Editorial 2 Dhjetor 2023, 08:47

Si po rrëshqet opozita shqiptare në një parti të Fredi Belerit

Shkruar nga Gjergj Zefi
Si po rrëshqet opozita shqiptare në një parti të Fredi
Beleri dhe Rama /

Presioni i Athinës nuk mund të jetë një instrument që destabilizon Edi Ramën, përkundrazi, edhe mund ta forcojë, duke mbajtur qëndrime kritike ndaj Brukselit, e  duke vazhduar lidhjet e dyshimta me Erdoganin apo sheikët e Gjirit Arabik, gjë që e vështirëson edhe më shumë presionin për shkeljet demokratike dhe standardet e të drejtave të njeriut...

Rreshtimi thuajse masiv i mbështetësve të Foltores dhe partisë së Ilir Metës në pozicionet politike të Athinës zyrtare kundër Shqipërisë, kanë krijuar një realitet të rrezikshëm.

I rrezikshëm, ngaqë ka shumë gjasa që me acarimin e debatit Athinë- Tiranë e vijimin e mbështetjes nga ky grup, ta lënë Edi Ramën në një pozitë të “pamerituar” të ‘heroit’ të Himarës nga ata që duan ta kthejnë kështjellën e shqiptarizmës në një enklavë greke.

Opozita e djathtë është kthyer në një PBDNJ, e cila rastin e Fredi Belerit e mbron me fuqinë e Athinës, për të rrëzuar apo vonuar Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të integrimit. Kjo lojë politike, ndihmon ndoshta në mënyrë sipërfaqësore qeverinë greke për ta mbajtur në presion Edi Ramën për çështjen e marrëveshjes së detit, e cila pritet të hapet së shpejti në Hagë, apo edhe çështje të tjera në politikën e saj të brendshme, edhe pse zgjedhjet e fundit treguan të kundërtën. Siç ishte rasti me dy kandidatët për kryetar bashkie në Athinë e Selanik, 2 qytetet më të mëdha greke, që erdhën në Himarë për të kërkuar lirimin e Belerit, por humbën zgjedhjet vendore.

Presioni i Athinës nuk e dobëson Edi Ramën, përkundrazi, e forcon edhe më shumë. Një vonesë qoftë edhe një vjeçare për të mbajtur peng një kapitull të anëtarësimit, të cilët ecin me ‘hapin e breshkës’, nuk se e vonon më tej një proces të ngadaltë që nuk duket se do të shpejtohet edhe sikur Fredi Beleri të bëjë betimin si kryetar i bashkisë së Athinës.

Mali i Zi dhe Serbia, janë kandidatë në BE mbi 6-7 vite para Shqipërisë dhe sot nuk kanë arritur ende në gjysmën e pjesës që duhet përmbyllur për të marrë viston finale të anëtarësimit.

Nëse ka vullnet politik, BE mund të kalojë edhe 10 procese përnjëherë, apo edhe të të gjithë kapitujt, siç mund të vonojë për të tjerët. E gjasat janë, me krijimin e paradhomës së anëtarësimit nga Macron, që e quan komuniteti politik, anëtarësimi të vonojë më shumë se 10 vjet.

Pikërisht për këtë, presioni i Athinës nuk mund të quhet një instrument që mund të destabilizojë Edi Ramën, përkundrazi, mund ta forcojë, duke mbajtur qëndrime kritike ndaj Brukselit, e të vazhdojë lidhjet e dyshimta me Erdoganin apo sheikët e Gjirit Arabik, gjë që e vështirëson edhe më shumë presionin për shkeljet demokratike dhe standardet e të drejtave të njeriut.

Pra, e thënë në mënyrë taktike dhe logjike, e gjithë kjo rrëshqitje në pozita filogreke është e padobishme. Se në fund të fundit, nuk sjell asnjë rezultat në shtëpi.

