TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë11 Shtator 2025, 08:50

Pse BE po e gjuan Edi Ramën me domate?

Shkruar nga Pamfleti

Pse BE po e gjuan Edi Ramën me domate?

Bllokimi i produkteve, duket një akt politik jo i rastësishëm, por i studiuar, për të ndëshkuar arrogancën e Edi Ramës në lidhje me lehtësinë që po e trajton hyrjen në BE, por  edhe politikave të tij në përgjithësi...

Ka disa ditë rresht që Kroacia dhe Sllovenia, dy shtetet ballkanike të Bashkimit Europian, kanë bllokuar sasi të mëdha prodhimesh bujqësore shqiptare, kryesisht pjeshkë e domate dhe kanë nisur procedurat për t’i asgjësuar.

Më shumë se bllokimi, ka qenë vula e turpit që autoritetet e këtyre vendeve të BE-së i kanë vënë prodhimeve shqiptare; janë të kontaminuara me lëndë të rrezikshme. Përkatësisht me nikel dhe lëndë të tjera të ndaluara për standardet e Bashkimit Europian, si  pesticide të tepërta si acetamiprid, formetanate, flonicamid etj.

Situata u bë edhe më dramatike, pasi nuk ishin vetëm këto dy vende që e morën këtë vendim, por efekti ishte domino edhe për shtete të tjera që bënë të ditur se kishin vendosur të bllokonin eksportin e produkteve bujqësore nga Shqipëria. Një prej të cilave edhe Kosova.

Pse ndodhi kjo?

Vendimi i autoriteteve kroate tringëlloi sistemin alert të Bashkimit Europian, duke aktivizuar në këtë mënyrë zinxhirin e vendimeve të Brukselit.

Edhe pse në dukje, e gjitha kjo ngjan me një seri vendimesh burokratike të enteve kufitare apo inspektuese të vendeve përkatëse që kanë bllokuar prodhimet shqiptare, parë në thellësi, këto akte nuk janë krejt burokratike. Ata tingëllojnë më shumë si vendime politike, zhurmën e të cilave do ta ndjejmë më vonë.

Përkatësisht pas 6 ditësh, kur në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së. Konferencë, ku siç mësohet do të shpërthejë ‘bomba’ e prodhimeve bujqësore, si një mungesë e theksuar nga Shqipëria e plotësimit të standardeve të BE-së.

Ekspertët që e njohin mirë procesin e integrimit, bëjnë të ditur se së paku mund të kemi një stopim “për reflektim dhe diskutim” të çështjeve që kanë ngecur. Por nuk përjashtohet edhe ndalimi me afat apo pa afat i procesit të firmosjes së kapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ngecje që e kanë provuar Serbia, Mali i Zi, por edhe Maqedonia e Veriut.

Nëse do të ndodhë qoftë stopomi a pezullimi, qoftë edhe ndalimi i procesit, atëherë sipas të gjitha gjasave kemi të bëjmë me një prapakthehu.

Përkatësisht me një zbythje të fryrjes politike të Edi Ramës për firmosjen nga ana e tij të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Çështja e kontaminimit të produkteve bujqësore konsiderohet një element thelbësor për vendet e BE, pra është mjaft serioze. Nëse shihet me kujdes, e gjitha nuk duket e rastësishme, nëse kemi parasysh se si Kroacia dhe Sllovenia janë aleate të ngushta të Gjermanisë. Vendi më i rëndësishëm bashkë me Francën për të vendosur politikat e mëdha europiane.

Bllokimi i produkteve, duket një akt politik jo i rastësishëm, por i studiuar, për të ndëshkuar arrogancën e Edi Ramës në lidhje me lehtësinë që po e trajton hyrjen në BE, por edhe politikave të tij në përgjithësi.

Kjo shihet qartë edhe në ndryshimin e mënyrës së sjelljes së Edi Ramës karshi Europës dhe Perëndimit.

Një ditë më parë, gjatë promovimit të librit të Henri Kissingerit në Kryeministri, Rama flirtoi hapur me Kinën. Ndërkohë dje, në një aktivitet OJF, i organizuar nga një i përfolur për ministër në qeverinë e katërt, Edi Rama paralajmëroi europianët se “eksportimi i demokracisë dhe i modelit nuk është gjë e mirë”.

“Eksportimi i modelit tuaj sjell dëm për vendet europiane, edhe për ne”, tha Rama, i cili duket qartë se është nxehur nga domatet e hedhura në fytyrë nga Bashkimi Europian.

I cili, siç ka bërë edhe me Aleksandër Vuçiçin në Serbi, tani po merret me Edi Ramën…/Pamfleti

be domate edi rama

Lini një Përgjigje