A i pret gjëma mafiozët, apo do të vazhdojnë të gjëmojnë fatkeqësitë gëmushave plot terr informativ të dosjes së përmasave të Uotergejtit Rama-McGonigal...
Mbi Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, janë drejtuar heshtat e hienave të mafiozëve, nga “bunkerët” e mediave të krimit.
Në frontin tjetër të betejës, rrjetet sociale po çahen nga mbingarkesa e shkarkesave që fekondojnë dyshimet me “pleh” organik, në parcelat e të mbjellave, ku Sekretari i Shtetit amerikan, do të duhet të vendosë tabelën “rrezik vdekjeje”, ose për demokracinë, ose për mafien.
Mafia llamburit kudo, edhe në lajm.
Ka ndezur llambushkat e Alexander Soros, sikur ai mbron shokët dhe i bën shoshë ata që guxojnë të gërvishtin cipën e 4 Klaneve Mafioze, duke u “shkelur këmbën”, ende pa ulur këmbët në tokën tonë, dy strofave që do të recitohen dyst, tek Babloku dhe Altin Dumani.
Dyzimi njësohet në gjëegjëzën, i pret gjëma mafiozët, apo do të vazhdojnë të gjëmojnë fatkeqësitë gëmushave plot terr informativ të dosjes së përmasave të Uotergejtit Rama-McGonigal.
Edhe vizitën e Sekretarit të Shtetit, e botuam 4 orë e ca minuta para se jo vetëm Babloku që është “objekt krimi”, por edhe ambasada amerikane të arrinte të merrte konfirmim nga Shtëpia e Bardhë, çka guxojmë të mbushim me shpresë shqiptarët, se mund të kemi, jo vetëm shumë tym e flakë mbi mafien qeveritare, por edhe cunam të paparë.
Arsyeja është fortë, diamant.
Kudo që Edi Rama ka deklaruar botërisht, si sheik vagabond, se ka bërë fresk me hijen e tij, kudo ka futur paranë, normalisht besimi është për tokë, për faqe të zezë.
Pra, bubullimat fatzeza, tingëllojnë si zile për zgjim.
Shqiptarët, që me zor bëjnë hije mbi tokën e tyre, pasi janë rrjepur e bërë skelet nga qeveritarët prej 33 vitesh, i kanë sytë dac e veshët pipëz, por nuk piprrohen dot në lartësinë ku bëjnë pallë demonët e Olimpit.
Atje lart, Sulltani i Surrelit, nuk shihet si kryeministër, por si shitblerësi hije i Cherles McGonigal.
As Altin Dumani nuk është prokurori që lëshon shigjetat e ligjit mbi mafien, por hija e Bablokut ku mrizojnë hajdutët e mëdhenj.
Të dy hijeve, fshatarët u janë larguar prej kohësh, pasi me heshtat e pushtetit shpojnë këdo ofrohet për të shifruar shifrat në shinik të pasurive.
Edhe vetë kreu i SPAK-ut, nuk ja çel kapakun enës së vet, ku fsheh nga sytë e fshatarëve, një apartament dhuratë, nga një organizatë fetare, me dyshime të forta në pastrimin e parave të krimit.
Takati për të luftuar mafien, duke u sjellë edhe rreth tekave të krye hajdutit të fshatit, tek e fundit, nuk vlerësohet si mundësi e mirëbesueshme, prandaj fshatarët që nuk kanë ç’të humbin më shumë, kanë arsye të presin më shumë nga ato objektivat anti mafie, që vetë Amerika ka deklaruar se nuk do i lërë në mes.
Kështu që, edhe vizitën e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, fshatarët e shohin si të “rrezikuar” në Shqipëri, jo vetëm pse i njohin me emër e mbiemër 4 Klanet Mafioze, por edhe për faktin, se në zgjedhjet e nëntorit në Amerikë, ka pritshmëri për ndryshime epokale, që ngjan idiotësi të dyshohet, se mund t’i minojnë Edi Rama me para nga taksat e shqiptarëve.
Që ta mbyllim këtë shkrim me të qeshur, “një herë ja ka parë dhia deles”, themi ne këtej.
Falënderojmë fshatarët e Amerikës, që na e morën perlën nga folklori dhe e vunë në Uotergejtin e tyre të dytë, “një herë e bleu Edi Rama shefin e FBI-së”, çka na jep diçiturën, askush nuk është mbi ligjin, herët apo vonë, hajdutët do të ulen në gjunjë përballë drejtësisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje