
Një horoskop politik me humor të zi, ku as Shqipëria dhe as SPAK-u nuk lëviz, vetëm retorika që rrotullohet rreth një njeriu të vetëm...
I lindur më 4 korrik, në të njëjtën ditë kur Amerika shpalli pavarësinë, Edi Rama ka ardhur në këtë botë si për të shpallur varësinë totale të Shqipërisë ndaj tij. Në vitin 2026, yjet janë të lodhur; jo nga rrotullimi rreth Tokës, por nga rrotullimi i të njëjtit emër në çdo ekran, çdo studio, çdo skandal dhe çdo shpresë të mbytur.
Astrologët, të kapur mes Plutonit që retrogradohet dhe SPAK-u që nuk lëviz, janë në dilemë: A është Rama ende një lider politik, apo është kthyer në një lloj gjendjeje amorfe që thjesht ndodh mbi Shqipëri?
Në qiell, Marsi tenton të hyjë në orbitën e logjikës, por bie në Surrel dhe përplaset me një bunker estetik. Atje, në vilën ku betoni nuk lë të dëgjohet populli, Edi sheh horizontin e Adriatikut dhe veten e tij në pasqyrë, me një buzëqeshje që nuk shpjegon asgjë, por i mjafton të mbijetojë.
Pushteti? Jo më një funksion politik; tani është një mision hyjnor. Zgjedhjet nuk mbahen për të zgjedhur, por për të konfirmuar atë që fati ka vulosur që në lindje: se Shqipëria është një pikturë ku vetëm ai mund të yhgarravitë. Kur kritikat rriten, ai ngrihet mbi to, si Jezusi i të zhgënjyerve, por pa kryq.
Në financa, yjet zbulojnë një konstelacion të çuditshëm: Inceneratori i Tiranës rrotullohet në orbitë të vetëkënaqësisë, ndërsa paratë zhduken si kometa që nuk lënë pas as hi.
“Skandale? Pse quhen skandale kur askush nuk dënohet?”; pyet me ton filozofik, ndërkohë që retorika e tij shpërndahet në atmosferë si smog urban.
Në dashuri, horoskopi nuk ka shumë për të thënë. Sepse për të dashur të tjerë, duhet më parë të zbresësh nga kulla ku je ngujuar. E ai ka kohë që ka marrë ashensorin vetëm vajtje. Marrëdhënia më e fortë? Me kamerën. Me mikrofonin. Me vetveten në versionin live.
Shëndeti? Sipas yjeve, gjithçka varet nga niveli i ekspozimit ndaj realitetit. Dhe Rama ka zhvilluar një sistem imunitar brilant ndaj çdo kritike, krize apo kundërshtimi. Ndaj parashikohet të mbijetojë edhe në këtë vit, pavarësisht nga mungesa e oksigjenit demokratik përreth.
Në fund, yjet rrinë të heshtur. Astrologjia është dorëzuar. Sepse në Shqipëri, parashikimet nuk bëhen me harta yjore, por me tenderë, shantazhe dhe një fjalor të lodhur nga fjalët e mëdha. Dhe 2026, edhe pse mund të jetë fundi i një cikli për shumicën, për të është thjesht një sezon tjetër në serialin "Rilindja pa fund"./Pamfleti
Lini një Përgjigje