Editorial30 Nëntor 2023, 12:55

‘Trangujt amerikanë’ të Tiranës

Shkruar nga Gjergj Zefi

 

‘Trangujt amerikanë’ të Tiranës
Foto Ilustruese: Flamuri amerikan /

 Mbyllja e shtigjeve për ajër të ri dhe njerëz jashtë transheve të mëdha në fushën e politikës është një nga shkaqet kryesore të krijimit të këtij ngërçi, ku njerëzit shohin ose Edi Ramën në njërin krah; ose Sali Berishën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën në krahun tjetër...

Ngërçi politik i vendit përballë një përpëlitjeje të peshkaqenëve 30 vjeçarë dhe sundimit autokrat të Edi Ramës, nuk është një fenomen i krijuar rishtas.

Problemi më i madh që ka ndikuar në këtë monopol të gjatë të mbretërimit të bajraktarëve të politikës, është se sistemi që u krijua pas 1990-ës nuk ka qenë asnjëherë i hapur.

Madje është mbyllur frikshëm pikërisht atëherë kur skena politike është bërë diversive dhe me disa zëra.

Mbyllja e shtigjeve për ajër të ri dhe njerëz jashtë transheve të mëdha në fushën e politikës është një nga shkaqet kryesore të krijimit të këtij ngërçi, ku njerëzit shohin ose Edi Ramën në njërin krah; ose Sali Berishën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën në krahun tjetër.

Fakt është se bajraktarizmi dhe drejtimi autoritar janë pjesë e rëndësishme e strukturës tribale jo vetëm në Shqipëri, apo në Ballkan. Është karakteristikë e shoqërive të mbyllura, që kanë pak hapësirë demokratike.

Por kjo është vetëm njëra anë, pasi ka edhe një anë tjetër të kësaj medalje që ja vlen të diskutohet dhe analizohet.

Thuajse të gjithë, ose pjesa më e madhe e politikanëve të lartë që kanë marrë pushtet në Shqipëri, apo në përgjithësi e personave që kanë bërë karrierë; qoftë në politikë apo në fusha të tjera, deri edhe te shoqëria civile, janë shitur gjithë këto vite, edhe si “njerëz të amerikanëve”.

Ngaqë në periudha të caktuara janë përkrahur, janë sponsorizuar dhe indikuar nga politika dhe diplomacia e SHBA. E në fund, të gjithë janë bërë antiamerikanët më të mëdhenj, ose kanë turpëruar publikisht e totalisht mbështetjen e madhe perëndimore. Duke nisur nga vetë Sali Berisha. Njeriu që sot është shpallur ‘Non- Grata’ nga qeveria e SHBA. Berisha erdhi në krye të vendit nga mbështetja e fortë amerikane. Madje kjo mbështetje vijoi edhe kur Sali Berisha nisi spastrimet në Partinë Demokratike, të të gjithë atyre që tentuan të mendonin ndryshe. Vijoi edhe kur Sali Berisha mori nën kontroll shërbimin sekret, drejtësinë e të gjitha institucionet, duke emëruar njerëz nga më të rrezikshmit.

Madje, Berisha vizitoi dy herë Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë kur burgosi opozitën, agresoi atë, duke vrarë e dhunuar gazetarë e opozitarë. SHBA ju desh të merrte në mbrojtje Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit Zef Brozi dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kristaq Luniku, pikërisht sepse u kërcënuan nga Sali Berisha.

Edhe pse e larguan me vështirësi pasi ja kishte sjellë në ‘majë të hundës’, ishte SHBA që i dha një dorë Sali Berishës për t’u kthyer në vitin 2005, ku sërish ua derdhi kupën e bëri të njëjtën gjë, duke e menderosur me Gërdecin, 21 janarin e të pabërat e tjera.

A nuk e mbështetën amerikanët Ilir Metën, kur ai u bë kryeministër, dhe Presidenti Bush i riu e priti në Shtëpinë e Bardhë?

