuar këtë vend, në gjunjë; në emër të investimeve të premtuara dhe mbështjetjes diplomatike.
Qeveria shqiptare, pa asnjë transparencë publike, ka ndërtuar tashmë mekanizmin që e bën të mundur këtë funksion: me Urdhër Nr. 86, datë 7 maj 2025, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i ka deleguar të gjitha kompetencat për emigracionin dhe azilin drejtoreshës Alma Bime. Ajo është emëruar në krye të një autoriteti të posaçëm – Autoriteti për Emigrimin, Kufirin dhe Qendrat e Azilit; një strukturë që po krijohet për të menaxhuar refugjatët që do të sillen nga jashtë.

Në letër, duket si një reformë teknike. Në realitet, është kapitullim politik. Qeveria shqiptare ka rënë dakord që territori i Republikës së Shqipërisë të shërbejë si kamp përqendrimi për të padëshiruarit e Evropës. Refugjatë që nuk i pranon Franca, Britania apo Gjermania, do të sjellen në Shqipëri.
Kjo nuk është hipotezë. Është plan në zbatim. Deklarata e kryeministrit britanik Keir Starmer gjatë vizitës së tij në Tiranë, dhe pohimi i vetë Edi Ramës, se marrëveshja me Italinë do të shërbejë si model për vendet e tjera, e konfirmojnë këtë projekt shumëpalësh. Shqipëria është kthyer në "plan B" të BE-së për krizën migratore, një plan që nuk do të zbatohej kurrë në Kroaci, Slloveni apo Hungari, sepse ato janë pjesë formale e sistemit. Ndërsa Shqipëria, është pjesë për shfrytëzim.
Por marrëveshja nuk ka ndaluar te Italia. Franca dhe Gjermania duket se e kanë dhënë miratimin e tyre. Dhe pas Samitit të Tiranës, nuk do të jetë më sekret që Shqipëria do të ketë kampet e saj në zonat që deri dje quheshin ushtarake, si Gjadri. Madje më shumë: qeveria shqiptare po përgatitet për ndërtimin e zonave të reja pritjeje, sipas burimeve tona nga Ministria e Brendshme.
Edhe struktura që do t’i menaxhojë këto kampe është krijuar paraprakisht, dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit. Dhe drejtoresha Alma Bime, megjithëse kompetencat i ka zyrtarisht që nga 7 maji, ka filluar të veprojë që më 25 prill. Me nxitim. Pa asnjë konsultim me publikun. Pa transparencë në Kuvend.
Edi Rama e ka mohuar në të kaluarën se Shqipëria do të bëhej “kamp për refugjatët e të tjerëve”. E tha me Melonin. E përsëriti me Macronin. Por tani, jo vetëm që e ka pranuar, por po e udhëheq këtë projekt, duke u vetëofruar si “lojtar i rëndësishëm gjeopolitik”. Vetëm se ky "rol" i madh ndërkombëtar ka një çmim të turpshëm kombëtar: shndërrimin e Shqipërisë në parkim politik për krizën e BE-së.
Në këtë skemë, fitorja e zgjedhjeve të 11 majit, e shpallur nga Brukseli e Londra ende pa u certifikuar zyrtarisht, është vetëm shpërblimi diplomatik për marrëveshjen që është firmosur me zë të ulët dhe me kokën poshtë. Rama ka ofruar tokën, autoritetin, infrastrukturën dhe heshtjen. Dhe BE po e shpërblen me lavdërime, përderisa ai pranon të mbajë barrën që askush tjetër në Europë nuk e mban dot.
Ndërkohë, shqiptarëve u shiten premtime për turizëm, zhvillim dhe ndërtim. Por në realitet, kërkohet që Shqipëria të jetë porta e pasme e një Evrope që nuk do të përballet me krizën në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por thjesht të shfajësohet përmes eksportit të përgjegjësisë.
Dhe kështu, Edi Rama po firmos projektin më të madh të braktisjes kombëtare të kohës sonë. Sepse kjo nuk është vetëm një çështje e kampit të Gjadrit. Nuk është vetëm një numër çadrash. Është një projekt që shkërmoq kuptimin e sovranitetit, drejtësisë dhe dinjitetit.
Dhe ndërsa ai do të buzëqeshë në fotot zyrtare me liderët e BE-së në Tiranë, Shqipëria do të jetë vetëm sfondi i një marrëveshjeje ku roli i saj është të mbajë atë që të tjerët e hedhin poshtë./Pamfleti
Lini një Përgjigje