TAGS-AT E JAVËS

Editorial11 Tetor 2025, 12:54

Futbolli, nacionalizmi dhe virusi ballkanik

Shkruar nga Kastriot Kotoni

 Futbolli, nacionalizmi dhe virusi ballkanik

Futbolli nuk është luftë. Është një lojë që duhet të na bashkojë, jo të na kthejë në turma që kërkojnë armiq...

Ka bukurinë e vet një ndeshje futbolli kur ka gola në të dy portat. Kur një gol shprese në minutën e fundit lumturon një popull të tërë. Futbolli është emocioni i pastër i lojës, i ndershmërisë sportive dhe i gëzimit kolektiv. Por kur në lojë futet politika dhe nacionalizmi, si në rastin e ndeshjes Serbi–Shqipëri, ajo magji zhduket menjëherë.

Në ato momente, ndeshja nuk është më një sfidë sportive. Bëhet arenë e urrejtjes, e shfryrjeve të komplekseve dhe e protagonizmit të rremë kombëtarist. Dhe i thua vetes: “Të mbarojë sa më shpejt, qoftë 0–0 apo 5–5, vetëm të mos fitojë askush.”

Sepse s’ka më rëndësi loja, por sëmundja që e ka kapur shoqërinë tone; ajo e tifozërisë ekstremiste, që ka harruar futbollin dhe nderon urrejtjen.

Arbitri rumun Istvan Kovacs, një ballkanas mes dy zjarreve, do të ketë fatin e keq të gjykojë jo thjesht një ndeshje, por një duel simbolesh, flamujsh e provokimesh. Ai duhet të ruajë gjakftohtësinë dhe të ndëshkojë me drejtësi, që të mos lejojë që sporti të kthehet në një teatër politik. Sepse në Ballkan, edhe një faull në mesfushë mund të ndëzë një luftë të vjetër.

Në stadiumin e vogël të Leskovacit me 6.500 vende, mjaftojnë dy huliganë për të shkatërruar gjithë frymën e lojës. Por përgjegjësia nuk është e tyre, është e politikës që i ka frymëzuar. Tifozeria serbe, e ndëshkuar disa herë nga UEFA për sjellje raciste e të dhunshme, nuk është më një turmë sportive; është një instrument i partive nacionaliste që jetojnë me ndasitë etnike. Dhe kjo tregon se problemi nuk është me futbollin, por me ideologjinë që e shfrytëzon atë.

Në anën tjetër, kombëtarja shqiptare duhet të jetë shembulli i kundërt. Duhet të luajë me qetësi, me disiplinë dhe me vetëdijen se përfaqëson një komb që kërkon dinjitet, jo hakmarrje. Futbollistëve tanë duhet t’u flitet për vetëpërmbajtjen, për komunikimin me gjuhën e trupit dhe për shmangien e çdo provokimi. Sepse një gjest i vogël mund të bëhet lajm i madh në mediat serbe dhe mund të dëmtojë më shumë se një humbje.

Kjo ndeshje ka ngarkesë emocionale, por edhe përgjegjësi kombëtare. Shqipëria e sotme ka një kombëtare më të pjekur, me lojtarë që luajnë në kampionate të forta, që e njohin futbollin modern dhe s’kanë komplekse inferioriteti. Ata duhet të hyjnë në fushë për të fituar me lojë, jo me nerva. Sepse sot, më shumë se kurrë, “sulmi është mbrojtja më e mirë.”

Dhe mbi të gjitha, futbolli nuk është luftë. Është një lojë që duhet të na bashkojë, jo të na kthejë në turma që kërkojnë armiq. Tifozët e vërtetë duan gola, jo flamuj që digjen. Duan fitore që nderojnë, jo që përçajnë./Pamfleti

futbolli nacionalizmi virusi ballkanik

1 Komente

  1. E
    Elvira

    Sa bukur e ke shkruar, e drejte keshtu duhet te jete, po keta pisat te perdorin

    Lini një Përgjigje

    Editorial