Nga ana tjetër, parimisht dhe politikisht, dalja në pozita mbrojtëse të së ashtuquajturës pakicë greke në Himarë është një skandal i madh politik që mund t’i firojë menjëherë edhe votat e nacionalistëve në zonë, dhe ç’është  më e keqja në të gjithë vendin.

Mjafton një fushatë e polarizuar, të cilën Edi Rama e bën mirë dhe i ka të gjitha mjetet për ta bërë, që ta akuzojë të gjithë opozitën si një grupim që kërkon ta kthejë Himarën në Enklavë. E në këtë rast, të gjithë votuesit nacionalistë do të ikin nga sytë këmbët për të votuar edhe për djallin, vetëm që të mos vulosin grekët në Himarë.

Edi Rama, siç mësohet, këto ditë do të nxjerrë të gjitha të dhënat e operacionit të Fredi Belerit, por edhe autoriteteve greke në fushatën e majit. Në fillim do të dalin në proces, banorë të bashkisë së Himarës që do të tregojnë se u janë premtuar pasaporta greke.

Ndërkaq, Rama, d.m.th PS-ja, do të publikojë itineraret e karvanëve elektoralë të ardhura në Himarë në maj. Kësaj radhe jo me autobusë po me makina private dhe të shpërndarë në të pesë pikat kufitare që Shqipëria ka me Greqinë. E i gjithë ky operacion është financuar nga Athina, e për këtë partnerët, pra amerikanët dhe vende të BE-së kanë sjellë dokumentet e duhura, të cilat ja kanë përplasur në sy edhe kryeministrit grek Micotaqis.

Si po rrëshqet opozita shqiptare në një parti të Fredi

Nuk është rastësi që kancelari Gjerman Olaf Schols kundërshtoi presionin grek për çështjen ‘Beleri’.

Nuk është aspak rastësi që Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, nuk e priti fare Qirjako Micotaqisin në Lodër, duke krijuar një precedent të rëndë për Athinën nga vendi që e ka mbrojtur aq shumë.

Nuk është rastësi, gjithashtu, që media politike italiane kanë hapur dje çështjen e Çamërisë.

Është pikërisht gazeta ‘Il Riformista’, e përditshmja e drejtuar nga ish-kryeministri Matteo Renzi, aleat politik i Emanuel Macron, që anonçoi për të parën herë pas shumë vitesh, çështjen çame. E cila, e hapur një herë nuk mbyllet më.

Të gjitha këto vetëm e rrënojnë opozitën që ka rrëshqitur në pozita filogreke. Njerëzit e së cilës, nëse realisht do të donin të sulmonin për klentelizmin dhe parregullsitë në zgjedhje të Edi Ramës, do të duhet edhe të kundërshtojnë përpjekjet jo ‘fair’ të Fredi Belerit për të ndikuar në zgjedhje nëpërmjet Athinës.

Opozita, do të duhej të bënte e të bëjë një betejë për një fushatë zgjedhjesh krejt të re në Himarë, duke përfituar edhe nga konsumi total i Jorgo Goros, të cilin Edi Rama e quan minoritar, njëlloj si Beleri. Të nxjerrë sa më shpejt një kandidat të ri, që të jetë ndryshe nga Goro e nga Beleri. Një kandidat shqiptar, pa letra greke, e që të luftojë fort kauzën e pronave dhe koncensioneve korruptive në të gjitha projektet turistike të territorit të bashkisë së Himarës. Të denoncojë të gjitha parregullsitë, e të kërkojë votën qytetare për t’i prishur të gjitha këto allishverishe.

Nga ana tjetër, të mbrojë fort kauzën se Himara është shqiptare, dhe opozita nuk do të lejojë asnjëherë që dikush ta sakrifikojë këtë tokë të mbrojtur në shekuj, vetëm për interesa meskine të kastës politike. Kështu po, që jo vetëm fiton zgjedhjet në Himarë, por bën hapin e parë për të rrëzuar përfundimisht Edi Ramën. /Pamfleti

fredi beleri opozita shqiptare

Editorial