Nga “goditja kirurgjikale” te kaosi global: fitorja e lehtë ndaj Iranit po del mashtrim strategjik...
Dy javë më parë, në editorialin me titull: 'Iluzioni i 'fitores së lehtë’ në Iran', argumentova se ideja e një “fitoreje të lehtë” ndaj Iranit nuk ishte plan ushtarak, por slogan politik. Shkruajta se vdekja e Ali Khameneit nuk garantonte fundin e sistemit, se Republika Islamike nuk është piramidë që rrëzohet me prerjen e kokës dhe se presioni i jashtëm mund të prodhojë jo kapitullim, por konsolidim të vijës së ashpër. Sot, ngjarjet nuk po e zbehin atë tezë; po e vulosin.
Ajo që u shit si operacion vendimtar për të gjunjëzuar Iranin po del, ditë pas dite, si një keqlexim i rëndë i natyrës së shtetit iranian dhe i logjikës së luftës asimetrike. Teherani nuk reagoi si regjim në agoni. Reagoi si shtet që kishte ruajtur instrumentet për ta zhvendosur koston e konfliktit nga fusha e bombardimeve në arteriet e ekonomisë globale. Dhe këtu hyn Hormuzi: jo si simbol, por si leva më e dhimbshme që Irani mund të përdorte kundër kundërshtarëve të vet.
Pikërisht këtu po shembet narrativa e triumfit të shpejtë. Raportimet nga SHBA tregojnë se administrata Trump e nënvlerësoi gatishmërinë e Iranit për ta përdorur Ngushticën e Hormuzit si armë strategjike. Kjo nuk është më vetëm kritikë e kundërshtarëve të presidentit amerikan; është përshkrim i një dështimi llogaritjeje në zemër të aparatit të sigurisë. Kur kundërshtari yt nuk mund të të mposhtë në epërsi ajrore, ai përpiqet të të godasë te energjia, te tregjet, te zinxhiri i furnizimit dhe te nervi psikologjik i aleatëve të tu. Pikërisht këtë po bën Irani.
Të dhënat e ditëve të fundit janë brutale. Reuters ka raportuar se kalimet e tankerëve në Hormuz ranë nga 37 në zero brenda pak ditësh pas nisjes së sulmeve, ndërsa kalimi i naftës dhe gazit u afrua në ndalim pothuajse total. Një tjetër analizë e Reuters thekson se mbi 20% e rrjedhave globale të naftës kalojnë nga kjo nyje dhe se tregu po çmon tashmë një krizë të zgjatur. Brent-i ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa bankat dhe analistët po rishikojnë parashikimet për energjinë. Kjo është fatura reale e aventurës së “fitores së lehtë”.
Ironia strategjike është e hidhur. Nga njëra anë, udhëheqësi i ri Mojtaba Khamenei ka dërguar mesazhin e tij të parë publik duke kërkuar që Hormuzi të mbetet i mbyllur si mjet presioni dhe duke kërcënuar bazat amerikane në rajon. Nga ana tjetër, ambasadori iranian në OKB ka deklaruar se Irani “nuk do ta mbyllë” zyrtarisht ngushticën dhe se respekton lirinë e lundrimit. Por realiteti i luftës nuk matet me semantikë diplomatike; matet me atë që ndodh në terren. Dhe në terren, anijet po shmangen, tregtia po bllokohet, sigurimet detare po shtrenjtohen dhe tregjet po lëkunden. Pra, edhe pa një shpallje juridike të mbylljes, efekti praktik është i njëjtë: Hormuzi po funksionon si grykë e stranguluar e sistemit energjetik global.
Ky është momenti kur propaganda bie dhe gjeopolitika flet. Dy javë më parë shkruajta se “dekapitimi nuk është sinonim i kapitullimit”. Sot duhet shtuar një fjali tjetër: epërsia ushtarake nuk është sinonim i kontrollit strategjik. Mund të godasësh fort, por të mos kontrollosh asgjë. Mund të fitosh goditjen e parë dhe të humbasësh arkitekturën e kostove që krijon më pas. Administrata amerikane po e kupton këtë me vonesë, sepse tashmë është detyruar të kërkojë rrugë emergjente për të stabilizuar tregun energjetik, përfshirë një licencë të përkohshme 30-ditore për shitjen e naftës ruse të sanksionuar. Ky është pranim indirekt se kriza nuk është më periferike, por sistemike.
Edhe më domethënës është fakti se SHBA-ja nuk ka qenë në gjendje të garantojë, të paktën për momentin, eskortë detare të sigurt për trafikun në Hormuz. Reuters raportoi se marina amerikane i ka njoftuar aktorët e industrisë së lundrimit se eskortat nuk janë të mundshme “tani për tani”. Kjo fjali vlen më shumë se shumë deklarata politike. Ajo tregon kufirin e forcës në një teatër ku kërcënimi nuk vjen vetëm nga një flotë klasike, por nga dronët, raketat, minat, sulmet ndaj tankerëve dhe paniku që prodhon një korridor i pasigurt. Në luftërat moderne, mjafton ta bësh kalimin të papranueshëm ekonomikisht; nuk ke nevojë ta mbyllësh me dry ushtarak.
