TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Shkurt 2026, 12:25

“Daddy” Trump dhe jetimët e së djathtës evropiane

Shkruar nga Gjergj Zefi
“Daddy” Trump dhe jetimët e së djathtës evropiane
Donald Trump /

Populizmi amerikan s’ka asgjë të përbashkët me fisnikërinë konservatore të Evropës...

Nga “aleat natyral” në barrë politike: pse Donald Trump nuk ka asgjë të përbashkët me fisnikërinë historike të së djathtës evropiane

Në kryeqytetet evropiane, sidomos në radhët e së djathtës konservatore, po përhapet gjithnjë e më shumë një ndjesi e pakëndshme: Donald Trump nuk është ai që u shit për vite me radhë si modeli i madh i ringjalljes së së djathtës perëndimore. Përkundrazi, ai po shfaqet si një faktor destabilizues, shpesh në konflikt të hapur me vetë ADN-në politike të konservatorizmit evropian.

Një e djathtë pa traditë dhe pa përgjegjësi

E djathta evropiane; nga konservatorët klasikë tek demokristianët e vjetër, është ndërtuar mbi institucione, etikë shtetformuese dhe respekt për aleancat. Ajo ka lindur nga ideja e rendit, e përgjegjësisë dhe e shtetit ligjor. Trump, në thelb, përfaqëson të kundërtën: politikën si spektakël, aleancën si pazar dhe shtetin si pronë personale.

Nuk ka asgjë “fisnike” në një qasje që kërcënon NATO-n sa herë që i leverdis elektoralisht, që e trajton Evropën si barrë dhe jo si partner, dhe që e redukton diplomacinë në fyerje publike apo shantazh ekonomik. Kjo nuk është e djathtë konservatore; kjo është populizëm i zhveshur nga çdo përgjegjë historike.

Nga iluzion ideologjik në zhgënjim strategjik

Për një kohë, disa parti të djathta evropiane e panë Trump-in si një “lokomotivë” globale kundër liberalizmit progresist. Por sot, realiteti është më brutal: Trump nuk lufton për vlera, por për vetëveten. Ai nuk ndërton bosht ideologjik, por marrëdhënie varësie. Nuk kërkon aleatë, por vasalë.

Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë liderë të djathtë evropianë, edhe ata që ideologjikisht janë skeptikë ndaj Brukselit, po e kuptojnë se afërsia me Trump-in nuk të jep peshë, por të heq dinjitet. Në vend të forcimit të sovranitetit evropian, ai prodhon pasiguri dhe fragmentim.

E djathta evropiane përballë një zgjedhjeje historike

Sot, e djathta evropiane është përballë një prove serioze: ose do të ruajë karakterin e saj shtetformues dhe perëndimor, ose do të rrëshqasë drejt imitimit të një modeli amerikan që nuk ka rrënjë, traditë dhe as respekt për Evropën.

Trump nuk është trashëgimtar i Churchill-it, Adenauer-it apo De Gasperit. Ai nuk përfaqëson konservatorizmin, por krizën amerikane. Dhe sa më shpejt që kjo të kuptohet në Evropë, aq më shpejt e djathta evropiane do të çlirohet nga një iluzion që po i kushton shtrenjtë; politikisht dhe strategjikisht./Pamfleti

daddy trump e djathta evropiane

1 Komente

  1. H
    Hari

    Trump Po con boten dhe Jo evropen drejt shkaterrimit,ai do e fundosi edhe ameriken,amerikanet vrane veten e tyre qe zgjodhen trump per president

    Lini një Përgjigje

    Editorial