Ali Larijani ishte pjesë e zemrës së regjimit iranian, por edhe një nga të paktët që mund të mbante hapur një kanal real komunikimi; largimi i tij mund ta bëjë krizën jo më të vogël, por më të pakontrollueshme...
Vrasja e Ali Larijanit nuk është thjesht eliminimi i një armiku. Është diçka më e rëndë dhe më e rrezikshme: është zhdukja e një prej të paktëve njerëz brenda regjimit iranian me të cilin ende mund të flitej, negociohej, shtyhej një kompromis dhe mbahej hapur një derë, sado e ngushtë, për diplomacinë.
Në një kohë kur Lindja e Mesme është ndezur si rrallëherë dhe kur çdo vendim i marrë në nerva mund të prodhojë valë tronditëse përtej rajonit, goditja ndaj një figure si Larijani nuk është shenjë force strategjike. Është akti i atij që mendon se mund ta shkatërrojë krejt kundërshtarin pa kuptuar se po shkatërron edhe pikën e fundit të kontaktit me të.
Ali Larijani nuk ishte paqedashës, as reformator, as njeri i butë. Ai ishte produkt i pastër i Republikës Islamike, një nga arkitektët e saj dhe një figurë e lidhur ngushtë me aparatin e sigurisë, me shtypjen e brendshme dhe me vijën e fortë të regjimit.
Reuters dhe AP e përshkruajnë si një nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit, me ndikim në çështjet bërthamore, në sigurinë kombëtare dhe në menaxhimin e krizave të shtetit iranian.
Pikërisht për këtë arsye ai kishte peshë. Sepse në regjime të tilla nuk negociohet me poetë, as me figura dekorative, por me ata që mbajnë çelësat e kasafortës së pushtetit.
Dhe këtu qëndron ironia fatale e këtij momenti. Ata që menduan se duke vrarë Larijanin po i jepnin goditje zemrës së regjimit, mund të kenë goditur edhe nervin e fundit përmes të cilit mund të kalonte një zgjidhje politike.
The Guardian shkruan se ai ishte ndoshta humbje edhe më e rëndë sesa vetë Khamenei në kuptimin operacional, sepse ishte një figurë që lidhte konservatorët, pragmatistët, aparatin ushtarak dhe diplomatët. Kur bie një figurë e tillë, regjimi bëhet më nervoz, më i fragmentuar, më pak i parashikueshëm dhe më i prirur t’i zëvendësojë kalkulimet me instinktin e mbijetesës.
Kjo është arsyeja pse vrasja e tij mund të rezultojë një fitore taktike dhe një humbje strategjike. Sepse po, mund të hiqet nga loja një figurë kyçe e regjimit. Mund të dobësohet zinxhiri i komandës. Mund të tronditet elita e Teheranit. Por njëkohësisht zhduket edhe njeriu që dinte si flitet me botën pa e çuar sistemin në kaos. Në vend të tij, zakonisht nuk dalin moderatët. Dalin më të ashpërit, më paranojakët, më impulsivët, më pak politikë dhe më shumë ushtarakë. Dhe kur një regjim hyn në atë fazë, rreziku nuk zvogëlohet. Përkundrazi, rritet.
Reuters vëren se vdekja e Larijanit simbolizon zbehjen e elitës tradicionale politike dhe forcimin relativ të bërthamës ushtarake në Iran.
Në këtë kuptim, eliminimi i Larijanit është si të presësh degën ku je ulur vetë. Sepse nëse objektivi i vërtetë është shmangia e një lufte më të gjerë, frenimi i një përplasjeje rajonale dhe mbajtja e hapur e një kanali minimal racionaliteti me Teheranin, atëherë ti nuk vret njeriun që kishte peshë të bisedonte në emër të sistemit. Mund ta urresh, mund ta luftosh, mund ta sanksionosh, mund ta izolosh, por në fund diplomacia nuk ndërtohet me miq. Ndërtohet me armiq që kanë ende autoritet të japin një përgjigje me vlerë.
Problemi më i madh është se ky lloj veprimi lind nga një iluzion shumë i rrezikshëm: bindja se sa më shumë të eliminosh figurat e forta të kundërshtarit, aq më afër paqes je. Historia zakonisht tregon të kundërtën. Kur vriten figurat që kuptojnë ekuilibrin e forcës, hapësira mbushet nga figurat që kuptojnë vetëm gjuhën e hakmarrjes. Dhe në Lindjen e Mesme, ku çdo vrasje e madhe prodhon një varg llogarish të hapura, kjo do të thotë se pas çdo goditjeje “dekapituese” mund të vijë jo mbyllja e krizës, por hyrja në një fazë edhe më të errët të saj.
Për këtë arsye, vrasja e Ali Larijanit duhet lexuar jo vetëm si goditje ndaj Iranit, por si goditje ndaj vetë mundësisë së fundit për një dalje politike nga spiralja e përshkallëzimit. Të heqësh nga tavolina njeriun e fundit që mund të fliste, do të thotë ta lësh tavolinën në dorë të atyre që duan vetëm ta përmbysin. Dhe kjo nuk është zgjuarsi. Është mendjemadhësi strategjike e veshur si triumf./Pamfleti
Lini një Përgjigje