TAGS-AT E JAVËS

Editorial12 Shtator 2025, 09:21

Trazoi të njëjtën çorbë të prishur

Shkruar nga Pamfleti
Trazoi të njëjtën çorbë të prishur
Edi Rama /

Asambleja e PS-së u shndërrua në teatër frike dhe spektakël mazokist, ku Rama ringjalli të njëjtët ministra me dosje në SPAK dhe drejtësinë europiane…

Si çdo herë tjetër Edi Rama nuk zhgënjeu. Me dhuntinë për të bërë spektakël kriminal, pasi ngriu për javë të tëra punën e administratës qendrore, që priste pa frymë shtatorin dhe "ministrat e rinj", Babloku i Imer Lalës u shfaq sot me një bllok të trashë në dorë dhe luajti sërish me sukses rolin e mazokistit. 

Fytyrat e ngrira të të ashtuquajturës elitë, e rreshtuar në karriget e para të Asamblesë së PS-së, vërtetonin atë që dihej: të gjithë ishin përgatitur për gijotinë. Pa gjak në fytyrë, buzë të thara e të palëvizshëm, prisnin çfarë do të ndodhte. 

Dhe lideri i tyre ua shpërbleu. 

Edhe nëse ka pasur ndonjë shqiptar që shpresonte se këtë mandat të 4-të, Rama do ta niste me fytyra të reja e figura të pastra, u zhgënjye përgjithmonë. 

Pas një hyrje të gjatë, duke u spërdredhur mes fjalësh të mëdha, e duke u fshehur pas flamurit të BE, Edi Rama trazoi mirë e mirë të njëjtën çorbë të prishur, me të cilën ushqehet ai dhe të gjithë mafiozët e Shqipërisë.

Kryeministri i Shqipërisë vërtetoi përfundimisht një të vërtetë të dhimbshme: pushteti i tij është aq i kapur, ata ministra që ai vendosi ti mbante afër edhe në mandatin e katërt dhe që të gjithë janë me dosje në SPAK dhe në drejtësinë europiane, e kanë zhytur kaq thellë, sa edhe sikur të dojë, ai nuk i largon dot nga vetja. 

Një tragjikomedi me pasoja jetike e njerëzore për një vend që ka rrëshqitur në diktaturë tashmë dhe që pas shumë pak dekadash nuk do të ketë më këmbë shqiptari në të. 

Edi Rama do të qeverisë me Elisa Spiropalin sepse, siç edhe vetë e tha "nuk i pushon goja". Kriteri për të zgjedhur zonjën "5 milion euro" të doganave paskësh qenë goja, domethënë. Elisa do të jetë e dërguara zyrtare e Shqipërisë në kancelaritë e botës. Kriminale!

Edi Rama do të qeverisë me Blendi Gonxhen, njeriun që e ka rrahur, shkelur me këmbë dhe që sot ka dosjen mal për abuzimet në DSHTRR, të cilat kanë shkuar në prona familjare dhe njeriun kyç që i bëri gropën Erion Veliajt me urdhër të Ramës. Kriminale!

Edi Rama do të qeverisë me Albana Koçiun që edhe pse ka pak kohë që qeveri i kanë plasur me dhjetra skandale ilaçesh e firmash farmaceutike, ndërkohë që shëndetësia është zhytur në kaos. Kriminale!

Edi Rama do të qeverisë me Mirela Kumbaron, të cilës sot i vari më qafë arsimin siç mund ti varen ujkut mëlçitë. Pasi voli mirë e mirë me Ilir Beqajn për krahu, pasi futi në sqetull institucionin që administron fondet e BE-së, me një burrë që luan rolin e Mon Kukaleshit, tani Mirela Kumbaro do të shkojë të vulosë fatkeqësinë e arsimit shqiptar. Krim i përmasave stratosferike!

Edi Rama do të qeverisë me Pirro Vengun, që kokën e ka në Durrës ku ka privatizuar gjithçka e trupin nëpër hotelet luksoze të botës. Ky do të na mbrojë qiellin...? Kriminale dhe qesharake!

 Edi Rama do të qeverisë me Delina Brahimajn që i duken 100 euro të mjaftueshme për të jetuar; me Petrit Malajn që është shkruar si ministri më i paaftë i financave i parë ndonjëherë e me Andis Sallën që e ka sjellë Olsi Rama nga Cërriku për të mbyllur aferat e veta. 

Kjo është e ardhmja europiane e Shqipërisë!

Një tufë hajdutësh që një këmbë e kanë në burg e një jashtë, dhe një Kryeministër të kapur nga krimi aq shumë, sa nuk ka Zot që ta nxjerrë në dritë./Pamfleti 

trazoi të njëjtën çorbë të prishur pamfleti

Lini një Përgjigje

Editorial