Editorial23 Shkurt 2024, 10:10

Ç’duhet të bëjmë për të shmangur shkatërrimin e botës

Shkruar nga Jason Fields

Ç’duhet të bëjmë për të shmangur

Duket sikur bota është futur në një ashensor që po na çon drejt Ferrit, dhe dikush ka zhdukur butonin për ndaljen e tij në raste emergjence. Atje në krye qëndron një demon i quajtur Lakmia me një palë gërshërë të mëdha dhe një buzëqeshje në fytyrë për të shpejtuar fundin tonë.

Dhe nuk është vetëm lakmia ajo që na sjellë në këtë situatë. Nuk është një veprim i caktuar apo një grupim njerëzish. Që të gjithë ne kemi kontribuuar: qoftë duke blerë makinën e gabuar; duke mos hedhur plehrat ndarazi nga njëra tjetra në koshat përkatës; duke mbështetur kandidatin e gabuar në zgjedhje; duke udhëtuar shpesh me avion; apo duke u sjellë si një kalimtar indiferent ndaj së keqes, pikërisht atëherë kur nevojitej veprim.

Dhe nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet asnjë kulturë. Sigurisht as Perëndimi aq shumë i demonizuar. Por edhe Lindja dhe Jugu nuk paraqiten më mirë. Kur i jepet mundësia, çdo vend çliron në atmosferë sa më shumë karbon që të jetë e mundur. Në fakt, Jugu Global ankohet se nuk po arrin të futet në “valle” para se të përfundojë “dasma”.

Ata duan kompensim për katastrofat mjedisore, por nga ana tjetër duan edhe mundësinë për të krijuar katastrofat e tyre. Unë mendoj se ka ardhur koha të përballemi me situatën ku jemi zhytur dhe të numërojmë kostot. A ndiheni sot mirë për ngrohjen globale apo luftërat?

Ndaluni, ju lutem! Vitet e fundit ka pasur artikuj që përpiqen të vënë në dukje se historia “thjesht” po përsëritet. Se në vitet 1910, 1920 dhe 1930, njerëzit menduan gjithashtu se fundi i botës ishte shumë pranë.

Por atëherë nuk ndodhi, ndaj nuk mund të ndodhë as tani. Është e vërtetë që bota nuk mori fund një shekull më parë. Por në atë kohë njerëzimi nuk zotëronte armët e tmerrshme që ka sot. Në vitin 1920 nuk kishte as 2 miliardë njerëz, ndërsa sot po shkojmë me shpejtësi drejt 8 miliardëve.

Edhe atëherë u përpoqën ta shkatërronin planetin. Ndërtuan me shpejtësi fabrika dhe prodhuan makina që ndotën shumë. Ata i flakën plehrat e tyre sa andej-këtej pa menduar sado pak se çfarë do të ndodhte më pas, dhe kush do t'i duhej t'i pastronte. Industritë kishin shumë pak kufizime në raport me ndotjen ndaj të gjitha ato ndotën sa mundën.

Sigurish, nuk vuajtën pasojat e ngrohjes globale, por kjo jo për shkak të virtyteve të tyre, por për shkak të rrethanave. Por ne sot nuk jemi njerëz dhe aq të ndryshëm nga ata që jetuan një shekull më parë. Përkundrazi, si specie i kemi shtuar një shekull mëkatesh bilancit tonë tragjik. Njerëzit një shekull më parë, mendonin se lufta mund t'i jepte botës. Pas Luftës së Parë Botërore - lufta që mendohej se do t'i jepte fund të gjitha luftërave - u bë e qartë se hakmarrja e njerëzimit ndaj vetvetes nuk kishte asnjë kufi.

Njerëzimi vazhdoi të luftojë kundër vetes. Së bashku me Luftën e Parë Botërore dhe qindra luftëra të vogla fisnore, pati dhjetëra luftëra në shumë zona anembanë globit, ndërsa kolonizatorët dhe të kolonizuarit luftuan për gjak dhe para. E megjithatë bota nuk mori fund.

Imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të ishin të disponueshme armët bërthamore në Luftën e Parë Botërore. Sepse ajo ishte lufta ku u shkelën të gjitha parimet dhe nisi të përdorej gazi si një metodë e vrasjeve masive. Sipas doktrinës ajo ishte Lufta Totale. Trupat në vijën e parë të frontit do të luftonin deri në njeriun e fundit por edhe pataten e fundit. A do të kishin qëndruar armët bërthamore në kapanone? Kur u shpikën armët bërthamore, ato u përdorën. U hodhën vetëm 2 bomba, por vetëm sepse ata donin të provonin vetëm dy lloje bombash, teksa lufta ishte fituar tashmë.

