
Ndërsa kioskat prej druri në majë të Thethit prishin simetrinë estetike të qeverisë, rruga Tiranë–Shkodër ruan me përpikmëri kaosin si vlerë kombëtare. Në mungesë të rrugës, kujdesemi për balancat gjeopolitike...
Gjeniu i planifikimit dhe 11 deputetët e memecërisë së strukturuar
Mirësevini në Shqipërinë e mrekullive, ku për të përshkuar 99 kilometra nga Tirana në Shkodër, ju duhen tre orë, dy shishe ujë, një valium dhe një jetë e kaluar në trafik. Po flasim për të vetmen rrugë tokësore që të lidh me Evropën, e kthyer prej vitesh në një kurth për makina, mushkë dhe durim njerëzor.
Në krye të kësaj mrekullie urbane kemi Edi Ramën, i cili ka përqendruar të gjithë shqetësimin e tij kombëtar tek... kioskat prej druri në Theth. Aty, në majë të malit, në mes të qetësisë alpine, është ngritur një regjim estetik që shemb çadra, thasë, çanta me qepë dhe fustane kombëtare, sepse, siç thotë i gjati ynë: “s’janë në standard”.
Ndërkohë, rruga Tiranë–Shkodër duket se është projektuar sipas standardeve të kryqëzatave mesjetare, ku udhëtimi ishte i shenjtë, i gjatë dhe i stërmundimshëm.
Çfarë ndodh me 11 deputetët që përfaqësojnë këtë qark?
Asgjë! Janë aty për të marrë rrogën, për të votuar me “pro” çfarëdo që t’i vijë nga Kryeministria, dhe për të bërë ndonjë selfie me ndonjë përurim rruge dytësore. Ky është funksioni i tyre kushtetues: heshtje e programuar dhe miratim i gjithçkaje që rrit pazarin në qendër të Tiranës.
Dhe ndërsa çdo orë pritjeje në trafik mund të krahasohet me një eksperiencë shpirtërore në ferrin e Dantes, kryeministri ynë sheh përtej. Sheh estetikën, sheh dronët, sheh satelitët, sheh ballkonet e rilindura. Por s’ka sy për rrugën që e lidh Shqipërinë me qytetërimin. Sepse ai është i zënë me “aksete strategjike” që nuk kalojnë nga Shkodra. Aty, sipas tij, nuk kalon historia, as kultura, as ekonomia, vetëm “një grusht ‘malokësh’ që s’dinë të ndërtojnë bukur”.
Në një vend normal, Edi Rama do të duhet të ishte në akuzë për shkelje të Kushtetutës, për rishpërndarje të padrejtë të buxhetit, për diskriminim të theksuar rajonal, për keqpërdorim të prioriteteve kombëtare. Por në Shqipërinë e estetikës mbi dinjitetin, ai vazhdon të luajë rolin e artistit të shqetësuar, që kërkon të heqë çdo tendë me birrë në bregdet, por nuk shqetësohet nga autokolonat kilometrike që vdesin nga i nxehti në rrugët me një korsi e gjysmë.
Ky nuk është më thjesht problem infrastrukturor. Është një akt politik përçmimi, një dënim simbolik për të gjithë veriun e vendit, një gërvishtje e përditshme në fytyrën e çdo qytetari që beson se ky shtet ekziston edhe për të.
Por e keni gabim. Shteti i Edi Ramës nuk është për të gjithë. Është për disa. Për ata që bëjnë rrugë për t’iu lidhur vilave të tyre në bregdetin e Jugut, jo për ata që shkojnë në Shkodër për të punuar, për të jetuar apo për të marrë frymë pa u bllokuar në një trafik që nuk mbaron kurrë.
Në fund të fundit, pse të investosh në Shkodër? Aty s’ka resorte. S’ka kulla. S’ka kartëmonedha të mëdha që shkelin mbi betonin e sapohedhur. Ka vetëm njerëz. Por njerëzit nuk sjellin para, vetëm probleme.
Dhe kështu, rruga që të çon në Evropë, mbetet e vetmja që të kthen në mesjetë. Kjo është Shqipëria moderne, ku të gjithë jemi qytetarë evropianë në Instagram, por mesjetarë të braktisur në realitetin rrugor të Shkodrës.
E përfundon udhëtimin me një reflektim: kush ka kohë për 3 orë rrugë dhe 30 vjet mashtrime, me siguri ka kohë për gjithçka. Edhe për ta falur këtë turp./Pamfleti
Lini një Përgjigje