Editorial22 Prill 2024, 10:05

Pse ngjan se Amerika ka ikur larg

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Pse ngjan se Amerika ka ikur larg
Joe Biden /

Olta nuk e rruan për Gjykatën Kushtetuese; Frida nuk e rruan për BE-në; Monika nuk e rruan as për SHBA-në e as për SPAK-un, e ty të shkon për lesh dyshimi, se edhe këto kanë rruar me “briskun” e pushtetit postiqet e pasurive publike...

Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk kanë marrë arratinë për të shpëtuar nga ndjekja e shërbimeve amerikane, por janë bërë arrakat e nuk i binden ligjit për të shkundur kuletat apo kulluar kulloshtrën e bagëtive që mjelin.

Këta dy mafiozë, reklamojnë mjeljen me dorë, pasi me makinë mjelë vetë shteti i standardeve skandaloze.

Skapani i gjatë si stërhell, e ka holluar qumështin diplomatik me ujë, sa të gjithë ankohen e kërkojnë Amerikën për t’i shpëtuar.

Po Amerika ngjan se ka ikur larg.

Fshatarët kanë probleme poshtë, në trastën e aparatit tretës, hajdutët kanë problematika lart, nëpër prizat e pritave të mëkatarit Altin Dumani, që ambasadorja Yuri Kim i ka besuar prerjen e kokave për Peshqit e Mëdhenj të Donald Lu-së.

Ne që i ndjekim peshqit, nuk mund t’i mbyllim sytë para paradokseve.

4 Klanet Mafioze, i shohim të lodrojnë nëpër fshat, në sy të ambasadës amerikane, FBI-së dhe DEA-s, e askush nuk u mbyll derën me dërrasë, për të dërrmuar një herë e mirë mafien që demonstron publikisht forcën zakonore, vidh para e blej vota, vidh vota e shto para.

Parimi i ecjes mbrapsht, u ka sjellë mbarësi.

Me një hap para e dy pas, Edi Rama ka kohë që as gjen Amerikën e Charles McGonigal e Hunter Biden, as Amerikën e Yuri Kim e jurisë së patronazhistëve të Aleksandër Soros.

Ca nuk dinë fatin e halleve të veta, ca nuk kanë ndjenja as tek hallatet e veta.

Hallakaten grumbuj-grumbuj hojeve të mjaltit, e po t’u thuash, zotërinj hajdutë, keni harruar të fshini buzët, të nxjerrin përpara gratë.

Me Olta Xhaçkën, Frida Krifcën e Monika Kryemadhin, nuk bën ushqim peshku, as për një tavolinë katërshe.  

Pastaj, Olta nuk e rruan për Gjykatën Kushtetuese; Frida nuk e rruan për BE-në; Monika nuk e rruan as për SHBA-në e as për SPAK-un, e ty të shkon për lesh dyshimi, se edhe këto kanë rruar me “briskun” e pushtetit postiqet e pasurive publike.

Në këtë rreth rrethanash zhvillimore, fatkeqësisht të gjithë mafiozët po gërmojnë e lobojnë për mbështetje diplomatike nga perëndimi, por fatmirësisht, edhe pse Amerika ka ikur larg, peshqit kanë dalë në breg./Pamfleti

pse ngjan se amerika ka ikur larg