
Nga falja me orar zyrtar, te ‘fake news’ me inteligjencë artificiale dhe kërcënimet ndaj gazetarëve; një rrymë me financim të huaj kërkon të riciklojë kauzën e Lindjes së Mesme në një terren shqiptar…
Para pak ditësh, në një nga komisionet parlamentare është hedhur një nismë ligjore që, në shikim të parë, mund të duket si respekt për lirinë fetare.
Deputeti Lefter Gështenja ka propozuar që çdo institucion publik apo subjekt privat të lejojë besimtarët praktikantë myslimanë të kryejnë faljen e tyre, përmes një pushimi dyorësh çdo ditë, veçanërisht të premten. Kjo nismë, megjithëse e paraqitur si masë për të drejtat e besimtarëve, mbart ngarkesë simbolike dhe politike në një moment ku lëvizjet religjioze po kërkojnë të projektojnë veten përtej spiritualitetit, si faktorë ndikimi politik e elektoral.
Po atë ditë, pranë xhamisë së madhe në Tiranë të financuar nga qeveria e Erdoganit, u zhvillua një aktivitet “në mbrojtje të familjes dhe jetës”. Nuk ishte risi. Ky është i njëjti subjekt që prej vitesh vepron me të njëjtin mesazh dhe financim, dhe që përpiqet të mbulojë terrenin si zë moral publik, ndonëse nuk ka pasur kurrë një mbështetje reale popullore. Ai thjesht ekziston përmes parasë dhe përkrahjes politike që i jepet në mënyrë të heshtur nga qendra të fuqishme të jashtme.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria, përmes hapësirës së saj virtuale; është shndërruar në një fushë përplasjeje të eksportuar nga Lindja e Mesme. Me luftën në rritje mes Izraelit dhe Iranit, kemi parë një përmbytje të mediave dhe profileve të sponsorizuara, të cilat kërkojnë të përçajnë opinionin publik dhe të imponojnë një rreshtim politik, si të ishte ky vend pjesë direkte e një konflikti që i ka rrënjët jashtë nesh.
Një klerik i shndërruar në influencer, i lidhur ngushtë me qarqet erdoganiste, publikoi ditë më parë një montazh të dyshimtë: një foto e supozuar e një gazete izraelite të vitit 1984, e shoqëruar me një përkthim të saj në gjuhën shqipe, të prodhuar qartazi me inteligjencë artificiale. Një përpjekje e paskrupullt për të ndërtuar narrativën që Izraeli paska qenë gjithmonë armik i kombit tonë. Ky lloj manipulimi i qëllimshëm synon të injektojë urrejtje dhe të ndezë një konflikt emocional në një popullatë që tradicionalisht ka jetuar në bashkëjetesë paqësore ndërfetare.
Në këtë terren të ndjeshëm, pati edhe kërcënime të drejtpërdrejta.
Shkrimi i Ben Blushit, një reflektim personal mbi një udhëtim në kufirin mes Egjiptit dhe Izraelit, u prit me një valë urrejtjeje, që kulmoi me kërcënime për jetën. Jo se Blushi provokoi me ndonjë qëndrim ekstrem, por sepse shprehu një mendim që nuk përputhej me vijën ideologjike të një rryme të strukturuar islamiste, që kërkon të ndalojë çdo opinion që nuk përputhet me agjendën e saj.
Ky nuk është më debat. Është imponim. Nuk kemi të bëjmë me qytetarë të thjeshtë që shprehin bindjet e tyre mbi Gazën apo Lindjen e Mesme. Kemi të bëjmë me një grup politik të strukturuar, që me metodologji të importuar, përfshirë manipulimin mediatik, intimidimin dhe kultivimin e figurave të rreme publike, po përpiqet të zëvendësojë terrenin e zbrazët të opozitës me një aksion ideologjik të tipit islamist.
Këta njerëz nuk përfaqësojnë komunitetin mysliman shqiptar, nuk janë të njohur nga strukturat tradicionale të këtij komuniteti dhe nuk kanë bazë reale elektorale. Janë thjesht agjentë të agjendave të jashtme, që pasi dështuan në eksportimin e neo-otomanizmit me kostum perandorak, tani përpiqen të fusin në lojë islamin politik, në formën e një doktrine që shitet si mbrojtje e fesë, por është thjesht pushtet në emër të fesë.
Nga rrethimet mediatike e deri te të ashtuquajturit “teologë-analistë” të ricikluar si lektorë universitetesh private, të gjithë janë pjesë e një aksioni të menduar dhe të financuar nga qendra të caktuara, që mendojnë se Shqipëria mund të jetë toka neutrale ku ringrihet një version i ri i përçarjes mes lindjes dhe perëndimit, me religjionin si shkop e flamur.
Fatmirësisht, publiku shqiptar është ende imun ndaj kësaj skeme. Por rreziku është real. Rreziku nuk është feja, feja ka vendin dhe rolin e vet, por kur përdoret si platformë pushteti, me para të huaja dhe qëllime të errëta…
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë të mbrojë laicitetin kushtetues dhe të ndalojë me vendosmëri çdo përpjekje për të përdorur fenë si karburant për pushtet dhe si benzinë për destabilitet. Këto eksperimente ideologjike nuk do ta shpëtojnë askënd, as nga rënia politike, as nga dështimi elektoral. Por mund të dëmtojnë përfundimisht një vend të vogël, të brishtë dhe me histori të rrallë bashkëjetese, që disa po përpiqen me çdo kusht ta përdorin si skenë për luftërat e tyre të humbura./Pamfleti
Lini një Përgjigje