Editorial23 Shkurt 2024, 18:45

Stadi i ri i përballjes me Serbinë – gatishmëria për luftë!

Shkruar nga Sadri Ramabaja

 

Stadi i ri i përballjes me Serbinë – gatishmëria për
Forcat e Sigurisë së Kosovës /

Përderisa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e tretë, psikologjia e luftës është imponuar gjithandej në Evropë. Jeta mendore po i nënshtrohet kështu luhatjeve serioze që ndërlidhet me fatin e individit dhe kolektivit. Psikologjia e luftës po i imponohet jo vetëm individit, por edhe popujve.

Në një ambient pos traumatik të luftës, siç është vendi ynë, rikthimi i psikologjisë së luftës, arsyetimi moral, ndërlidhet me nevojën për promovimin e një standardi të ri që po promovohet në nivel Evropian. Ky standard, i cili normalisht ka pikë referimi në të drejtën ligjore për vetëmbrojtje, të drejtën për vetëmbrojtje dhe kërkesën për drejtësi e ndërlidhë edhe me çështjen e moralit publik, që përcaktohet në këtë rast vetëm nga kombi në kohë lufte, duke i dhënë identitet të gjithë shoqërisë. Kushdo që në këtë rast identifikohet si armik, respektivisht palë e ndërmjetme, qoftë edhe palë asnjanëse, identifikohet me të keqen, duke shkelur kështu vlerat që sot mishërojnë atë që më parë vetëkuptohej si një rend i moralit të etabluar.

Lufta në Kiev sikur kishin paralajmëruar analistë seriozë, do t’ia imponojë Rusisë ta rishikojë strategjinë e veprimit jo vetëm në fushëbetejat e saj në Ukrainë, por edhe në ato hapësira gjeopolitike që do t’i imponoheshin palëve ndërluftuese.

Lufta në Ukrainë ka imponuar dinamikë konfliktuale të ndarjes, respektivisht të rirreshtimit të kombeve edhe në hemisferën perëndimore. Publiku ndërkombëtar ndërkohë po përjeton gjithashtu një dinamikë konfliktuale të ndarjes me përshkallëzimin e ri të mundshëm në Ballkan. Është çështje e politikës së mençur për ta lexuar mirë këtë dinamikë dhe për të përgatitur Shtetin dhe opinionin për t’i dalë së keqes përpara; është çështje e analizave shkencore shoqërore për ta kuptuar këtë fenomen në ardhje.

Kur ambasadori amerikan në Beograd në audiencë tek Presidenti serb paralajmëron atë që Kosova së shpejti mund të jetë poseduese e njërit prej llojeve më të sofistikuara të armëve moderne, sikur ju vë pika mbi i pikërisht paralajmërimit të dinamikës së mundshme konfliktuale.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, bëri të ditur se SHBA-të i kanë miratuar Prishtinës blerjen e raketave “Javelin”.

Me këtë rast, shkruajnë mediat e rajonit, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiç për vendimin amerikan për të pranuar kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave anti tank “Javalin”. Këtë informacion Vuçiçi nuk kishte se si të mos e cilësonte si “zhgënjim i madh për Serbinë”.

Këtë akt, e përditshmja kroate e mirënjohur Slobodna Dallmacija e cilëson atë si lajm tronditës, respektivisht “goditje e Amerikës për Serbinë”.

Duket se ky informacion do të shënojë “pikën e kthesës” për raportet, respektivisht rivalitetin historik mes shqiptarëve dhe serbëve. Ai sinjalizon vullnetin politik të liderëve të Kosovës që Republikën ta shndërrojë në një fuqi ushtarake mbrojtëse me aftësinë e pakushtëzuar për të përballuar sfidat që mund t’i imponohen, atëherë mendimi moral nuk ka se si të mos e shpërfaqë mandatin e shtetit për kultivimin e një lloji modern të patriotizmit si kundërpeshë e shovinizmit serb dhe përgatitjet për mbrojtjen e vlerave të Kombit.

Në rastin konkret debati për një strategji të ardhshme sigurie rezulton qartë se ka të bëjë në thelb me nevojën për jetë dhe jo për luftë, por fakti që në Evropën Juglindore luftën, pas një çerek shekulli, sërish e imponon Serbia, ka të bëjë me rikthimin e ideologëve dhe liderëve serb tek shovinizmi tradicional./Pamfleti

stadi i ri i përballjes serbia gatishmëria për luftë