Si media e pavarur shqiptare po sfidon qeverinë dhe po bëhet burim i besueshëm për gazetarinë ndërkombëtare...
Një vit më parë, gazeta prestigjioze amerikane The New York Times publikoi një artikull bombastik mbi lidhjet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me mafien dhe nëntokën kriminale të vendit të tij. Artikulli nuk kishte thjesht fakte, por prova të qarta të kësaj lidhjeje thuajse anatomike, që kishte qenë jetike për pushtetin e gjatë të Vuçiçit.
Pas publikimit të tij në Serbi nisi një proces i madh kontestimi ndaj Vuçiçit, që duket se ka marrë rrugë të pakthyeshme. Ky proces nuk u dobësua, as kur Aleksandër Vuçiç deklaroi se ishte gati të largohej.
Edhe në Tiranë, artikulli nuk kaloi pa zhurmë. Edi Rama, partner politik i Vuçiçit që kur erdhi në pushtet, u shpreh publikisht i shokuar nga zhvillimet. Që nga ajo ditë, relacionet publike ndërmjet Ramës dhe Vuçiçit janë pothuajse të ndaluara.
Prej atëhere, Rama ka nisur të frikësohet nga pesha e mediave kritike ndaj tij. Duke shfrytëzuar influencën në mjediset mediatike italiane dhe disa lidhje të dyshimta kryqëzuese, ai nuk ndërhyri kur emisioni prestigjioz Report i RAI-t denonconte paktin me Giorgia Melonin.
Në këtë periudhë, mediat italiane u përqendruan më thellë te zhvillimet shqiptare, duke studiuar raportet mbi korrupsionin, mafien dhe krimin e organizuar. Gazetarët italianë vunë re se në Shqipëri ekzistonin media që shkruanin intensivisht për aferat korruptive. Disa prej tyre konstatuan se Pamfleti funksiononte si një lloj report-i shqiptar, i fokusuar pikërisht në zbulimin dhe publikimin e korrupsionit dhe aferave mafioze.
Prej dy vitesh, në deskun e gazetarëve dhe mediave italiane, Pamfleti konsiderohet një work-book për ngjarjet në Shqipëri. Shumë gazetarë, duke kryqëzuar çdo informacion me burime të tyre, konfirmuan se pothuajse gjithçka publikuar në Pamfleti ishte e vërtetë, e besueshme ose e konfirmueshme.
Nga publikimet e Pamfleti-t, gazetarët italianë janë nxitur për të thelluar kronikat e tyre, duke përdorur shpesh informacionin për analiza të tyre të pavarura. Një shembull i këtij ndikimi është përdorimi i Pamfleti-t si burim nga gazeta më e madhe italiane, Corriere della Sera, për të trajtuar pushimet e kryeministres italiane në ishullin grek të Rodosit.
Është pikërisht pesha e kësaj media shqiptare, që nuk varet nga Edi Rama dhe është ndër më kritikët e tij, që shpjegon fushatën kundër saj. Pamfleti-t është sulmuar nga kryeministri, përmes njerëzve të afërt dhe këshilltarëve të tij, si Baton Haxhiu me shokë.
Rama po ndjen se qarqet e rëndësishme mediatike dhe politike ndërkombëtare po bëhen më të interesuara për burimet që zbulojnë bëmat jashtë rrethit të tij. Për këtë arsye është nervoz dhe sulmon. Sulmet nuk kanë për qëllim të frikësojnë Pamfleti-n, pasi provat e shantazheve të mëparshme dështuan; qëllimi është të pengojë që mediat e tjera të zgjerojnë denoncimet. Citimet ndërkombëtare janë një tregues i qartë se puna e medias së pavarur po nxirret jashtë kontrollit të tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje