Nga akciza te TVSH-ja mbi taksat, analiza financiare tregon kush e fryn realisht çmimin e karburantit...
Kur Edi Rama del para kamerave dhe u kërkon importuesve të naftës të ulin fitimet, ai përpiqet të shesë një gjysmë të vërtetë. Po, tregu duhet monitoruar. Po, abuzimi duhet ndëshkuar. Por jo, problemi kryesor i çmimit të naftës në Shqipëri nuk fillon te fitimi i operatorëve. Fillon te shteti, te taksat dhe te një qeveri që sillet si gjykatës i ashpër me tregun, ndërsa me veten tregohet jashtëzakonisht e butë.
Ministria e Financave ka ngritur task-forcë për monitorimin e tregut të karburanteve dhe ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se marzhi mesatar i fitimit në zinxhir është rreth 8.5%, por njëkohësisht tha se qeveria nuk është e gatshme për të ndërhyrë te taksimi.
Me pak fjalë: biznesi duhet të bëjë sakrificë, shteti jo.
Dhe këtu propaganda nis të çalojë keq, sepse aritmetika nuk gënjen. Në Shqipëri, TVSH-ja është 20%. Mbi gazoilin rëndon akciza 37 lekë për litër dhe taksa e karbonit 3 lekë për litër; në llogaritjet publike mbi çmimin final të karburantit përfshihet edhe taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër.
Kur litri shitet rreth 198-200 lekë, pjesa fiskale i afrohet rreth 100 lekëve për litër. Domethënë, afërsisht gjysma e asaj që lë shqiptari te pompa nuk është naftë, nuk është transport, nuk është as fitim importuesi. Është shtet. Dhe pastaj na kërkohet të besojmë se fajtori kryesor na qenka importuesi.
Le ta shohim pa tym propagande dhe pa mjegull fjalësh:
Këto shifra e rrëzojnë me një goditje teatrin moral të kryeministrit. Sepse nëse shteti merr rreth 100 lekë për litër, ndërsa vetë qeveria flet për një marzh mesatar rreth 8.5%, atëherë problemi nuk është te pjesa më e vogël e tortës. Problemi është te ai që ha gjysmën dhe del pastaj në media si arbitër i virtytit.
Në variantin më të favorshëm për qeverinë, 8.5% e një çmimi 198 lekë përkthehet afërsisht në 16.8 lekë për litër. Pra, shteti merr rreth 100 lekë, ndërsa marzhi mesatar që Rama sulmon publikisht është rreth 17 lekë. Raporti flet vetë: shteti merr rreth gjashtë herë më shumë.
Por hipokrizia më e madhe nis te një pikë që Rama e shmang me kujdes: rritja e çmimit të naftës rrit edhe të ardhurat e qeverisë. Jo nga akciza, sepse ajo është fikse për litër. Jo nga taksa e karbonit, sepse edhe ajo është fikse. Por nga TVSH-ja, e cila rritet bashkë me çmimin. Sa më i lartë çmimi në pompë, aq më shumë lekë TVSH futen në buxhet. Kjo do të thotë se çdo valë shtrenjtimi nuk është vetëm barrë për qytetarin; është edhe bonus fiskal për shtetin. Dhe pikërisht këtu kryeministri hesht.
Nuk del të thotë: “Po, çmimi është rritur dhe, po, shteti po merr më shumë të ardhura nga TVSH-ja, ndaj do t’ua kthejmë qytetarëve një pjesë të kësaj barre.” Jo. Ai zgjedh të qortojë tregun, ndërsa ruan me fanatizëm përfitimin fiskal të qeverisë.
Shembulli është aq i thjeshtë sa bëhet i turpshëm për propagandën.
Nëse litri i naftës shitet 180 lekë, TVSH-ja e përfshirë në çmimin final është rreth 30 lekë. Nëse litri shitet 200 lekë, TVSH-ja bëhet rreth 33.3 lekë. Pra, vetëm nga rritja e çmimit, shteti merr mbi 3 lekë më shumë për litër, pa prodhuar asgjë, pa importuar asgjë, pa rrezikuar asgjë. Qytetari paguan më shtrenjtë për të njëjtin litër, ndërsa qeveria përfiton më shumë nga i njëjti transaksion. Dhe pastaj del kryeministri e flet për “fitimin” e importuesve. Kjo nuk është vetëm tallje; është një tallje me faturë.
