Editorial28 Shkurt 2024, 09:20

Pse amerikanët sjellin Zelenskin në Tiranë? A po hapet fronti i dytë i luftës?

Shkruar nga Pamfleti

 

Pse amerikanët sjellin Zelenskin në Tiranë? A po hapet fronti i
Volodymir Zelenski /

Nga sot, jemi një shënjestër konvencionale e Rusisë, largqoftë që kjo shënjestër të jetë bërthamore…

Sot lufta dyvjeçare në Ukrainë ka arritur në një ngërç mjaft të madh. Një nyje gordiane që po përfshin të gjithë Europën, të paktën, pasi ka qenë Europa që ka dhënë gjithçka për fitoren e Ukrainës në luftën me Rusinë.

Ushtarakisht situata është në favor të Rusisë, edhe në pikëpamjen taktike, por edhe në atë strategjike.

Taktikisht, trupat ruse kanë avancuar vazhdimisht nga pozicionet e tyre, e sot janë afër asaj që quhet vija e kuqe europiane që është lumi Dnjepër.

Nga ana strategjike Rusia ka arritur që të sigurojë një zëvendësim rekord si për efektivat që dëmtohen (vriten apo plagosen në front), dhe çfarë është më e rëndësishmja zëvendësimin e municioneve që harxhohen në luftë.

Industria e luftës së Rusisë, ka qenë një orë zvicerane, ndërkohë që Ukraina, edhe pse ka ndihmën e të gjithë Perëndimit, nuk arrin të marrë në kohë sasinë e municioneve që harxhon në operacionet e përditshme luftarake. Shto këtu edhe avancimin ose më mire ruajtjen e pozitave ruse në Detin e Zi. E gjtha kjo ka rritur edhe më shumë dyshimin se me Putinin duhet të negociohet. Në fakt, në Kongresin Amerikan është ende ‘peng’ një dekret i Presidentit Biden për të financuar luftën në Ukrainë. Plus intervistën e Putin për Tucker Carlson, që ka shkaktuar një amulli më të madhe se viti 2016.

Por si mund të negociojë sot Perëndimi me Vladimir Putinin, i cili pak ditë pas intervistës me Tucker Carlson, vrau Aleksej Navalnin?

Nëse e bën këtë është shenjë kapitullimi, dhe Putin e vrau Navalnin siç po shihet në një shkëmbim të burgosurish, pikërisht për të rritur pazarin. Një pazar që poshtëron vlerat demokratike Perëndimore, që janë në antagoni me ato të Rusisë dhe shefes së saj tashmë- Kinës.

E cila, në një farë mënyre është regjizorja e madhe e gjithë kësaj loje, së bashku me SHBA. Bota sot është dy polare, ndaj edhe Gjermania e Franca janë kthyer në ‘kukulla’ në duart e Amerikës.

Në këtë kuadër ndërkombëtar, Ballkani, që herë pas here ka qenë i tillë, vjen sot si një teatër lufte apo përplasje e dy fuqive të mëdha.

Rusia, e mbi të gjitha Kina, po kërkon ta mbajë fort Serbinë.

SHBA me anë të ambasadorit Chris Hill, ja ka arritur që të mbajë Beogradin sa më larg Kremlinit, por jo Pekinit. Ku Aleksandër Vuçiç, jo vetëm shkon çdo dy muaj, por siç thurte vjersha Enver Hoxha për Mao Ce Dunin, ashtu edhe Presidenti serb po sillet me Xi Jinping.

Në këtë situatë, është sot Ballkani; 2/3 e tij që kontrollon SHBA ka vendosur të kthehet në një kufi i luftës me Rusinë.

Në Shqipëri, do të trajnohen, por ka gjasa edhe të nisen avionët amerikanë drejt asaj që sot është Rusi e dje Ukrainë. Pra Donbasi apo Krimea.

Dhe Zelenski vjen këtu, në një bazë të re ushtarake, të cilën do ta inagurojë vetë së bashku me gjeneralët e lartë të tij.

Një vizitë treditore e Zelenskyt, njeriut që sot ka humbur një luftë me Rusinë, por nga ana tjetër ka arritur që 92 përqind e Ukrainasve të duan akoma të luftojnë, është arritja më e madhe e Perëndimit. Përkatësisht SHBA dhe Britanisë së Madhe, të cilët Shqipërinë, e kanë si Qiproja apo Egjipti i Luftës së Dytë Botërore. Nga ku u nisen misionet më të rëndësishme për të pushtuar Italinë e çliruar Greqinë nga nazistët gjermanë.

Por edhe Egjipti e Qiproja, sado që kanë qenë aleate të ngushtë të anglezëve dhe amerikanëve, janë përfshirë në trazira aq të mëdha, aq sa Qipro u nda dhe Egjipti ka sot vetëm kaos e varfëri.

Me një fjalë, nga sot jemi një shënjestër konvencionale e Rusisë, largqoftë që kjo shënjestër të jetë bërthamore.../Pamfleti

amerikanët zelenski tirana lufta