TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Gusht 2025, 10:22

Trump në prehrin e Putinit

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

 Trump në prehrin e Putinit

Nga Alaska te Ukraina, një fushatë “paqeje” që i jep kohë Putinit, zvogëlon rolin e Europës dhe e ekspozon Perëndimin ndaj një risku historik: dorëzimit ndaj autokracisë…

Në gushtin e vitit 2025, bota perëndimore po përjeton një përmbysje të heshtur të ekuilibrave.

Me një gjuhë të mjegullt, Trump paralajmëroi një tërheqje nga iniciativat për armëpushim, duke u shprehur se “e ndjen në ajër” ardhjen e paqes. Por në realitet, ajo që ndodhi më pas ishte e kundërta: Rusia intensifikoi ofensivën ndaj Ukrainës, ndërsa propaganda ruse nisi të portretizojë Trumpin si “i vetmi amerikan i arsyeshëm”.

Editorialisti Paolo Mieli, një prej zërave më të kthjellët të elitës italiane, e përshkruan këtë “harmoni mes carit dhe Donaldit” si një marrëdhënie të ndërtuar jo mbi diplomaci, por mbi një pabarazi të plotë.

Sipas tij, Trump nuk është thjesht i përdorur nga Putin; ai është shndërruar në një politike që ndihmon Kremlinin të zgjerojë ndikimin e vet global, duke e minuar lidershipin amerikan nga brenda.

Takimet, deklaratat, madje edhe heshtjet e Trumpit shërbejnë si katalizatorë për planet gjeopolitike të Putinit.

Në këtë teatër ndërkombëtar, Ukraina nuk është më vetëm një vend në luftë, është kthyer në një test të historisë për vetë demokracitë perëndimore. Nëse Trump arrin të imponohet si një “pacifist” ndërsa në të vërtetë ushqen agresionin e Moskës, atëherë kriza në Kiev është vetëm fillimi. Shtrirja e ndikimit rus do të ndodhë jo më me tanke, por me taktika: përçarje, marrëveshje të errëta, e sidomos me dobësim të NATO-s nga brenda.

Putini e njeh mirë këtë lojë. Ai nuk ka nevojë të shfaqet agresiv, mjafton që Trump të mbjellë dyshime, të ndajë aleatët dhe të flasë për “paqe” ndërkohë që vetë Moska avancon me luftë. Dhe është pikërisht kjo që e shqetëson Mielin: ajo që shihet si sinjal i një epoke të re të marrëdhënieve amerikano-ruse, është në fakt një lojë e manipuluar ku njëri është mjeshtër dhe tjetri ose bashkëpunëtor i vetëdijshëm, ose viktimë e egos personale.

Për ne shqiptarët dhe për gjithë Ballkanin Perëndimor, ky zhvillim është më shumë se një lajm ndërkombëtar. Një Trump i varur nga Putini do të thotë një NATO më e dobët në rajon, më pak presion ndaj Serbisë, dhe më shumë hapësirë për aktorë të rrezikshëm që kërkojnë destabilitet.

Ndaj kjo “sintoni” mes carit dhe Donaldit nuk është një thashethem politik, është paralajmërimi më serioz për atë që mund të ndodhë nëse diplomacia e improvizuar triumfon mbi interesat strategjike të Perëndimit./Pamfleti

trump në prehrin e putinit

Lini një Përgjigje

Editorial