Pëllumb Qamo, u përjashtua nga Policia e Shtetit pas zbulimit të 12 ton kanabis në Përmet, ndërsa bashkia nën drejtimin e saj ka kontraktuar kompani me aksionarë të lidhur me grupin kriminal të Talo Çelës dhe persona të dënuar për korrupsion...
Pas Bashkisë së Bulqizës, Pamfleti sot do të ndalet te Bashkia e Përmetit, duke i paraprirë kështu një cikli artikujsh që kanë në fokus pikërisht bashkitë e vogla, ku pushteti lokal ushtrohet si feud personal dhe fondet publike menaxhohen larg syrit të medias kombëtare.
Pas rizgjedhjes në maj 2023, kryetarja e Bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha (Qamo), vijon të drejtojë këtë bashki nën hijen e tenderëve të dyshimtë, emërimeve pa konkurrim dhe lidhjeve të ngushta me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. E njohur në qarqe si “Bejleresha” e Kumbaros, Alma Hoxha konsiderohet si një nga zyrtaret më besnike të saj, duke gëzuar mbështetje të plotë politike për të menaxhuar fondet publike në këtë qark, larg syrit të opozitës dhe mediave kombëtare.
Lidhja mes Alma Hoxhës dhe Mirela Kumbaros nuk është thjesht një lidhje partiake. Ato konsiderohen si figura kyçe të një grupi të ngushtë brenda Partisë Socialiste, ku Kumbaro i ka besuar administrimin e një prej bashkive më të vogla, por me potencial të lartë turistik, pikërisht “Bejlereshës” së saj. Kjo marrëdhënie e ngushtë ka siguruar për Alma Hoxhën një lloj “imuniteti” politik, duke e lejuar atë të veprojë pa u ndëshkuar për shkelje të shumta gjatë mandatit të saj.
Tenderë për kompanitë e krimit
Një prokurim i vitit 2024 nga Bashkia Përmet për furnizim me ushqime për kopshte dhe konvikte, me vlerë rreth 39 milion lekë, u bë objekt polemikash të rënda. Kompania fituese “Gerti 1987” rezultoi të kishte aksionarë me lidhje të drejtpërdrejta me Gentian Sharrën, anëtar i grupit kriminal të Talo Çelës, si dhe me Edlira Naqellarin, një grua e dënuar më parë për korrupsion të lidhur me tendera.
Por ajo që ngriti dyshimet ishte fakti se bashkia kishte listuar vetëm një kopsht me 32 fëmijë, por kishte porositur sasi të mëdha ushqimi, duke krijuar dyshime të forta për kërkesë të fryrë dhe përvetësim të fondeve.
Ndërkohë, një tender prej 54 milion lekë të reja (540 milion lekë të vjetra) për instalimin e ndriçimit rrugor “inteligjent” në Përmet u pretendua se ishte paracaktuar që në fillim për kompani të lidhura me Luan Kaprin, Gëzim Salillarin (Gzimin e Kashtës) dhe Artan Sakon, duke lënë jashtë çdo konkurrence të ndershme.
Shkelje të Kushtetutës dhe largime masive pa vendim gjykate
Alma Hoxha (Qamo) emëroi disa punonjës pa konkurrim të hapur, duke shkelur hapur nenin 107 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe parimin e barazisë në punësim. Në të njëjtën kohë, ajo largoi rreth 120 punonjës nga administrata e mëparshme. Këta punonjës fituan gjyqe për largim të padrejtë, por bashkia, nën drejtimin e saj, dyshohet se nuk ka zbatuar pagesat e vendosura nga gjykata, duke vënë në përdorim të dyshimtë fondet publike.
Lista e tenderëve të dyshimtë vijon:
Një tender prej 363 milion lekësh për kanal vaditës në fshatin Bual iu dha pa garë një konsorciumi të EUROSTIL sh.p.k dhe MELA sh.p.k, kompani që dyshohet se nuk kishin licencat e nevojshme.
Një tender prej 130 milion lekësh për furnizim me karburant iu dha kompanisë Bolv Oil në kushte të dyshimta, pa konkurrencë reale.
Vëllai i përjashtuar nga policia pas depove me 12 ton kanabis
Edhe kryetarja e PS-së për Bashkinë e Përmetit, Alma Qamo (Hoxha), ka një vëlla të dënuar me përjashtim nga radhët e policisë. Bëhet fjalë për Pëllumb Qamon, me detyrë Ndihmës specialist SPZ, në Njësinë Administrative Piskovë, Bashkia Përmet, i cili u përjashtua nga Policia e Shtetit për shkelje të rënda të Rregullores.
Lajmi për Qamon u dha asokohe nga Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, pas një aksioni të madh ku u zbulua një depo rekord me 12 ton kanabis në Përmet. Në njoftimin e policisë së 9 prillit 2017 thuhej se inspektor Pëllumb Qamo, me detyrë Ndihmës specialist SPZ në Njësinë Administrative Piskovë, u përjashtua për shkelje të rënda të Rregullores së Policisë së Shtetit.
Në atë kohë, efektivë të tjerë u akuzuan për favorizim të kultivimit dhe trafikimit të drogës gjatë kohës që kanë qenë në detyrë. Në të njëjtin operacion, u shkarkuan nga detyra Kastriot Ndoj, Shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Përmet, dhe Ermir Gërxhani, Shef i Komisariatit të Policisë, ndërsa për drejtorin e Policisë së Qarkut Gjirokastër, Aranit Arapi, filloi procedimi disiplinor.
“Bejleresha” nën mbrojtjen e Kumbaros
Pavarësisht dosjeve të shumta, tenderëve të dyshimtë dhe shkeljeve të Kushtetutës, Alma Hoxha vijon të mbajë postin e kryetares së Bashkisë së Përmetit, falë mbështetjes së plotë të Mirela Kumbaros. E njohur si “Bejleresha” e saj, ajo ka arritur të sigurojë një autonomi të dyshimtë në menaxhimin e fondeve publike, duke operuar si një “usta” e vogël e pazareve në shërbim të grupit të ngushtë brenda Partisë Socialiste.
Nuk është e vështirë të kuptohet se për çfarë “meritash” të tilla kjo zyrtare mbrohet nga kupola e pushteti, duke u lejuar të shkelë ligjin pa u prekur as nga institucionet e drejtësisë. Ndërsa SPAK heton raste të tjera të korrupsionit në vend, rasti i Përmetit mbetet një shembull tjetër se si pushteti lokal kthehet në feude personale të mbështetura nga politika e lartë.
Lini një Përgjigje