A e shpalli Madeleine Albright, gjatë vizitës së saj në Tiranë, si një “yll i ri në ngjitje” i politikës shqiptare?

Po kështu SHBA përkrahën Pandeli Majkon, i cili përveçse i ri në moshë, nuk kishte asnjë vizion apo ide pozitive për të çuar përpara një zhvillim demokratik në vend. E siç e treguan dhe faktet, Pandi, nuk ishte asgjë tjetër veçse një trangull- me më shumë ujë sesa lëndë, njësoj si kolegët e tij. Madje kur u bë ministër i Mbrojtës, shkriu dhe shiti për skrap pasurinë kombëtare të avionëve e tankeve të ushtrisë shqiptare, duke zgjedhur si partner preferencial Mihal Delijorgjin, njeriun që vite më pas do të bënte gjëmën në Gërdec.

Amerikanët kanë përkrahur fort Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Të cilët edhe sot, konsiderohen si intelekutorët e tyre kryesorë.

Po ashtu kanë mbështetur e asistuar fort Adriatik Lapajn,  dhanë një dorë të fortë edhe për Rudinën e shkretë (Hajdari), e cila edhe pse thotë se ka mbaruar një universitet amerikan, nuk lexonte dot fjalimet e përgatitura, duke ngjarë me një nxënës mesatar të klasës së gjashtë.

Shpesh shtrohet pyetja në diskutime të ndryshme në mjediset e shoqërisë, që është në thelb pro amerikane dhe i ka qëndruar thuajse gjithmonë luajale kësaj aleance: Si ka mundësi që SHBA ka mbështetur ca ‘tranguj’ në politikë, që rezultuan se nuk patën kurrë atë tharmin demokratik e perëndimor të formimit dhe veprimit të tyre?!

Me të drejtë, vjen edhe përgjigjia: Po pse Amerika do na i sjellë ne njerëzit? E rëndësishme është që të ketë një ambjent të hapur e secili të ketë mundësi përfaqësimi. Pasi që nuk mund të importohen apo katapultohen njerëz për të drejtuar në mënyrë demokratike.

Padyshim që kështu është, por problemi këtu qëndron tek mjedisi i mbyllur. Edhe ata që kanë vepruar këtu, kanë pasur mbështetjen e një dore, dorë të cilën siç kanë treguar faktet e kanë kafshuar si kanibalë të lashtësisë.

Siç po shihet edhe me mjaft njerëz të medias, që edhe pse janë mbështetur me fonde, sot janë në kahun përballë drejtësisë dhe përpjekjes perëndimore.

Natyrisht që në të gjitha rastet, faji është i atyre që e kanë bërë, pasi i kanë nxirë surratin vetes, mbështetësve të tyre dhe vendit.

Mbështetja e çdo individi apo personazhi nga ana e SHBA apo ndërkombëtarëve në përgjithësi, vjen edhe sepse këto njerëz janë të aftë të hyjnë në sallonet diplomatike pa asnjë skrupull. Përgjithësisht njerëzit me cipë janë të ndrojtur, e shpesh të rezervuar.

Megjithatë, pas kësaj përvoje të akumuluar, ka ardhur koha t’i thuhet MJAFT kultivimit të ‘trangujve’ në politike dhe në shoqëri.

E domosdoshme është sot hapja e rrugës, e shtigjeve dhe e mjediseve, dhe ndërkombëtarët i kanë të gjitha mundësitë të mbështesin elitat e reja. Natyrisht, duke mos lejuar elementë të rrezikshëm e të infektuar, që qarkullojnë në mjediset e Tiranës. Ata fanatikët fetarë që paguhen nga qarqe të rrezikshme, nga Erdogani a Lindja e Mesme, apo gjithçfarë bipolarësh e budallenjsh që fatkeqësisht i kemi me tepricë, dhe që bëhen popullor shumë kollaj. /Pamfleti

trangujt amerikanë të tiranës gjergj zefi

Editorial