TAGS-AT E JAVËS

Editorial31 Janar 2026, 12:08

Opozita, bëje Zot ëndërr!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Opozita, bëje Zot ëndërr!
Opozita, Karikatura (IA)

Nga “rrethimi” i SPAK-ut te skenarët për poste ndërkombëtare, loja e zërave po zëvendëson politikën reale kundër qeverisë...

Prej gjashtë muajsh, në radhët e opozitës qarkullon ideja se Edi Rama është drejt largimit, fillimisht përmes një skenari hetimor të SPAK-ut dhe së fundmi përmes zërave për një detyrë ndërkombëtare. Vizita në SHBA, hyrja e BKH-së në Kryeministri dhe zhvillimet diplomatike të Ramës kanë ushqyer këtë narrativë, por pa prodhuar asnjë lëvizje konkrete politike. Në mungesë të një axhende të qartë dhe një alternative morale e intelektuale, këta zëra funksionojnë si “sirenat e Odisesë”, duke magjepsur dhe paralizuar opozitën, ndërsa i shërbejnë vetë kryeministrit për të fituar kohë dhe për të shpërbërë presionin real kundër tij.

Gjatë përpjekjes gjashtëmujore tashmë kundër qeverisë, me një strategji përplasjeje, në radhët e opozitës u përhap lajmi se Edi Rama i ka ditët e numëruara.

Lëvizja nisi si një skenar i hartuar tipikisht me plan konspirativ. Vizita e Gazment Bardhit në SHBA, ku takoi kongresmenë dhe një asistente të Prokurorisë së Përgjithshme amerikane, u pasua nga ideja se SPAK do të niste rrethimin e Edi Ramës.

Kjo gjë ndodhi realisht, pasi që nga fillimi i vjeshtës, Prokuroria e Posaçme ka hyrë në Kryeministri, ku, siç e tregoi vetë Edi Rama, ka pasur edhe përplasje mes oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gardistëve të kryeministrit.

Megjithatë, pas zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, situata, edhe pse vijon me hetimet e nisura, nuk ka më atë ofensivë akute si në nëntor.

Këto ditë, sidomos pas ftesës së Trump ndaj Edi Ramës, vizitës së vajzës së tij Ivanka në Vlorë dhe Tiranë nën shoqërinë e kryeministrit, si dhe vizitës në Izrael, loja ka ndryshuar disi.

Në mjediset e opozitës janë hapur zëra se Edi Rama do të largohet, duke marrë një detyrë ndërkombëtare, por pa u sqaruar se për çfarë bëhet fjalë.

Ky është një zë që riciklohet prej vitesh, siç ndodhi edhe më parë, kur u tha se Rama mund të emërohej Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Zërat janë bërë gjithnjë e më të zhurmshëm dhe artikulohen hapur nga njerëz pranë opozitës, të cilët po krijojnë edhe një forum për të bashkuar partitë e reja me atë të Sali Berishës.

E gjithë kjo i ngjan një situate absurde, të ngjashme me zërat e sirenave në mendjen e Odisesë dhe ushtarëve të tij gjatë udhëtimit mitik drejt Itakës.

Pikërisht për këtë duket se Sali Berisha shkoi në Strasburg, për të testuar kanalet ndërkombëtare pranë tij, kryesisht qarqet greke. Por gjithçka iu kthye në ankth, çka tregon se gjërat nuk po shkojnë siç ai mendonte.

Po cila është e vërteta në këtë lojë zërash që përhapen, pa sjellë një pasqyrim real në zhvillimet politike?

A ka një plan nga amerikanët për të ofruar një largim të butë të Edi Ramës, apo kemi të bëjmë me zëra të qëllimshëm të përhapur nga vetë kryeministri për të hutuar lëvizjen kundër tij?

Fakt është se përplasja e Ramës me një gazetar grek gjatë një forumi në Abu Dhabi, si dhe replikat me kryeministrin Mitsotakis, treguan qartë se ka një përpjekje nga Athina për të shfrytëzuar kanalet e rëndësishme që ka në vend.

Ndërkaq, lëvizjet e nisura brenda opozitës për mobilizim dhe përgatitje për një ndryshim të mundshëm duken se vijnë si pjesë e një aksioni që, sipas gjasave, është i orientuar nga lart.

Me fjalë të tjera, a kemi të bëjmë me riaktivizimin e një plani të vjetër për të orientuar një lider të ri të opozitës nga jashtë, ku qarqe pranë Athinës ofrojnë emrin e një intelektuali që jeton në SHBA dhe ka lidhje me Kishën Ortodokse?

Të gjithë këta zëra, megjithatë, pa një lëvizje reale politike nga opozita për të hartuar një axhendë dhe një formësim serioz kundër mazhorancës, në fund të fundit i shërbejnë Edi Ramës. Ai shpesh i ka përdorur këto metoda për të vënë në gjumë ose magjepsur opozitarët me ëndrra për “marrjen e Ramës me helikopter”, apo skenarë të tjerë që ngjajnë me filma fantastiko-shkencorë.

