Hungaria si paralajmërim: Opozita shqiptare mes egoizmit politik dhe humbjes së radhës...
Shqipëria po hyn në një tjetër cikël elektoral me një opozitë të copëzuar, të lodhur dhe shpeshherë më shumë e fokusuar te mbijetesa e vet politike sesa te përmbysja reale e pushtetit.
Ajo që po ndodh në Hungari, ku opozita po përballet me pasojat e zgjedhjeve të gabuara strategjike përballë një regjimi të konsoliduar si ai i Viktor Orbán, duhet të shërbejë si pasqyrë e ftohtë për realitetin shqiptar. Jo si model për t’u kopjuar verbërisht, por si paralajmërim për çmimin e lartë të fragmentimit politik.
Në Shqipëri, prej më shumë se një dekade, pushteti i Edi Rama nuk mbahet vetëm nga forca e tij elektorale, por edhe nga paaftësia kronike e opozitës për të ndërtuar një front të besueshëm, të qartë dhe të disiplinuar. Çdo palë zgjedhje shoqërohet me të njëjtin ritual vetëdëmtues: parti të vogla që garojnë për 1–2 për qind, liderë që refuzojnë të bëjnë hap pas në emër të interesit publik, dhe një retorikë morale që zëvendëson mungesën e strategjisë. Rezultati është i parashikueshëm: pushteti fiton jo sepse është i pathyeshëm, por sepse përballë ka një opozitë të shpërndarë.
Shembulli hungarez tregon se dilema nuk është morale, por politike: a është më e rëndësishme të ekzistosh si parti, apo të ekzistosh si alternativë pushteti? Në Shqipëri, kjo pyetje shmanget vazhdimisht. Çdo grupim e sheh veten si “zgjidhjen e vërtetë”, por asnjë nuk arrin të bindë shumicën. Në këtë kaos, pushteti përfiton nga matematika elektorale, nga kontrolli institucional dhe nga lodhja e një elektorati që nuk sheh më dallim real mes retorikës opozitare dhe humbjes së përsëritur.
Editorialisht, problemi nuk është mungesa e kauzave; korrupsioni, kapja e shtetit, emigrimi masiv, por mungesa e një sakrifice politike reale. Nëse opozita shqiptare nuk është e gatshme të heqë dorë nga egoja, nga logot dhe nga liderët e konsumuar, atëherë çdo fjalë për “ndryshim” mbetet propagandë boshe.
Hungaria e tregon qartë: ose bashkohesh rreth një projekti minimal për rotacion, ose pranon rolin e dekorit demokratik në një sistem të mbyllur.
Shqipëria nuk e ka luksin e eksperimenteve të pafundme opozitare. Çdo zgjedhje e humbur nuk është thjesht humbje mandatesh, por thellim i një modeli qeverisës që po normalizon autoritarizmin soft dhe cinizmin publik.
Në këtë kuptim, “vetëvrasja kolektive” e opozitës nuk ndodh në një akt dramatik, por në mijëra vendime të vogla për të mos u bashkuar. Dhe historia politike e rajonit tregon se pushtetet e gjata nuk rrëzohen nga fjalët e forta, por nga matematika e ftohtë e unitetit./Pamfleti
Analiza më e qartë dhe e saktë. Parti që luftojnë për qënien, jo idenë. Shqipëria është filxhan kafeje, kafja avullon, llumi mbetet (llum jo në kuptimin moral, por dinamik). Po të mos kish qenë emigracioni ndoshta nuk do ish kjo tablo mizerabël partikularizmi mikroborgjez që të çon drejt zhdukjes si komb.