Boshti italo-gjerman shtyn për një Bashkim Europian më pak burokratik dhe më politik, duke riformatuar balancat e brendshme të pushtetit dhe vizionin strategjik të integrimit europian…
Në heshtje, por me peshë strategjike, boshti Romë–Berlin po artikulon një nga debatet më thelbësore të Bashkimit Europian të dekadës së fundit: a ka ardhur koha për një Evropë më të thjeshtuar politikisht, më pak burokratike dhe më të drejtuar nga shtetet anëtare? Nisma e fundit e Italisë dhe Gjermanisë, e reflektuar qartë në debatin publik italian dhe gjerman, nuk është një episod teknik rregullator, por një sinjal politik për mënyrën se si dy shtete kyçe e shohin të ardhmen e Bashkimit Europian.
Thelbi i këtij vizioni është i thjeshtë në formulim, por kompleks në zbatim: një Evropë që prodhon më pak rregulla, vendos më shpejt dhe vepron me më shumë koherencë strategjike.
Në prapavijë qëndron lodhja dhe apatia e akumuluar nga një arkitekturë institucionale që shpesh perceptohet si e rëndë, e ngadaltë dhe e shkëputur nga urgjencat reale politike; nga konkurrueshmëria ekonomike globale te siguria, energjia dhe politika industriale.
Roma dhe Berlini duket se po e thonë hapur atë që shumë kryeqytete e mendojnë në heshtje: një Evropë që rregullon gjithçka rrezikon të mos udhëheqë asgjë.
Kjo qasje nuk është një revoltë kundër integrimit europian, por një përpjekje për ta ripolitizuar atë. Në leximin italo-gjerman, Komisioni Europian duhet të rifokusojë rolin e vet si motor strategjik dhe jo si prodhues i pandërprerë direktivash, ndërsa pesha e vendimmarrjes duhet të rikthehet më qartë te qeveritë e zgjedhura të shteteve anëtare.
Në një moment kur Bashkimi përballet me sfida ekzistenciale; luftë në kufijtë lindorë, presion gjeoekonomik nga SHBA dhe Kina, polarizim të brendshëm, mesazhi është i qartë: fleksibiliteti politik po bëhet po aq i rëndësishëm sa rregulli ligjor.
Megjithatë, kjo nismë hap edhe dilema të ndjeshme diplomatike. Vendet më të vogla dhe ato që tradicionalisht janë mbështetur te forca rregullatore e institucioneve europiane shohin me dyshim çdo lëvizje që mund të rrisë peshën e “të mëdhenjve”.
Frika se një BE e “thjeshtuar” mund të shndërrohet në një BE më asimetrike nuk është e pabazë. Prandaj, suksesi i kësaj linje politike do të varet nga aftësia e Romës dhe Berlinit për ta paraqitur reformën jo si centralizim të ri të fuqisë, por si rishpërndarje më racionale të përgjegjësive.
Në plan më të gjerë, kjo lëvizje sinjalizon edhe një ndryshim të balancave tradicionale brenda Bashkimit Europian. Pa e thënë hapur, boshti italo-gjerman po kërkon të dalë nga hija e dominimit francez dhe të projektojë një qasje më pragmatike, më pak ideologjike ndaj integrimit.
Kjo i jep Italisë një rol më aktiv politik dhe Gjermanisë një mundësi për të riformatuar lidershipin e saj europian në terma më realistë, në një kohë kur konsensusi i brendshëm gjerman mbi Europën nuk është më i vetëkuptueshëm.
Për Ballkanin dhe për vendet aspirante, ky debat ka rëndësi të drejtpërdrejtë. Një BE më e thjeshtuar mund të nënkuptojë procese vendimmarrjeje më të shpejta, por edhe kushte më politike për zgjerimin. Nëse pesha e shteteve anëtare rritet, atëherë diplomacia bilaterale do të bëhet edhe më vendimtare se sa kapitujt teknikë. Ky është një realitet që Tirana dhe rajoni duhet ta lexojnë pa iluzione.
Në fund, iniciativa Romë–Berlin nuk është as reformë e përfunduar, as projekt i kristalizuar. Është një sinjal politik: Bashkimi Europian po hyn në një fazë reflektimi ku pyetja nuk është më “sa ligje prodhon”, por “sa vendime strategjike është i aftë të marrë”. Dhe në këtë reflektim, diplomacia e matur, jo retorika, do të përcaktojë nëse thjeshtësimi do të sjellë unifikim, apo përçarje të reja./Pamfleti
Bravo Gjermani Itali, perpara me prakticizem dhe me rregulla njerezore te pranuara nga shumica. Lereni pas dhe ne hije ideologjine komuniste gjoja liberale Franceze. Udhehiqeni Europen me dinjitet dhe perkushtim duke respektuar te gjithe te madh e te vogel brenda kuadrit ligjor.