Mafia lutet, që SPAK-ut t’i dobësohet presioni amerikan për hetimin e të fortëve, që Sali Berishës t’i shtohet inati kundër ambasadores Yuri Kim, që dosja e famshme e FBI-së të mos çelë asnjë fletë, e Edi Rama të qëndrojë, ashtu i “varur”, në degë të pushtetit...
Përgjegjësitë janë vetëm mbi SPAK-un që ende nuk po arreston “Peshqit” e mëdhenj. Prej politikës, pushtetit dhe opozitës, nuk ka asnjë pritshmëri për të çelur qoftë edhe një “dritare” të vogël në “banesën” ku rri drejtësia. As vetë Edi Rama, nuk ndihet në faj pse ministrat e tij vjedhin. As kur e bëjnë “baltë” e është i detyruar t’i lëshojë për në burg, as nuk skuqet as nuk zverdhet. Po ta pyesësh, a njeh ndonjë politikan, qeveritar, doganier, kryetar bashkie, apo zyrtar që nuk ka vjedhur, prapë nuk di gjë ky. I mbron të gjithë, deri sa ja zënë me presh në dorë e SPAK-u, nën presionin e pa përballueshëm të ndërkombëtarëve dhe medies që ka ideale, detyrohet t’i “lidhë” tek porta e ligjit.
Hajdutët janë mësuar të lajmërohen, pastrojeni vendin e krimit, se do të vijmë për kontroll. Prokurorët, nuk janë si Sali Berisha që edhe kur i duhet të “qëllojë” pushtetin, “grushti” i shkon tek amerikanët. Hetuseit e SPAK-ut, kur nisen tek vila e bashkëjetues së Arben Ahmetajt, nuk ndalojnë tek komshinjtë me super vila gjigande. Kalojnë bri pishinave plot ylbere dritash të vilave të Xenit, Monikës, Olsit e as trokasin, as i shohin…
Është në shëndet të mirë bashkëpunimi SPAK- krim dhe mafie- pushtet, sa kohë që edhe degët e drogës së “Bana King”, lëshojnë “fruta” si sponsorë të televizioneve kombëtare. Ende “damarët” me gjak të “keq” të drejtësisë, e marrin publikisht “dializën” nga taksat e vjedhura të shqiptarëve apo edhe nga “Peshq” si Ilir Beqja, që i sillet dosja sa në një tavolinë në tjetrën, zyrave të SPAK-ut.
Po pse shtyhet me sot e me nesër arrestimet VIP?!
Përgjigjen nuk ka nevojë ta japë SPAK-u, pasi dihet, pesha e pasurive e palos peshoren tonë. Duhet një dorë nga Amerika që të kemi suksesin model kroat.
Mafia lutet, që SPAK-ut t’i dobësohet presioni amerikan për hetimin e të fortëve, që Sali Berishës t’i shtohet inati kundër ambasadores Yuri Kim, që dosja e famshme e FBI-së të mos çelë asnjë fletë, e Edi Rama të qëndrojë, ashtu i “varur”, në degë të pushtetit.
Kemi Qeveri të varur në degë të hajdutërisë e opozitë të varur në degë të krimit.
Qeveria në rënie nuk mund të bjerë më poshtë, opozita në ngjitje nuk mund të ngjitet më lart. Të dyja janë me vese, mëkate. Ata që kanë dosje krimi e korrupsioni me pesë “yje”, kujdesen edhe për dosjet “kioska”.
Tek paprekshmëria e të fortëve, tek hapat prej hajdutësh drejt ngushëllimeve se gjithmonë fajin për abuzimet me pushtetin nuk e kanë zyrtarët, por sistemi, fillon e mbaron “leksioni” për të nesërmen që nuk është e gatshme të jetë ndryshe të sotmes, as të djeshmes.
Dosjet janë aty, pronat e pasuritë ngado. Asnjëri nuk kundërshton se nuk ka abuzuar me pushtetin, por justifikimi fajin nuk e ka hajduti por sistemi, nuk ecën më tej si varkë shpëtimi,
Është koha të themi me zë të lartë; SPAK, mjaft me dosjet “Kioska”, hap ato me “Pesë Yje”./Pamfleti
Lini një Përgjigje