Pas hetimeve të përsëritura dhe manovrave të pafundme rreth “Bankers Petroleum”, shfaqet e njëjta skemë e vjetër: pronarë të padukshëm, miliarda të zhdukura dhe një shtet që hesht, ndërkohë që pasuria kombëtare rrëshqet përfundimisht në duart e guackave offshore...
Hetimet që po zhvillohen aktualisht ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, përfshirë administratorin, drejtuesit dhe punonjësit shqiptarë, nuk janë një histori e re. Dosja është hapur edhe në vitin 2022, menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2021, me thuajse të njëjtën akuzë: mashtrim fiskal dhe moskryerje e detyrimeve tatimore. Atëherë nën hetim u vu Leonidha Çobo, në atë kohë CEO i kompanisë, i cili ndodhet sërish sot në bankën e të akuzuarve. Siç ndodh rëndom me çështjet e mëdha që prekin interesa të errëta, edhe kjo hyri në kalendat greke dhe u varros në heshtje.
Loja e vërtetë u zhvillua në prapaskenë, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me abuzime fiskale, por me goditje dhe pazare të drejtpërdrejta ndaj pronarëve të vërtetë të puseve të naftës së Patos-Marinzës, të cilët qëndrojnë të fshehur pas guackave offshore të Ishujve Kajman. Edhe këtë herë, po zhvillohet e njëjta manovër dhe i njëjti presion: një pjesë e palëve të vjetra duan të nxirren nga loja, ndërsa palë të reja po përpiqen të futen për të përfituar atë që deri më sot kanë gëzuar të tjerë. Loja që luhet në emër të ligjit është në fakt një luftë për kontrollin e një gjigandi ekonomik, i cili sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë ka eksportuar afërsisht 6 miliardë euro hidrokarbure, një shumë që përkon me një buxhet të plotë vjetor të shtetit shqiptar.
Problemi më i madh i aferës “Bankers” nuk qëndron te fatura e papaguar tatimore apo në truket e zakonshme me bilancet. Ato janë padyshim vepra penale të rëndësishme, por nuk janë thelbi. Zemra e kësaj afere është misteri që rrethon pronësinë e vërtetë të puseve të naftës dhe fatin e miliarda eurove që janë nxjerrë nga nëntoka shqiptare, pa lënë asnjë gjurmë në buxhetin publik. Nëse hapet “kutia e Pandorës” do të shpërthejë një tërmet që nuk kursen asnjë kupolë politike, asnjë segment të administratës shtetërore, dhe asnjë pjesë të kastës së kapitalit të ngritur mbi plaçkitjen. Kjo nyje mund të zgjidhet vetëm siç e zgjidhi dikur Aleksandri i Madh: duke e prerë. Me një vendim gjykate të mbështetur nga qeveria dhe ratifikuar nga Kuvendi, shteti shqiptar duhet të marrë menjëherë në zotërim puset e Patos-Marinzës dhe t’i rikthejë ato në pronësi të publikut. Kjo do të ishte forma më e ndershme e zgjidhjes: fillimisht rikthimi i pasurisë kombëtare dhe më pas gjurmimi i parave, që janë të gjurmueshme përmes rrugëve ndërkombëtare të hetimit financiar. Çdo alternativë tjetër është thjesht një farsë, një lojë shantazhesh dhe marrëveshjesh nën tavolinë për të ndarë plaçkën.
Rasti “Bankers” nuk është përjashtim. Ai është rregulli. E njëjta skemë ka ndodhur me çdo pasuri natyrore dhe çdo aset industrial në vend: rrënim, kalim në duar të errëta, përdorim si mjet për ndërtim, shitje dhe më pas heshtje. Të gjitha rezervat natyrore të Shqipërisë janë në duar guackash të padukshme, dhe po ashtu edhe asetet industriale që i kishin mbetur vendit si trashëgimi prodhimi; janë rrënuar, djegur ose shembur për t’u kthyer në truall ndërtimi. Rasti i “Birra Tiranës” është identik me atë të “Bankers”: në qendër të kryeqytetit ndodhet një nga asetet e fundit industriale, nën hetim për falsifikim dokumentesh dhe borxhe kolosale ndaj shtetit, por askush nuk kërkon falimentimin dhe rikthimin e pronës publike. Thjesht sepse plani është ta kthejnë në një kullë tjetër.
Në vitet ’90, shumë asete shtetërore iu dhanë për pesë para një grupi të vogël njerëzish, të cilët më pas u bënë politikanë, pronarë mediash, lobistë e milionerë. Të gjithë e dinin se ata ishin veç ndërmjetës, ata që mbanin firmën, ndërsa pas tyre qëndronin urdhërdhënësit. Sot, ata personazhe ose janë zhbërë nga loja ose janë bërë pjesë e një mekanizmi më të madh që vazhdon të funksionojë pa u trazuar. Nëse një vendim i vetëm parlamentar, me karakter sovran, do të shpallte rikthimin e pronës publike për të gjitha asetet e vjedhura në 34 vjet, shumë shpejt do të dilnin në dritë edhe pronarët e vërtetë. Ata që deri më tani kanë marrë miliarda dhe vazhdojnë të kërkojnë më shumë.
Çdo alternativë tjetër, qofshin hetimet me zell selektiv, arrestime të vogla, ose përballje nëpër media me buzëqeshje, janë thjesht pazare. Ato janë manovra për të përfituar pjesën e gjobës, për të blerë heshtjen ose për të ndryshuar lojtarët, pa prekur lojën. Dhe kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot me Bankersin. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar, thjesht emrat që i mbajnë firmat. Dhe deri sa të ndryshojë thelbi, çdo hetim është një farsë./Pamfleti
Lini një Përgjigje