TAGS-AT E JAVËS

Editorial25 Shkurt 2026, 13:14

A është demokracia liberale në grahmat e fundit?

Shkruar nga Gjergj Zefi

A është demokracia liberale në grahmat e fundit?

Nga Victor Orban te Edi Rama: A po përhapet modeli i ‘demokracisë së shtrembëruar’ në Europën Juglindore?

Europa po përballet me një fenomen që nuk është më periferi ideologjike, por qendër debati: modeli politik i ndërtuar nga Viktor Orban në Hungari. Një model që vetë ai e ka quajtur “demokraci iliberale”; një formulë që, në thelb, ruan zgjedhjet si mekanizëm legjitimiteti, por zbeh balancat institucionale, pavarësinë e medias dhe kontrollin mbi pushtetin.

Editorialet e fundit në mediat prestigjoze evropiane flasin për një deformim të demokracisë, një shtrembërim gradual të modelit liberal europian që po zëvendëson balancën institucionale me pushtet të përqendruar. Termi nuk është i ekzagjeruar. Kur pushteti ekzekutiv konsolidon kontrollin mbi drejtësinë, kur media publike kthehet në zë të qeverisë dhe kur retorika kombëtare shndërrohet në instrument për të delegjitimuar kundërshtarin, kemi të bëjmë me një deformim gradual të modelit liberal europian.

Orban nuk është më një përjashtim folklorik në skenën e BE-së. Ai është kthyer në referencë për një pjesë të së djathtës kontinentale që sheh në sovranizëm, kufizim të emigracionit dhe centralizim vendimmarrjeje një alternativë ndaj liberalizmit tradicional.

Qëndrimi i tij ambivalent ndaj Rusisë dhe skepticizmi ndaj sanksioneve kundër Moskës pas agresionit në Ukrainë e kanë vendosur shpesh Budapestin në përplasje me Brukselin. Por, njëkohësisht, kanë rritur profilin e tij si figurë “kundër rrymës”.

Pyetja thelbësore nuk është nëse Orbán ka të drejtë apo jo në disa politika specifike.

Pyetja është: çfarë ndodh me demokracinë kur modeli i “liderit të fortë” bëhet aspiratë rajonale?

Kur kontrolli institucional shihet si pengesë dhe jo si garanci?

Nëse modeli i ndërtuar nga Viktor Orban në Hungari përfaqëson një deformim të demokracisë liberale brenda Bashkimit Europian, pyetja që shtrohet për rajonin tonë është më e ndjeshme: a po shfaqen elementë të ngjashëm në vende aspirante? Kritika të përsëritura nga media dhe organizata ndërkombëtare kanë vënë në dukje se qeverisja e Edi Rama karakterizohet nga një përqendrim i fortë i vendimmarrjes në ekzekutiv, dominim i narrativës publike dhe tensione të vazhdueshme me institucionet e pavarura. Edhe pse Shqipëria mbetet formalisht e angazhuar në kursin euro-atlantik, perceptimi për kontroll të zgjeruar politik mbi administratën dhe median ushqen debatin nëse Tirana po huazon elementë të modelit “lider-qendror” që Orban e ka institucionalizuar në Budapest. Diferenca thelbësore qëndron në faktin se Hungaria është brenda BE-së dhe sfidon nga brenda, ndërsa Shqipëria është ende në proces integrimi; por në të dy rastet, dilema është e njëjtë: a forcohet shteti duke dobësuar balancat, apo dobësohet demokracia në emër të stabilitetit?

Në këtë klimë, debati mbi “demokracinë iliberale” nuk është filozofik. Ai është gjeopolitik. Një Bashkim Europian i fragmentuar politikisht dhe ideologjikisht është më pak i aftë të përballet me presionet nga Lindja, me sfidat energjetike apo me konkurrencën globale. Dhe kur uniteti zëvendësohet nga veto të brendshme, politika e jashtme e përbashkët dobësohet.

Orbanizmi është simptomë e një krize më të gjerë: lodhje nga elitat tradicionale, frikë nga globalizimi, pasiguri ekonomike. Por zgjidhja nuk mund të jetë reduktimi i lirisë në emër të rendit. Historia europiane ka treguar se kur demokracia fillon të “përdridhet”, rrallëherë rikthehet e paprekur.

Për Shqipërinë, orientimi euro-atlantik mbetet busull strategjike. Por integrimi në BE nuk duhet parë vetëm si projekt ekonomik. Ai është mbi të gjitha projekt institucional. Nëse Europa ndryshon natyrë, edhe projekti ynë europian do të marrë një trajtë tjetër.

Në fund, beteja nuk është mes së majtës dhe së djathtës. Është mes demokracisë liberale me kontroll dhe balancë, dhe një modeli ku shumica shndërrohet në pushtet pothuajse të pakufizuar. Dhe kjo është një dilemë që do të përcaktojë dekadën e ardhshme europiane./Pamfleti

 

demokracia liberale grahmat e fundit

Lini një Përgjigje

Editorial