Shqiptarët nuk votuan për Rilindjen, por kundër fantazmës që i ndan prej tre dekadash. Edi Rama fitoi sepse përballë kishte një të shkuar të pakallur...
Votimet e 11 majit nuk ishin zgjedhje. Nuk ishin as shpresë për të reja, as vlerësim për një program qeverisës. Ishin revoltë; votë ndëshkimi, e mbushur me mllefin që vjen nga 30 vite dështim politik. Ishin zë i qartë që tha: "Jo më përçarje, jo më Berishë".
Edi Rama nuk fitoi se kishte qeverisur mirë. Nuk fitoi as se shqiptarët i besuan një mandat tjetër. Ai fitoi sepse përballë kishte një simbol urrejtjeje, një arkitekt të përçarjes kombëtare, një njeri që për dekada i ka prerë shqiptarët me thikë të ndryshkur: Veriu kundër Jugut e Jugu kundër Veriut, të vjetër kundër të rinjve, fanatikë kundër të pavarurve.
Programi i Berishës nuk ishte program. Ishte hakmarrje e ambalazhuar si drejtësi. Një zë që tingëllon ende si gjëmë mbi varre, që i kujton këtij populli jo thjesht një krizë politike, por një luftë civile të vërtetë, me 4000 të vdekur dhe plagë që nuk janë shëruar kurrë.
Nuk mund të kërkosh të vish në pushtet me bilancin e vitit 1997 në kurriz. Nuk mund të shesësh vetveten si viktimë, kur je autori i ndarjes më të madhe kombëtare pas vitit 1990. Populli shqiptar nuk harroi. Dhe kur erdhi dita për të zgjedhur, nuk zgjodhi se kë donte më shumë, por kë urreu më pak.
Edi Rama është i mbuluar me akuza për korrupsion. Ju e dini. Shqipëria e di. Ai vjedh më shumë sesa qeveris. Por në një vend ku njerëzit ende kanë në kujtesë çadrat, tritolat, telefonatat për të rrëmbyer pushtetin, ai duket më pak i rrezikshëm se Berisha.
Dhe ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një njeriu që dikur u pa si udhëheqës: të bëhesh tmerri më i madh i shpresës.
Në JUG, vota ishte masive. Jo për Ramën. Por kundër Berishës. Jugorët nuk kanë më asnjë iluzion se PD e Saliut mund të jetë alternativë. E shohin si një relike të rrezikshme. Një epokë që refuzon të vdesë. Një fantazmë që endet me shpatën e votës dhe mburojën e urrejtjes.
Për faj të Saliut, Shqipëria do të ketë një “mbret” edhe për 4 vjet të tjera. Jo se Rama është mbret. Por sepse kundërshtari i tij është përçarja vetë.
Nëse duam të çlirohemi nga ky cikël i pashpresë, duhet ta pranojmë: e keqja e madhe nuk është vetëm qeveria, është edhe trashëgimia që po mbahet gjallë me makineri propagande dhe egërsi primitive.
Për sa kohë të ketë njerëz që besojnë se Berisha është shpëtimi, Shqipëria do të vazhdojë të ketë një Ramë si mbret mbi gërmadha./Pamfleti
Lini një Përgjigje