Rama, apo kushdo tjetër, rrëzohet vetëm nëse përballet me një antipod moral dhe intelektual në opozitë, i cili, përveç unifikimit dhe koherencës, arrin të ndërtojë aleancat e duhura edhe me pjesë të pakënaqura brenda mazhorancës.

Kështu nis një proces real politik, me fazat e tij të qarta dhe me vullnet të shpallur. Të tjerat janë thjesht zëra sirenash për të trullosur opozitarët e dëshpëruar nga qëndrimi i gjatë në këtë pozicion.

Për këtë, në fund të fundit, nuk ka faj askush tjetër veç vetë opozitës, jo qytetarët shqiptarë, edhe pse ata mallkohen vazhdimisht si të blerë apo budallenj./Pamfleti

 

opozita bëje zot ëndërr gjergj zefi

2 Komente

  1. P
    Po besove broçkulla,politika budallenj do, si feja

    Kur bëj mirë, ndihem mirë. Kur bëj keq, ndihem keq. Kjo është feja ime. (A. Lincoln) Ai që lexon "libra të shenjtë" dhe nuk i kupton, behet fetar. Ndërsa ai që i kupton; defetarizohet. (Nikolla Tesla) Inioranca dhe frika janë dy pikat ku mbështeten tẽ gjitha besimet fetare. (Paul Thiry d'Holbact) Besimi fillon pikërisht aty ku arsyetimi mbaron. (Soren Kierkegaard) Kush mendon se feja nuk ka te bëjë me politikën nuk ka kuptuar asgjë as nga feja e as nga politika. (Gandi) Unë mendoj se djalli nuk ekziston, por njeriu e ka krijuar atë, ai e ka krijuar atë sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së tij. (Fyodor Dostoevsky) "Nëse një person beson diçka të palogjikshme, ai quhet budalla - por nëse dhjetë milionë njerëz besojnë të njëjtën gjë të palogjikshme, kjo quhet fe." (Volteri) "Një komb i deleve do te lind një qeveri të ujqërve. (Edward R. Murrow)

    1. F
      Feti Dema

      A jeni Ju Z.Zefi dhe bashkëpuntorët tuaj te 'Pamfleti, një antipod moral dhe intelektual në opozitë? Unë besoj se po. Ka mundësi që të jeni portali më i ndjekur , pikërisht ngaqë pusht(eti) nuk ua ka mbyllur gojën me para dhe me poste. Dhe si opozitë e pushtetit, nuk u shantazhuat dhe nuk u tutët. Po demaskoni çdo ditë aferat korruptive dhe lidhjet e supozuara të korrupsionit me krimin e organizuar. Praktikisht portali Pamfleti është kthyer në një BKH , ndihmëse dhe frymëzuese e aksionit qytetar dhe 'karburant' për SPAK. Por në perceptimin tim, ka edhe aktor të tjerë mediatik dhe platforma komunikimi me të cilët mund të komunikoni , të bashkëpunoni dhe të kordinoni veprimet. Të pritni që aktor nga mazhoranca, medemek të ngrihen dhe të rrëzojnë me kundërrevolucion Edi Ramën, kjo është miopi intelektuale.Ata që mund ti bashkohen aksionit opozitar janë socialistët e thjesht, ata që pas 1990 i bënte elita politike e pos sistemit përgjegjës për të gjitha zullumet e sistemit komunist. Ndërsa elita vetë u kujdes të monopolizonte në disa duar gjithë jetën politike, ekonomike ,sociale dhe gjithë atributet e shtetit në një dorë. Dhe si ndihmëse të 'Kasta' vuri në punë e në shërbim repartin agresiv mediatik si mbules. Kjo kategori socialistësh thirren për aksion opozitar me synim reformimin tërësor të strukturës shtetërore dhe asaj qeverisëse. Riciklimi i elitave të korruptuara dhe çdo përpjekje për riparime, një suva këtu ,e një fasadë atje, pa reforma thelbësore janë të dështuara. Edhe në krahun opozitar duhet të shkundet dhe tërhiqet në veprim 'puntoria' e partive opozitare, po, po ,militantët e partive, ujdia me të super të kollarisurit dhe të korruptuarët është e dëmshme. Ata qëndrojnë në radhët e fundit kur protestohet dhe në radhët e para kur ndajnë tortën e pushtetit. 'Puntorisë' , ' vegjëlisë' , diasporisë' ju janë rritur dhe shkolluar fëmijët, nipërit dhe mbesat, të cilët do ju mbështesin, sa herë ti thërrisni dhe gjithmonë vigjilent, që elitat pas fjalëve të jetësojnë veprat.

      Lini një Përgjigje

      Editorial