Si u zhvendos Zoti nga grazhdi te vitrina dhe si të varfrit mbetën jashtë festës...
Krishtlindja, ashtu siç festohet sot në shumë vende të botës, është shndërruar në një ritual të zbrazur nga kuptimi i tij fillestar. Dritat vezulluese, reklamat agresive, garat për dhurata të shtrenjta dhe tryezat e mbingarkuara me ushqim, e kanë zhvendosur vëmendjen nga thelbi drejt formës, nga njeriu drejt mbinjeriut.
Në këtë proces komercializimi të pandalshëm, janë harruar pikërisht ata për të cilët, në thelb, lindi kjo histori: të varfrit, të përjashtuarit, ata që jetojnë në pasiguri dhe padrejtësi.
Historia e Betlehemit nuk është një përrallë romantike për kartolina festive. Ajo është një histori e ashpër politike dhe sociale. Është historia e një populli që jetonte nën një perandori, që përballej me zhvendosje, dhunë strukturore dhe mungesë të drejtësisë, por që vazhdonte të besonte se Zoti nuk ishte larg, i izoluar në qiell, por i pranishëm mes tyre. Pikërisht aty, në një realitet të tillë, ndodh përmbysja më e madhe morale dhe teologjike e historisë: Zoti nuk identifikohet me perandorët, por me ata që vuajnë nën perandori; me viktimat e saj.
Zoti nuk vjen si luftëtar, nuk shfaqet me ushtri apo simbole force. Ai nuk lind në një pallat, mes luksit dhe sigurisë, por në një grazhd, në kushtet më të brishta që mund të imagjinohen. Zgjedhja për të ardhur si foshnjë nuk është rastësi; është një deklaratë. Është solidaritet hyjnor në formën e tij më të habitshme: Zoti bashkohet me pjesën më të prekshme të njerëzimit. Me ata që nuk kanë zë, që nuk kanë pushtet, që nuk kanë mbrojtje.
Kjo është pikërisht ajo që sot humbet mes zhurmës së ofertave festive dhe fjalimeve boshe për “frymën e Krishtlindjes”. Një festë që duhej të ishte kujtesë e drejtësisë, e dhembshurisë dhe e përgjegjësisë sociale, është kthyer në një industri globale që prodhon miliona, por jo empati. Në këtë narrativë të re, të varfrit shihen si sfond i padukshëm, jo si qendra e mesazhit.
Harrohet se Krishtlindja ndodhi mes një populli të shtypur, që kërkonte drejtësi dhe shpresë, jo rehati dhe konsum. Harrohet se mesazhi i saj nuk ishte “blini më shumë”, por “shihni më thellë”. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe morale për shoqëritë moderne: a do të vazhdojnë ta festojnë Krishtlindjen si një spektakël, apo do të kenë guximin ta rikthejnë si një akt ndërgjegjeje sociale?
Sepse, nëse Zoti zgjodhi grazhdin dhe jo pallatin, atëherë çdo festë që e injoron të varfrin, të zhvendosurin dhe të shtypurin, rrezikon të jetë gjithçka tjetër, përveçse besnike ndaj historisë që pretendon se po nderon./Pamfleti
Zoti nuk vjen si luftëtar, nuk shfaqet me ushtri apo simbole force. Si çdo ideologji e re politike monoateizmi ka ardhur me luftëtar me ushtri e simbole force po gjithmonë historinë e shkruajnë fitimtarët dhe ti je një nga ata????