Edhe shifrat e vetë Ministrisë së Financave e ushqejnë këtë dyshim legjitim.
Për janar-shkurt 2026, TVSH-ja në import arriti 21.5 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga akciza ishin 10 miliardë lekë, 5.9% më shumë se një vit më parë. Këto të ardhura nuk lidhen vetëm me karburantet, por tregojnë qartë mekanizmin: kur rritet vlera e mallrave të importuara dhe e çmimeve, rritet edhe TVSH-ja që futet në buxhet. Kjo është arsyeja pse pyetja politike që duhet ngritur është e drejtpërdrejtë: nëse rritja e çmimit të naftës po sjell më shumë të ardhura fiskale, pse qeveria nuk pranon të ndajë me qytetarët një pjesë të këtij përfitimi?
Pse nuk flet për ulje të përkohshme barrash, por vetëm për ulje fitimi nga tregu?
Natyrisht, duhet thënë me saktësi: nuk mund të pretendohet automatikisht se çdo lek shtesë nga rritja e çmimit është domosdoshmërisht “i paparashikuar” në buxhet, sepse kjo varet nga supozimet me të cilat është hartuar buxheti. Por mund të thuhet pa frikë se rritja e çmimit prodhon më shumë TVSH për litër dhe, nëse çmimet qëndrojnë mbi parashikimet, qeveria krijon hapësirë shtesë fiskale. Kjo është pikërisht arsyeja pse heshtja e Ramës për këtë pikë është kaq domethënëse. Sepse po ta thoshte, do t’i duhej të pranonte se shteti nuk është vetëm spektator i krizës, por edhe përfitues i saj.
Në këtë histori, qytetari humbet dy herë.
Herën e parë te pompa, kur paguan më shumë për litrin. Herën e dytë në ekonomi, kur rritja e karburantit përkthehet në kosto më të larta transporti, ushqimesh, ndërtimi, bujqësie e shërbimesh. Qeveria, në vend që të zbusë goditjen duke lëshuar diçka nga barrët e veta, zgjedh modelin më komod: i mban të paprekura taksat, numëron TVSH-në që fryhet dhe i drejton gishtin tregut. Kjo nuk është qeverisje e krizës. Është menaxhim i fajit.
Sepse vetëm një qeveri që merr afërsisht gjysmën e çmimit të një litri karburant mund të dalë pastaj me ton moralisti dhe t’u thotë të tjerëve: ulni ju fitimin. Shqip në një fjali: shteti mban pjesën e luanit, por në ekran del si rojtar i interesit publik. Dhe për sa kohë Rama nuk pranon të thotë se do të ndajë me qytetarët rritjen e të ardhurave që sjell shtrenjtimi i naftës, çdo sulm ndaj importuesve mbetet vetëm propagandë me faturë fiskale./Pamfleti
Bravo Kosoves e Maqedonise qe me me pak taksa se ne ja dalin per mrekulli te ruajne cmime te uleta duke filluar nga nafta e cdo gje artikull ushqimore - me cilesore dhe me lire. Kam pershtypjen se pak shqiptare e kuptojne se sa shume na rendon cmimi i nafte ne te gjithe cmimet e tjera e nuk ngelet me leke ne fund te muajit.... Kujt i thua??? Vazhdoni vella ngriji cmimet se ketij populli nuk i ngrihet me. Rinia ka ikur, pleqeria ben te veten - keshtu sundohet pa problem. Populli meriton qeveisjen qe ka -- Pike
Surrati i Rilindjes
Ky moster eshte fatkeqesi kombetare. Ja nje lajm interesant edhe per ju te pamfletit: https://www.thegatewaypundit.com/2026/03/breaking-trump-suspends-100-year-old-law-bid/ E pastaj thone qe eshte i paafte, i cmendur e kane futur ne kurth etj etj. Ky eshte vertete President dhe burre shteti per venditn dhe kombin dhe qytetaret qe e kane votuar. Ndersa ne kemi nje ali babe me mbi 83 hajdute
Nuk është shakaxhiu i financave ,por krimineli,i rilindjes së plehrave që tallet e dhunon gjithë shtetasit e ndershëm të Republikës së Shqipërisë që ka kapur për fyti gjithë Shqipërinë.Ky është me të vërtetë një monstër,por çështja është edhe sa do durojnë shqiptarët nga këta monstra që kanë zaptuar pushtetin politik e ekonomik të vendit...