Dosja e zezë 2 Mars 2023, 10:48

Vulën e PD-së nuk e do asnjë...

Shkruar nga Pamfleti

Vulën e PD-së nuk e do asnjë...

(As Sali Berisha, as Ilir Meta, madje as Enkelejd Alibeaj nuk e do vulën e PD-së...)

Vendimin e Gjykatës së Apelit më 3 mars 2023 për çështjen e përkatësisë së vulës, flamurit dhe simboleve të Partisë Demokratike, sigurisht që Sali Berisha e do që të jetë në favor të tij dhe, favori i tij është që, ato që kërkon, të mos i kthehen atij. Me pak fjalë, Sali Berishës i intereson që ato t'i mbeten Enkelejd Alibeajt. Kjo do të plotësonte dëshirën e fshehtë të tij për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore më 14 maj.

Sali Berisha është fort mirë në dijeni për rezultatet e dobëta që parashikojnë sondazhet dhe, për këtë arsye, ai nuk e dëshiron normalitetin e garës së zgjedhjeve.

Sali Berishës i intereson të mashtrojë elektoratin e pakët të tij me shpresën e ardhjes në pushtet vetëm nëpërmjet një "revolucioni". Në rast të kundërt, d.m.th., duke pasur vulën, flamurin e siglën e PD-së, ai nuk do të kishte më asnjë alibi për të justifikuar mosregjistrimin e komisionerëve dhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

Sali Berisha nuk do as vulë e as sigël PD-je. Sa për flamur, i del e i mjafton  Flamur Noka...

Vendimi, që vula të mos i kthehet Sali Berishës dhe grupimit të tij të ashtuquajtur "Foltore", për arsyet që përmendëm më sipër (plus edhe për një arsye tjetër) do t'i interesonte edhe liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Vetëm Edi Rama është i interesuar që vula t'i kalojë Sali Berishës, sepse i intereson që, bashkë me kufomën politike të tij, të varroset edhe vula e opozitës. Më tepër se kushdo, Edi Rama nuk e dëshiron asgjësimin e "Non grata"-s edhe de jure, sepse kjo do të shpejtonte mundësinë e krijimit të një opozite reale, ç'ka, së bashku me SPAK-un, do të ngjallte shpresë për t'i prerë udhën korrupsionit galopant të bashkiakëve e ministrave të Partisë Socialiste…

Madje, madje, vulën e PD-së nuk e do as Alibeaj vetë. Duke shkuar në zgjedhjet e 14 majit me vulën e simbolet e PD-së, në përfundim të tyre, ai do ta ketë më të vështirë të gjejë ndonjë justifikim për humbjen e sigurt të partisë së drejtuar prej tij.

 Prandaj, lëre se ç'thonë!  Vulën e PD-së nuk e do më asnjë, as Sali Berisha, as Ilir Meta, madje, siç e shpjeguam, as Enkelejd Alibeaj.

Kjo ditë erdhi dhe këtë e solli Sali Berisha. Prandaj thirrja e sinqertë e atyre që kërkon t'i shkojnë pas atij dhe Ilir Metës më 3 mars te Gjykata e Apelit do të ishte vetëm një: "Nuk e duam vulën!"/Pamfleti

vula e pd sali berisha ilir meta enkelejd alibeaj