Editorial 2 Maj 2023, 08:36

Ribashkimi i Mitrovicës

Shkruar nga Fadil Lepaja

 

Ribashkimi i Mitrovicës
Ura mbi Ibër

Sado paradoksale që duket, “pushtimi” i veriut nga shqiptarët, është fitore për Presidentin serb. Pasi e dorëzoi pa luftë veriun, tani mund të nisë sërish kryqëzatën mijëvjeçare për çlirimin e Jerusalemit serb.

Duke i dorëzuar institucionet lokale në veri, serbët lokalë, po rigrupohen në një lëvizje politike  për autonomi. Po formojnë lëvizje politike të re duke qenë se e vjetra, në barrikada, bartë barrën e të kaluarës kriminale të Serbisë në Kosovë dhe nuk ka gjasa për përkrahje ndërkombëtare.

Duke e ditur se me formacionet paramilitare të dikurshme nuk mund të ndërtohet ideja e autonomisë, Asociacionit, të njëjtët u nxorën nga loja. Instrument i këtij (de)legjitimimi ishte bojkoti i zgjedhjeve.

Presidenti serb, pas votimeve në veriun e Kosovës, ku duhej të zgjidheshin katër kryetarë të komunave, dhe pas bojkotimit kolektiv të këtyre zgjedhjeve nga ana e komunitetit serb, e  deklaroi veriun e Kosovën të pushtuar.

Se si mund të pushtohet një territor me votë të lirë, të cilën serbët lokalë e bojkotuan, me presion nga Beogradi apo me vullnet të lirë, është vështirë të argumentohet, por deklarata e tij është  sikur dardha, e ka “bishtin prapa”.

Me serbët lokal të cilët njohin vetëm institucionet dhe aktet normative të Serbisë, ishte e vështirë të negociohej për integrim pa u thyer strukturat paralele, të cilat në fund u rebeluan edhe ndaj Presidentit serb.

Kjo pranverë do të tregojë nëse kjo do të thotë integrim i serbëve në sistem përmes një asociacioni që është konceptuar nga perëndimi apo do të fitojë opsioni lindor i rebelimit, ku serbët dhe rusët do të luftojnë për të drejtën e pushtimit të territoreve në emër të pakicave.

Në anën tjetër, nga komuna e Mitrovicës, vendimi i parë, pas “pushtimit”  ishte hapja e urës mbi Ibër.

Kjo urë ndante Mitrovicën në dy pjesë. “Lista Serbe”, e mori këtë hapje si akt lufte. Menjëherë, ata që këtë urë dhe e kishin bërë barrikadë, kërcënuan se kjo e rrezikonte paqen në Kosovë.

Kjo urë kur u shndërrua në barrikadë, u bë kufi joformal, ku serbët që nga viti 1999 qeveriseshin nga struktura paralele, me kontroll të plotë nga shteti fqinjë. Qytetarët nga komuniteti serb sa nën presionin e këtyre strukturave sa me dëshirë të vet refuzuan çdo shtrirje të pushtetit kosovar në këtë pjesë. Pra, zgjedhja e kryetarëve të rinj,  nga partitë politike shqiptare, në mungesë të pjesë dërmuese të elektoratit nga komuniteti serb, u quajt okupim nga Presidenti i Serbisë.

“Kjo do të përfundojë keq për okupatorin”, kërcënoi ai, i cili sikurse edhe paraardhësi i tij Millosheviç,  po përpiqet ti mbajë nën kontroll serbët e Kosovës, si armë politike në luftërat e brendshme në vetë Serbinë. Varësisht nga kontrolli mbi serbët e veriut, Presidenti i Serbisë do të ketë edhe ndikimin e tij në procesin e paqes dhe normalizimit në rajon, ku dora ruse është gjithnjë prezent.

Por, në Serbi, politika tashmë nuk e merr seriozisht presidentin. Njëra anë e konsideron kukull të Putinit, tjetra anë e konsideron kukull të perëndimit dhe vetëm për një gjë pajtohen, pra pajtohen se presidenti është kukull. Fjala e tij kishte një peshë, deri kur u përfshi në vorbullën e krijuar nga konfrontimi Rusi-Perëndim. Të gjitha lëvdatat e dikurshme për balancën e mirë, janë kthyer në përqeshje apo përbuzje kolektive.

    Në përgjithësi, presidenti serb i ndodhur në mes të perëndimit dhe Rusisë, vallëzonte mbi telin e ndehur të këtyre marrëdhënieve, duke bërë pirueta politike dhe duke dhënë deklarata, kuptimi i të cilave ishte vështirë të kapej por efekti i tyre nuk mund të mohohej.

 Secila palë thoshte është me ne. Edhe shqiptarët, po ashtu i besonin Aleksandrit. Edhe Edi, Hashimi mendonin se mjaftonte të bëje pazare me të dhe do të pajtohej Putin dhe Trump.

Asokohe, puna e Presidentit ishte pak a shumë si me atë gjëegjëzën... të cilën serbët e vegjël e gjejnë menjëherë. Pra kush është ai që “hyn në ujë e nuk laget, hyn në zjarr e nuk digjet, hyn në politikë e nuk e nuk kuptohet”?

Por presidenti Trump iku nga loja. Aleanca Rusi-SHBA, iku me të,  po ashtu. Presidenti serb humbi telin e ndehur mbi të cilin vallëzonte. Edhe fjala e tij humbi fuqinë. Serbët lokal u rebeluan edhe ndaj tij. Kishte mbetur hapësirë vetëm edhe për një fitore të madhe. Sado paradoksale që duket, “pushtimi” i veriut nga shqiptarët, është fitore për Presidentin serb. Pasi e dorëzoi pa luftë veriun, tani mund të nisë sërish kryqëzatën mijëvjeçare për çlirimin e Jerusalemit serb.

 Pra, me vendimin e komunës së Mitrovicës, ura mbi Ibër, që ishte shndërruar në barrikadë, u hap për qarkullim. Me hapjen e urës bie edhe koncepti i “veriut politik” të Kosovës. Kjo sjell edhe ribashkimin e Mitrovicës. Të kalojnë mbi urë dhe të integrohen apo të izolohen nëpër shtëpitë e tyre duke pritur “çlirimtarët” , nga Serbia apo Rusia, kjo është dilema e serbëve kosovarë në veri?!

 Ndërkohë ata mbeten peng, instrument politik, në duar të Serbisë apo Rusisë,  ndërkohë që nëse ndërmjetësimi ndërkombëtar ka sukses, ata mund të jenë edhe  gurë themeli i marrëdhënieve të reja Euro-Atlantike , në mes të Kosovës dhe Serbisë./Pamfleti

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

ribashkimi i mitrovicës fadil lepaja