Meqë na kanë humbur shumë gjëra, meqë kemi një çantë misterioze me taksat tona në Washington, fshatarët kanë një kërkesë logjike, brenda kontureve të diplomacisë dhe logjikës njerëzore, Ambasadore, hape ‘valixhen” para se të ikësh!
Një “çantë” plot mistere po “çelet” me kujdes në Washington. Babloku ka mbyllur veshët, thua se sa të hiqet “siguresa” e korrupsionit, pëlcet “bomba”. Po mos u tutni trima, Amerika e madhe është e kujdesshme edhe me gjërat e vogla. Edhe “vëlla” Erdogani është keq, edhe ai u shtri në shtrat tre ditë gjatë fushatës.
Enigmat nuk sjellin panik, kush duron fiton...
Popujt që janë shembuj të qetësisë tradicionale, Kroacia, Bullgaria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, i kanë rrëzuar kastat. Këto erëra po fryjnë edhe në fshatin tonë, prandaj ka kaq shumë dilema.
Shqiptarët që janë vjedhur, nuk e dinë ç’u është vjedhur. E dinë se besimin, votat, pasuritë, liritë, hapësirat, ua kanë keqpërdorur shërbestarët e vet dhe shërbimet e huaja, por ende nuk e dinë ç’kanë marrë në çantë ish shefi i FBI-së për New Yorkun McGonigal, Babloku që rri si dac i zënë në tas të kosit, apo ambasadorja amerikane Yuri Kim. Pas gjithë këtyre dramave, prapë nuk ju lëvizë qerpiku, presin me syrin kokërr nga “ekrani” i drejtësisë.
Ambasadorja që fshatarët dyshojnë se di gjithçka, betohet se nuk di asgjë.
Ajo nuk e njeh as për fytyrë ish agjentin amerikan, nuk di as një emër hajduti, nuk dëgjon nga veshët, nuk shikon nga sytë, nuk mban mend as kur fshatarët i fërshëllejnë, hej ti “qorre”, këta që ha dreka e darka me ta, që shtrohesh në tavolina e pi verë, e kanë shpikur ekonominë tonë, sa i kanë nxjerrë “ujin e zi”, sa as Tirana sot nuk ka ujë të pijshëm nëpër çezma.
Rubineti i transparencës është ndryshkur.
Bosh çezmat, barku, duart, xhepat, mendjet, hapësirat, mundi, vendi, bosh fare edhe “pushka”. Se po, edhe çarku i “çiftes” nuk punon tash sa mote. Vjen dhelpra ti ha pulat në kotec e të thotë; më rr*aj prapanicën! Gjithçka këtej është plot me boshllëk.
Në brendësi të zbrazëtirës, fshatarët nuk luajnë derën, se të blesh një shtëpi në Tiranë duhet rroga e një jete ministri, por vazhdojnë të numërojnë “flokët” e borës së “dimrit” të gjatë të demokracisë, ku sa çel ndonjë lule, u rrinë gati i hanë hajdutët, pa zbardhur drita.
Nëpër terr përplasemi prej vitesh.
Dita nuk ka sy e veshë, nata nuk ka Hënë e Yje. Hënën e bëjnë hartë fati të rinjtë që marrin vrapin drejt viseve të huaja, për të gjetur jetesën e tyre, yjet janë pakësuar. Të vetmit yje që shohin shqiptarët, janë ata të spektaklit të Arbanës që rri duke qeshur nëpër mitologji të ikonografisë së djegësve që nuk kanë djegur asnjë mbeturinë.
Këtyre anëve e mori famën si perëndeshë edhe Athena e Greqisë së lashtë. Ca grindje të vockla me Afërditën dhe Herën, mjaftuan të nisë lufta e Trojës për mbrojtjen e kullave të Ndrangheta-s.
Arti klasik i mençurisë, nis në Iliadën e Odiseut në mbrojtje të bufave, pemëve të ullirit dhe gjarpërinjve, dhe vazhdon sot në mbrojte të “Peshqve” të mëdhenj, Qiellgërvishtësve e “frutave” të ëmbla të pasurive publike apo zvarranikëve që nuk ua numëron dot këmbët askush.
Meqë na kanë humbur shumë gjëra, meqë kemi një çantë misterioze me taksat tona në Washinton, fshatarët kanë një kërkesë logjike, brenda kontureve të diplomacisë dhe logjikës njerëzore, Ambasadore, hape ‘valixhen” para se të ikësh!/Pamfleti
Lini një Përgjigje