A do të kishte ngurruar Hitleri t’i përdorte nëse armët bërthamore do të ishin në dispozicion të tij në vitin 1939? Po Stalini? Po perandori japonez Hirohito? A do të ishin frenuar Shtetet e Bashkuara nëse lufta do të vazhdonte por ne do të ishim të vetëm në dominimin tonë atomik? Sigurisht që jo. Arsyeja e vetme pse bota nuk mori fund një shekull më parë, ishte sepse nuk ishin kapacitetet. Sot ne kemi armë bërthamore. Kemi 8 miliardë njerëz. Kemi ngrohjen globale që tashmë e ka kaluar kufirin e rritjes prej 1.5 gradë Celcius, për të shmangur katastrofën.

Dhe nuk është se nuk kemi bërë asgjë. Thjesht nuk kemi bërë shumë, dhe e ardhmja nuk premton më mirë. Përveç samiteve të klimës, ku mezi pranohet se problemi janë lëndët djegëse fosile,  ligjet e tregut nuk po ndihmojnë shitjen e makinave elektrike, të cilat po bien aq shumë sa që  shumë kompani të mëdha, përfshirë GM dhe Ford, po heqin dorë nga premtimet e tyre për kalimin tërësor tek makinat miqësore me mjedisin.

Natyrisht, konfliktet përshkallëzohen edhe nga ndryshimet klimatike. Por le ta lëmë mënjanë si një faktor dhe të përqendrohemi tek vatrat më të nxehta dhe mënyrën se si bota po i trajton ato: Në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara po qëllojnë në mënyrë aktive njerëzit në Jemen, Irak, Siri dhe Jordani, ndërsa janë përkushtuar për të ndihmuar Izraelin të godasë njerëzit në Gaza, Bregun Perëndimor, Liban, ndonjëherë Siri dhe gjetkë sipas nevojës.

Irani po mbështet njerëzit që qëllojnë ose përpiqen të qëllojnë kundër Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe anijeve aleate. Rusia, Kina dhe të tjerët kanë lidhje me Iranin dhe fërkojnë duart sa herë që dëmtohen pozitat e SHBA-së në rajon. Izraeli ka armë bërthamore dhe Irani do ta pajiset me to brenda disa javësh në rast se do.

Në luftën e Ukrainës, Kievi mbështetet nga Perëndimi. Ndërkohë Moska mbështetet nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Situata po bëhet më e vështirë për Ukrainën për shkaqe të politikës së brendshme, politikës amerikane dhe kushteve në fushën e betejës.

Çdo lojtar kryesor në këtë dramë ka armë bërthamore, përveç vetë Ukrainës. Situata midis Kinës dhe Tajvanit po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, teksa zgjedhjet në ishull i dhanë fitoren partisë që është më e prirur për shpalljen zyrtare të pavarësisë.

Duket se Kina ndjen se duhet të provojë të rikthejë me çdo kush Tajvanin nën kontrollin e saj, ndaj udhëheqësi kinez Xi Jinping ka vendosur që të prodhojë më shumë armë bërthamore, pasi ato shpresohet të shërbejnë si një pengesë. Nga ana tjetër, SHBA po shfaq një angazhim gjithnjë e më pak të paqartë ndaj Tajvanit.

India dhe Pakistani e urrejnë ende njëri-tjetrin. Që të dyja kanë armë bërthamore, dhe Irani sapo sulmoi brenda Pakistanit disa milici radikale, megjithëse të dyja palët u përpoqën të mos i çojnë gjërat në ekstrem. Secili prej këtyre problemeve paraqet një mundësi për dikë, pra për tregtarët e armëve, kompanitë e naftës dhe për të gjithë ata që synojnë të shfrytëzojnë burimet e Jugut Global më pak të zhvilluar (i cili ka problemet e veta).

Por siç duket kapitali është një zgjidhje afatshkurtër. Tek e fundit, lufta bërthamore nuk i sjell dobi askujt dhe nga ngrohja globale nuk do të përfitojë askush. Zgjohuni! Ka ardhur koha që ne si specie, të nisim të mendojmë në terma afatgjatë dhe me njëri-tjetrin në mendje.

Nuk ka rëndësi se sa mirë po ia kaloni sot, apo vrasja që do të bëni në tremujorin e ardhshëm. Sado i thellë të jetë bunkeri juaj, ai duket si  një vend shumë i vetmuar për të kaluar përjetësinë. Pamfleti nga “Newsweek”

shkatërrimi i botës