Editorial24 Shkurt 2024, 16:20

Trump, NATO dhe rikthimi i Amerikës “Xheksoniane”!

Shkruar nga Roberto Vivaldelli
Trump, NATO dhe rikthimi i Amerikës “Xheksoniane”!
Trump, pas tij në foto Andrew Jackson

Çfarë do të ndodhë nëse manjati republikan kthehet në Zyrën Ovale? 

Humbja e ushtrisë ukrainase në Avdiivka, përveç vdekjes së blogerit dhe disidentit rus, Alexey Navalny, e kombinuar me sulmet e mëparshme të fundit nga kandidati i mundshëm republikan, Donald Trump, ndaj NATO-s dhe aleatëve evropianë, kanë rindezur debatin në Shtetet e Bashkuara për rolin e superfuqisë amerikane në skenën ndërkombëtare.

Çfarë do të ndodhë me Perëndimin e udhëhequr nga SHBA, nëse Uashingtoni vendos të përqendrohet në problemet e brendshme, në vend që të marrë rolin e "policit global"?

Çfarë do të ndodhë nëse manjati republikan kthehet në Zyrën Ovale? Këto janë pyetje që po gjallërojnë debatin publik amerikan.

"Kthimi në normalitet"

Larg nga të qenit e re, kjo pyetje përfaqëson një dilemë të vjetër me të cilën Shtetet e Bashkuara janë përballur që nga themelimi i tyre. Në fakt, siç vëren Manlio Graziano në esenë e tij “Ishulli në qendër të botës”, një gjeopolitikë e Shteteve të Bashkuara të botuar nga 'Il Mulino', amerikanët kishin përshtypjen se "jetonin të izoluar nga pjesa tjetër e botës, falë mbrojtjes fizike të garantuar nga oqeanet dhe falë pafundësisë së territorit që u siguronte atyre gjithçka të nevojshme". Prandaj, studiuesi shpjegon se, "në abstraksionin kohor të ideologjisë amerikane, ajo gjendje e veçantë u absolutizua dhe metabolizohej si një recetë e vlefshme për të gjitha stinët". Si Trump, në vitin 1920 republikani nga Ohio, Warren G. Harding, presidenti i 29-të i Shteteve të Bashkuara, i fitoi zgjedhjet me shumicë dërrmuese duke propozuar si slogan të fushatës së tij elektorale "Kthimi në normalitet", domethënë një "kthim në normalitetin” pas Luftës së Parë Botërore dhe gripit spanjoll që kishte tronditur botën dhe vetë SHBA-në.

Një "eksepsionalizëm" i kuptuar si një rikthim në gjendjen para ndërhyrjes në luftën evropiane, i mbrojtur nga "sistemi i kalbur, i korruptuar dhe i pabesë i transaksioneve ndërkombëtare", i cili u përkthye në një izolacionizëm që u ndërpre nga Franklin Roosevelt dhe ardhja e Luftës së Dytë Botërore. Ky konceptim i Amerikës përmbysi plotësisht vizionin e paraardhësit të Harding-ut, demokratit Woodrow Wilson, promotor i Lidhjes së Kombeve - në të cilin, në mënyrë paradoksale, Shtetet e Bashkuara nuk morën pjesë, duke shkaktuar kështu dështimin - gjë që siç vuri në dukje Henry Kissinger, në vitin 1915 propozoi një “doktrinë të paprecedentë, e cila thoshte se siguria e Amerikës ishte e pandashme nga ajo e gjithë njerëzimit, duke nënkuptuar se tani e tutje Shtetet e Bashkuara do të kundërshtonin agresionin kudo që ai të shfaqej”.

Rikthimi i “populizmit” të Xheksonit

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Donald Trump e kishte fotografuar veten në Zyrën Ovale me një portret pas tij: ishte ai i presidentit të shtatë të SHBA Andrew Jackson (nga 1829 deri në 1837), një fizionomi që çdo amerikan e njeh shumë mirë sepse bie në sy në kartëmonedhën njëzet dollarëshe. Lidhja midis Trump dhe Jackson u mbrojt fillimisht nga ish-strategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon dhe më pas u bë autoritative nga historiani Walter Russell Mead në një ese të botuar në vitin 2017 në revistën Foreign Affairs.

Duke përshkruar katër shkolla të mendimit në politikën e jashtme amerikane: Hamiltonian, Wilsonian, Jeffersonian dhe Jacksonian, sipas Mead, Xheksionianët si Trump, janë populistë ekonomikë, mosbesues ndaj elitave dhe emigrantëve kozmopolitanë, si dhe priren të shmangin konfliktet në politikën e jashtme që përfshijnë Shtetet e Bashkuara jashtë vendit.

Por nëse lufta bëhet e pashmangshme, Xheksionanët, vërejti Mead, "kërkojnë fitore totale dhe dorëzim të pakushtëzuar". Edhe pse vizioni i Mead që atëherë ka shkaktuar debat, madje edhe është kontestuar, rasti i senatorit Trumpian, JD Vance, i cili është kundër miratimit të paketës së ndihmës për Ukrainën, nënvizoi në një intervistë të fundit me News Stateman se qasja “xhaksoniane” e Trump, është “një përzierje e skepticizmit ekstrem ndaj ndërhyrjes jashtë vendit, e kombinuar me një qëndrim jashtëzakonisht agresiv kur ndërhyhet”.

Mbetet për t'u parë nëse kjo do të jetë me të vërtetë qasja e Donaldit, nëse ai fiton zgjedhjet e ardhshme dhe jo një strategji e thjeshtë elektorale. Gjithashtu në përvojën e tij të parë (dhe kontradiktore) në Shtëpinë e Bardhë, Trump e rrethoi veten me "skifterë" sesa “izolacionistët” si Mike Pompeo apo John Bolton. Një nga shumë pyetjet e hapura për një administratë të mundshme Trump 2.0, ndërsa Amerika debaton për identitetin dhe vizionin e saj për botën. /Përshtati “Pamfleti” nga ‘Inside Over’