Nga Gjiri Persik te tregjet globale, rendi ndërkombëtar po rrëshqet drejt një epoke ku frika vlen më shumë se ligji dhe forca po e zëvendëson arsyen…
Bota nuk po shkon thjesht drejt një krize tjetër. Po shkon drejt një gjendjeje ku kriza po kthehet në mënyrë qeverisjeje, ndërsa lufta në instrumentin e vetëm të politikës.
Zhvillimet e fundit në Gjirin Persik e bëjnë këtë të dukshme: goditja ndaj South Pars, sulmet pasuese ndaj infrastrukturës energjetike në Katar dhe Arabinë Saudite, si edhe rritja e menjëhershme e çmimit të naftës, tregojnë se konflikti nuk është më vetëm ushtarak; ai po hyn në arteriet ekonomike të rendit botëror.
Kjo është arsyeja pse pyetja “Ku po shkon kjo botë?” nuk është retorike.
Është pyetje thelbësore për një epokë që ka filluar të humbasë sensin e kufirit mes forcës dhe arsyes.
Kur shtetet nuk mjaftohen më duke goditur ushtrinë e kundërshtarit, por prekin terminale gazi, rafineri, porte dhe korridore strategjike, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një konflikt rajonal. Kemi të bëjmë me një paralajmërim global.
Ras Laffan në Katar është nyje kritike për furnizimin botëror me gaz të lëngshëm, dhe dëmtimi i tij ka shtyrë tregjet ndërkombëtare në alarm.
Në planin diplomatik, drama është edhe më e rëndë sesa vetë shpërthimet.
Sepse ajo që po shembet nuk janë vetëm objekte fizike, por një iluzion i tërë: iluzioni se pas viteve të marrëveshjeve, afrimeve të kujdesshme dhe diplomacisë së ndërmjetësuar, Gjiri kishte hyrë në një fazë më të qëndrueshme. Deklarata e ministrit të Jashtëm saudit se “besimi” me Iranin është zhdukur, është në vetvete një tregues se rajoni po kthehet te logjika e frikës, jo te ajo e mirëbesimit. Kur diplomacia flet, por askush nuk i beson më fjalës, atëherë rendi po shembet.
Më shqetësues se vetë lufta është normalizimi i saj. Bota moderne po bëhet çuditërisht tolerante ndaj përshkallëzimit. Goditjet shihen, dënohen për disa orë, dhe më pas përthithen si pjesë e “realitetit të ri”. Kjo është një lodhje morale që nuk pranon më tragjedinë si tragjedi, por si rutinë informative.
Sot, në shumë kryeqytete, pyetja e parë nuk është sa jetë njerëzish rrezikohen, por sa do të lëvizë tregu i energjisë nesër në mëngjes. Fakti që Brent kaloi mbi 119 dollarë për fuçi pas sulmeve e shpalos qartë këtë hierarki cinike të shqetësimeve.
Kjo botë po shkon drejt një rendi ku interesi po e mund ligjin, ndërsa fuqia po e zëvendëson gjithnjë e më hapur parimin.
Amerika kërcënon me përgjigje shkatërruese nëse preken aleatët e saj; shtetet e rajonit paralajmërojnë hakmarrje; tregjet dridhen; diplomacia vrapon pas ngjarjeve, por nuk i paraprin dot më atyre. Edhe deklaratat e Donald Trump, që pranojnë goditjen ndaj South Pars dhe paralajmërojnë pasoja të mëtejshme nëse Irani sulmon sërish Katarin, flasin për një arkitekturë sigurie që nuk menaxhohet më nga rregullat, por me ultimatume.
Në këtë kuptim, kriza e sotme nuk është vetëm krizë e Lindjes së Mesme. Është krizë e vetë mendësisë ndërkombëtare. Për vite me radhë u fol për një botë shumëpolare, për ekuilibra të rinj, për diplomaci pragmatike. Por ajo që po shohim është diçka më e zymtë: shumë qendra force, por pak qendra përgjegjësie. Shumë aktorë që mund të ndezin fitilin, dhe pothuajse asnjë që ka autoritet moral ta shuajë atë.
Prandaj, pyetja nuk është vetëm se ku po shkon kjo botë. Pyetja është edhe më e ashpër: kush po e drejton atë, dhe me çfarë vizioni? Sepse një botë ku energjia kthehet në objektiv lufte, ku ngushticat detare shndërrohen në mjete shantazhi, dhe ku marrëdhëniet ndërmjet shteteve maten me kapacitetin për dëmtim reciprok, nuk po ecën drejt rendit.
Po ecën drejt një pasigurie të sofistikuar, ku teknologjia është moderne, por instinkti politik mesjetar./Pamfleti
Parimi baze i “Materializmi Dialektik”: CDO VEPRIM KA KUNDERVEPRIM. Ne se Serbia sulmon Kosoven( per te cilen po pergatitet),c’fare duhet te beje qeveria dhe populli i saj? Pyetje hipotetike eahh!? A do t’i nenshtrohet Serbise, apo do te kunderpergjigjet?? PERGJIGJE….!!??