Editorial27 Shkurt 2024, 10:56

Përplasja politike e myslimanëve shqiptarë për xhaminë e Madhe

Shkruar nga Pamfleti

 

Përplasja politike e myslimanëve shqiptarë për xhaminë
Xhamia e madhe në Tiranë/

Si do të funksionojë partia e Erdoganit në Shqipëri

Tashmë gjithçka ka filluar. Gongu ra një ditë para vizitës së Edi Ramës në Turqi, kur Muftiu i Tiranës, Lauren Luli, u linçua në xhaminë e rrugës së Kavajës, e cila drejtohet nga një imam i afërt me pushtetin aktual si Ahmet Kalaja.

Ndërkaq, ish-muftiu Ylli Gurra, që njihet si kundërshtar me drejtuesit aktual të KMSH-së, ka dalë me një qëndrim të rrepte, duke i kërkuar SPAK të hetojë gylenistët e KMSH.

E gjitha kjo lojë po bëhet në dy stacione, apo objektiva. I pari, janë zgjedhjet që zhvillohen më 2 mars për Këshillin e Përgjithshëm të Komunitetit Musliman Shqiptar. Zgjedhje që realisht dhe historikisht janë kontrolluar nga muftiu dhe KMSH. Gjasat janë që të fitojnë po këta persona që e drejtojnë Komunitetin Musliman, që Erdogan i ka quajtur qafira të Gylenit. Por në fakt, ata i mbron SHBA dhe Evropa.

Ndërkaq, Erdogan e di se nuk do ta realizojë dot objektivin e parë, pra që të kontrollojë KMSH, ndaj në koordinim me Edi Ramën ka vendosur që të zbatojë planin paralel. Krijimin e një Komuniteti Musliman tjetër, paralel, i cili do të administrojë e do të drejtojë Xhaminë e Madhe të Tiranës, që është ndërtuar nga turqit.

Kjo shoqatë do të përbëhet kryesisht nga njerëz që kanë qenë dikur pjesë e KMSH-së ose nga përkrahës të tyre. Si Ylli Gurra apo Ermir Gjinishi, Justinian Topulli, e të tjerë “laikë” si Redi Shehu, Bujar Kapexhiu etj etj, të cilët janë pjesë e rrjetit të intelektualëve që financohen rregullisht nga Ankaraja.

Xhamia e Madhe, do të ketë një imam e muezin, por që të qëndrojë në këmbë duhet të atashohet në KMSH, ose në një organizatë tjetër religjoze, të cilën e njeh shteti si komunitet fetar.

Në Shqipëri ka precedentë të organizatave paralele brenda Kishës Ortodokse apo edhe organizatave të protestantëve, por kush është jashtë organizatës që drejton Janullatos nuk e njeh shteti, ndërkaq grupet e ndryshme protestante janë bashkuar në një, për të përfaqësuar komunitetin në komitetin e kulteve.

Organizata që pritet të menaxhojë xhaminë më të madhe në Shqipëri, e cila përveçse simbol, do të jetë edhe një shenjë për të mbledhur numrin më të madh të besimtarëve, duke krijuar një xhemat, apo militancë paralele.

E ky xhemat, sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe grupimi i gatshëm politik i elektoratit, i cili më pas hyn në politikë o direkt, ose duke mbështetur parti të tjera.

Në Maqedoninë e Veriut, kjo ka ndodhur me daljen e partisë Besa, ndërkohë që në Kosovë xhemati ka mbështetur dikur Hashim Thaçin që e sollën në pushtet, e më pas Albin Kurtin.

Në Shqipëri, për tre mandate kanë mbështetur Edi Ramën, me ferman nga sulltani i Ankarasë. Tani duket ka ardhur koha për të zbritur vetë në mejdan, të cilin e kanë fare pranë Kuvendit të Shqipërisë, edhe fizikisht./Pamfleti

xhamia e madhe e tiranës myslimanët partia e erdoganit në shqipëri