Në fund të ditës, mbeten vetëm nënat që kërkojnë trupat...
Në Gaza sot nuk po vriten militantë, as ushtri, por fëmijë, gra, pleq. Në rrugicat e qytetit që dikur mbante frymë me zor, tani tymi i zi dhe rënojat shtrihen në vend të jetës. Sulmet ajrore izraelite, të pandërprera, të pashpirt, po e kthejnë një qytet në varrezë.
78 trupa të pajetë vetëm sot. Nuk janë statistika, janë histori të ndaluara. Fëmijë që s'arritën të kenë frikë, sepse u vranë para se të dinin çfarë është frika. Gra që vraponin me barkun plot dhe me foshnjën në krahë, e nuk arritën të shpëtonin asgjë.
Sot, mediat e Lindjes së Mesme hapeshin me portretin e rrënuar të një nëne. Faqet e saj kanë më shumë shenja pluhuri sesa lotë. Sepse ajo nuk ka më kohë të qajë, duhet të gërmojë, të shohi nëse mund të gjejë ndonjë gjymtyrë a ndonjë frymë.
Ndërsa bota është e zënë. Me gjuhë të rregullt diplomatike, me "shqetësime të thella", me "nxitje për vetëpërmbajtje". Por asgjë më shumë. Sepse në këtë botë ‘të rregullt’, viktimat duhen klasifikuar, dhe vdekja vlen sipas koordinatave.
Në Gaza sot vritet njerëzimi. Dhe heshtja është bashkëfajtore. Më e rëndë se raketat. Sepse nga raketa mund të shpëtosh, por nga heshtja jo. Heshtja është vula e zezë e miratimit.
Dhe kur bota hesht, krimi vazhdon. E bashkë me të, vdesin edhe shpresat./Pamfleti
Lini një Përgjigje