TAGS-AT E JAVËS

Editorial22 Mars 2026, 16:08

A është Trump në qorrsokak me Iranin

Shkruar nga Gjergj Zefi
A është Trump në qorrsokak me Iranin
Donald Trump /

Presidenti amerikan hyri në logjikën e përshkallëzimit, por dalja pa kosto politike dhe ushtarake po bëhet gjithnjë e më e vështirë...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ndodhet sot përballë një paradoksi që historia amerikane e njeh mirë, por që çdo administratë sillet sikur e zbulon për herë të parë: Amerika mund ta hapë një front me shpejtësi tronditëse, por nuk e mbyll dot me të njëjtën lehtësi.

Në rastin e Iranit, Donald Trump po përballet pikërisht me këtë kurth klasik të fuqisë së madhe: demonstroi forcë, aktivizoi logjikën e presionit maksimal, por tani po zbulon se përshkallëzimi ka një ligj të vetin dhe se dalja pa kosto nuk varet më vetëm nga vullneti i tij.

Sot konflikti ka hyrë në javën e katërt, retorika është ashpërsuar dhe kërcënimet reciproke janë zhvendosur drejt infrastrukturës energjetike dhe Ngushticës së Hormuzit, një nerv jetik për ekonominë botërore.

Kjo është pika ku mbaron propaganda dhe nis gjeopolitika e ftohtë. Trump mund t’i flasë elektoratit të tij me gjuhën e triumfit, mund t’i paraqesë goditjet si provë të vendosmërisë amerikane, madje mund të pretendojë se objektivat ushtarake janë arritur pothuajse. Por një president nuk gjykohet nga mënyra se si hyn në krizë; gjykohet nga mënyra se si del prej saj.

Dhe pikërisht këtu qëndron dobësia e momentit aktual: administrata amerikane ka dërguar sinjale të paqarta, duke folur njëherazi për zbutje të angazhimit, për lehtësime të kufizuara në tregun e naftës, por edhe për shtim të forcave dhe kërcënime të reja kundër Iranit. Kjo nuk është strategji; është përpjekje për të fituar kohë në një krizë që po e dikton ritmin vetë.

Në planin diplomatik, problemi më i madh për Trump nuk është vetëm Irani. Problemi është se një fuqi globale nuk mundet të njëkohësisht të reflektojë frikë, bindje dhe barrë të kufizuar.

SHBA-ja dëshiron të ruajë autoritetin e saj si garant i rendit, por pa e paguar koston e plotë të këtij roli. Ky është thelbi i krizës aktuale.

Kur Uashingtoni kërcënon Teheranin që të hapë Hormuzin brenda 48 orësh, ndërkohë që aleatët perëndimorë dhe G7 flasin për mbrojtjen e furnizimeve globale dhe sigurinë detare, bëhet e qartë se Amerika nuk po menaxhon vetëm një konflikt rajonal, por edhe frikën e sistemit ndërkombëtar nga një shok energjetik me pasoja të tmerrshme.

Pikërisht për këtë arsye, Trump është në qorrsokak.

Nëse përshkallëzon më tej, rrezikon të hyjë në një konflikt më të thellë, me kosto politike, ushtarake dhe ekonomike që mund të godasin jo vetëm Lindjen e Mesme, por edhe vetë konsumatorin amerikan përmes naftës dhe inflacionit.

Nëse tërhiqet pa një rezultat të dukshëm, rrezikon të perceptohet si lider që kërcënon, por tërhiqet kur kriza kërkon koherencë strategjike. Dhe nëse zgjedh rrugën e ndërmjetme, presion maksimal, pa luftë totale dhe pa marrëveshje reale, ai vetëm sa e zgjat një konflikt të paqëndrueshëm, duke e kthyer Shtëpinë e Bardhë në administratore të përkohshme të kaosit. Analistët kanë raportuar se tregjet e energjisë tashmë po reagojnë me shqetësim të madh dhe se kjo po shndërrohet në një barrë politike për Trumpin në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.

Në këtë tablo, Irani nuk është thjesht kundërshtari. Është edhe pasqyra ku ekspozohet kufiri i fuqisë amerikane. Teherani e di se nuk mund ta mposhtë SHBA-në në kuptimin klasik ushtarak. Por e di gjithashtu se mund t’ia rrisë koston, mund ta turbullojë rajonin, mund ta bëjë Hormuzin instrument presioni dhe mund t’i godasë aleatët e Uashingtonit atje ku dhemb më shumë: te energjia, tregtia dhe siguria e perceptuar.

Kërcënimet e Iranit për mbyllje të plotë të Hormuzit në rast goditjesh amerikane ndaj infrastrukturës energjetike, si edhe zgjerimi i rrezikut ndaj infrastrukturës së vendeve që strehojnë baza amerikane, tregojnë se Teherani po luan jo për fitore ushtarake, por për konsum strategjik të kundërshtarit.

Kjo situatë e bën edhe më të qartë një të vërtetë që diplomacia serioze nuk duhet ta fshehë me eufemizma: fuqia pa projekt politik është vetëm një kaos.

Bombardimi mund të shkatërrojë objektiva; por nuk ndërton dot rend.

Kërcënimi mund të imponojë frikë të përkohshme; por nuk prodhon dot stabilitet afatgjatë.

Dhe një president që hyn në krizë pa një arkitekturë të qartë daljeje, rrezikon të mbetet peng i imazhit të vet. Kjo është drama e vërtetë e Trumpit në këtë moment: ai nuk mund të duket i dobët, por çdo përpjekje për të mos u dukur i dobët mund ta fusë më thellë në krizë./Pamfleti

trump qorrsokak irani

2 Komente

  1. B
    Bajram Noka

    A është Presidenti Trump në qorrsokak me Iranin?????Portal provokator.Nxhitës??????????Kujt i shërben??????

    1. T
      Tony

      Po mire c'u duhet qe beni artikuj acarues per Perandorine!? Bota nuk ndihet sa e si ne Shqiptaret por rrine syhapur e vezhgojne. Ne barinjte e malit terr e verr bejme pa e mbushur zorren mire. Mire nje individ mund te jape opinione personale por mos shkoni me lart se nuk e gdhendim boten ne.

      Lini një Përgjigje

      Editorial