Këtu del në pah gabimi më i madh politik i Uashingtonit: supozimi se Irani do të sillej si një objektiv i lodhur, i izoluar dhe i paralizuar. Por Republika Islamike, sado e goditur, mbetet shtet me refleks mbijetese, me rrjete rajonale, me aparat sigurie dhe me një kulturë strategjike që e njeh shumë mirë përdorimin e dobësisë si armë. Prandaj, ajo që u shit si ofensivë për ta dobësuar regjimin, rrezikon të prodhojë të kundërtën: forcim të bërthamës së ashpër, nacionalizëm mbrojtës brenda Iranit dhe zgjerim të kostove për kundërshtarin jashtë tij. Kjo ishte pikërisht pika qendrore e artikullit tim të 1 marsit. Sot, ajo nuk duket më si hipotezë, por si diagnozë.
Për Europën, dhe sidomos për vende të vogla e të ekspozuara si Shqipëria, kjo krizë nuk është spektakël televiziv. Çdo tronditje në Hormuz hyn në çmimin e energjisë, në inflacion, në kostot e transportit, në pasigurinë e tregjeve dhe në klimën politike të aleancës euro-atlantike. Reuters raporton se bllokimi i rrugëve tregtare në Lindjen e Mesme ka çuar në rritje të fortë të tarifave të transportit ajror dhe në çrregullime të zinxhirëve të furnizimit. Pra, pasoja nuk mbeten në Gjirin Persik; ato udhëtojnë drejt Europës bashkë me faturat.
Në fund, problemi nuk është vetëm se u nënvlerësua Irani. Problemi është se u nënvlerësua vetë natyra e rendit ndërkombëtar sot: një rend ku një nyje detare, disa sulme të koordinuara dhe pak ditë pasiguri mjaftojnë për të tronditur bursat, energjinë, diplomacinë dhe reputacionin e superfuqive. Kjo është arsyeja pse “fitorja e lehtë” ishte iluzion kur filloi lufta dhe po bëhet faturë tani. Në Lindjen e Mesme, slogani fiton titullin e ditës; por realiteti strategjik dërgon faturë javën tjetër. Dhe zakonisht, ajo vjen më e rëndë sesa e kishin llogaritur ata që ndezën zjarrin./Pamfleti
Bytheshiturit te ruset e serbet ferkojne duart per cdo haber kunder Amerikaneve. Amerika nuk eshte Trapi, por produkt i Britanise Inteligjente e vazhdon te jete. Mos harroni se mbrapa veshit e keni te tere. Kjo qe ka nisur eshte strategji gjigande e Perendimit me Ameriken ne krye. Se ku i del fund ata qe e nisin vallen ia dine fundin. Ne fillim filluan produktet, cheap labour, made in China e pasi e rriti pordhen China, filluan produkte, made in Indfia, made in indonezia,made in Bangladesh, made in Vietnam e kur ta nrrisin pordhen keta jane krijuar kushtet, ne Irak, Loibi, Lebanon, Palestine, Iran, etc. Pse nuk i fusin ne Europe zhulsat e Ballkanit? Sepse jane nje burim fitimi per cheap labour per Eurokurven por jo Europen. Analiste e gazetare profesionale jane ata qe kur flasin per politike industriale, politike ekonomike, bujqesite, drejtesie,etj, jane me kualifikime perkatese e jo tallagjere me 6 muaj kurse te Kampi i Pioniereve e itetisrevinU Kristal. Shkenca e sakteson te verteten. Per te krijuar majane e bukes shkencetaret dalin e thithin ajrin neper pyll e krijojne maja (yeast) per buken. Dmth. buka jone qe hame eshte me pluhurat ne atmosfere nga frymemarrjet e te dhjerat e te gjitha qenieve e kalbjet e te vdekurve e te ngordhurve. Cfare mund te presim nga Shqiptaret qe kur ushqehen thone, te hajme buke e jo mengjes, dreke ose darke. Dheti me mut, kur thone Dibranet. E hu a!
Analiza juaj rezultoi diagnozë. Gabimi u bë sepse llogaritë u bënë pa hanxhinë. Zvarritja dhe rikthimi te pika nga u nisën, është rikthimi në vëndin e krimit. Shpresoj që Presidenti Donald Tramp të vendos përfundimin e luftës. Netanjahu le ta vazhdoi vetëm luftën, nëse populli izraelit e toleron. Populli Izraelit është në ekstazë, njëjtë si populli Gjerman në kohën e Hitlerit. Pasojat dihen , i paguajnë popujt.